Bullgaria do të bëhet vendi i parë evropian që vë në funksion një reaktor bërthamor të gjeneratës së re

Bullgaria do të vendosë në funksion një reaktor bërthamor AP1000, duke u bërë vendi i parë në Evropë me një njësi të këtij lloji, deklaroi ministri bullgar i Energjisë, Zheço Stankov, gjatë një konference të organizuar nga kompania amerikane Westinghouse në Sofje.

Ai shtoi se vendi tashmë ka një vendndodhje të miratuar dhe një Studim të Ndikimit në Mjedis (ESIA) për projektin, ndërsa janë duke u zhvilluar punime për financimin dhe koordinimin me Komisionin Evropian.

Stankov deklaroi gjithashtu se të hënën ka zhvilluar bisedime me ministrin amerikan të Energjisë, Chris Wright, lidhur me mundësitë e investimeve në termocentralin bërthamor të Kozloduit.

Ai theksoi se shteti bullgar duhet “të përfitojë nga mundësia që ofrojnë projekte si Njësitë 7 dhe 8 të termocentralit bërthamor të Kozloduit” dhe se ka bërë të qartë që kompanitë bullgare duhet të marrin pjesë në projekt. Ai shprehu kënaqësinë për nënshkrimin e shumë memorandumeve të bashkëpunimit të hënën, të cilat do t’u japin kompanive bullgare mundësinë të kontribuojnë në atë që e përshkroi si “projekti më i madh i dekadës – ndoshta edhe i asaj që vjen”.

Sipas ministrit bullgar të Energjisë, njësitë e reja do të krijojnë kushte për rikthimin në atdhe të specialistëve bullgarë me përvojë ndërkombëtare. “Kur të funksionojë plotësisht, termocentrali do të punësojë rreth 10.000 punonjës”, theksoi Stankov.

Edhe Polonia firmos për termocentral bërthamor

Ndërkohë, të hënën, kompanitë amerikane Westinghouse Electric dhe Bechtel nënshkruan një kontratë me kompaninë shtetërore polake Polskie Elektrownie Jadrowe (PEJ) për të vazhduar projektimin e termocentralit të parë bërthamor të vendit, pas përfundimit të marrëveshjes fillestare në fund të marsit.

Polonia synon të reduktojë varësinë nga qymyri dhe zgjodhi Westinghouse në vitin 2022 për të ndërtuar termocentralin në bregdetin e Detit Baltik. Varshava vlerëson koston e projektit në 192 miliardë zloty (45 miliardë euro).

PEJ duhet ende të negociojë një kontratë për ndërtimin, furnizimin dhe inxhinierinë (EPC) me ndërtuesin, por kjo kërkon miratimin e Komisionit Evropian për subvencionin publik prej 60 miliardë zloty (14 miliardë euro) nga i cili do të përfitojë projekti.

Qëllimi i Polonisë është të marrë miratimin e BE-së deri në fund të vitit, në mënyrë që ndërtimi i njësisë së parë të fillojë në vitin 2028 dhe të përfundojë në vitin 2036, katër vjet më vonë nga sa ishte parashikuar fillimisht. Njësia, e cila tashmë ka mbështetjen e institucioneve financiare nga SHBA dhe Kanadaja, pritet të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2040.

Artikulli paraprak“Barcelona e di mirë çfarë i bëmë Bajernit”, Mkitarian karikon Interin para duelit special
Artikulli tjetërFrika nga pesticidet falimenton masivisht fermerët e luleshtrydheve në Fier