Më 10 gusht Abdullah Buyuk iu dorëzua autoriteteve turke, pasi kërkesa e tij për azil politik u refuzua.
Dy gjykata bullgare bllokuan deportimin e tij në mars, duke thënë se ai ishte i kërkuar për “arsye politike” në Turqi dhe se nuk mund t’i garantohej një gjyq i drejtë.
“Kjo është një marrëveshje (ekstradimi i Buyuk) mes dy shteteve antikushtetuese dhe në njëfarë mënyre sjellja e Bullgarisë nuk ndryshon shumë nga ajo e Erdoganit”, tha për “BIRN” Dilyana Giteva, një avokate nga OJQ-ja Avokatët bullgarë për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Sofje.
Giteva e quajti deportimin e shtetasit turk 43-vjeçar një “akt arbitrar, duke sinjalizuar se qeveria bullgare mund të bëjë çfarëdo veprimi”, pa respektuar vullnetin e gjyqësorit.
Çështja e Buyuk mori vëmendjen e publikut më 11 gusht, pasi u raportua gjerësisht në media në Turqi.
Buyuk hyri në Bullgari në fund të vitit 2015, kohë më parë grushtit të shtetit të 15 korrikut në Turqi. Qeveria turke po ia hedh fajin për grushtin e dështuar të shtetit, lëvizjes së klerikut islamik me bazë në SHBA, Fethullah Gylen.
Buyuk, pronar i një kompanie softuer, nuk e ka fshehur kurrë mbështetjen e tij për Gylenin dhe ka aplikuar për azil në Bullgari duke pretenduar se në Turqi ishte i persekutuar. Buyuk u akuzua për terrorizëm në Turqi.
Ai u arrestua nga autoritetet bullgare në mars dhe Prokuroria bullgare kërkoi ekstradimin e tij, por dy gjykata në Sofje e hodhën këtë poshtë.
Pas grushtit të dështuar të shtetit, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu tha se “kishte një tradhtar në Bullgari” dhe se kishte dërguar një delegacion për ta kërkuar atë.
Megjithatë, asnjë delegacion apo kërkesë formale nuk u dërgua për ekstradimin e tij në Bullgari, Ministria e Brendshme ia dorëzoi atë Turqisë për arsye administrative, duke cituar mungesën e dokumenteve të nevojshme të Buyuk për vazhdimin e qëndrimit në vend.
Shumë dyshojnë se qeveria bullgare iu dorëzua presionit nga fqinji i saj lindor, marrëdhëniet e të cilit janë përkeqësuar së fundmi me BE-në dhe NATO-n.
Kryeministri bullgar, Boyko Borissov pranoi për “NOVA TV” më 13 gusht se ekstradimi i Buyuk ishte një veprim “në kufi të ligjit”, që ai e justifikoi me rrezikun e një fluksi të mundshëm refugjatësh nga Turqia.
“Ne nuk duhet të lejojmë valë emigrantësh nga Turqia në Bullgari”, tha ai në një intervistë me “NOVA”, duke shtuar se është me rëndësi të madhe që Bullgaria të mbajë marrëdhënie të mira me Turqinë”.
Të dielën, media turke raportoi dy shtetas të tjerë turq, të dyshuar si anëtarë të organizatës separatiste kurde, PKK-KC, do t’i dorëzoheshin Turqisë nga policia bullgare.
Ekspertët po e shohin marrëveshjen polemike me Turqinë si një precedent shumë të rrezikshëm për sundimin e ligjit në Bullgari, një shtet anëtar i BE-së që nga 2007.
Hristo Hristev, një profesor i juridikut për BE-në, në Universitetin e Sofjes “Saint Kliment Ohridski” i tha “BIRN” të hënën se Bullgaria mund të përballet me një gjyq përpara Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, si dhe me një procedurë përpara Komisionit Europian për shkelje të disa parimeve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Nuk kemi asnjë garanci kundrejt veprimeve të tilla në të ardhmen”, tha ai.
Hristev theksoi se nëse vazhdon përshkallëzimi i tensionit mes Turqisë dhe vendeve të BE-së, nuk do të ketë mundësi që Bullgaria të shmangë një fluks të mundshëm refugjatësh.
“Zgjidhja nuk është t’i dorëzohemi presionit të regjimit të Erdoganit, por të punojmë bashkë me vendet e tjera europiane”, përfundoi ai.