Bulmeti “mban mbi shpinë” barrën e çmimeve/ Inflacioni ngjitet në 2.1% në Mars. Argëtimi vazhdon të kushtojë më shtrenjtë

Inflacioni në vend për muajin Mars ka prekur një vlerë prej 2.1%, nga 1.9% që regjistrohej në muajin e dytë të vitit aktual. Ndërkohë, rënia regjistrohet nëse e krahasojmë vlerën me të njejtin muaj të një vitit 2024, e cila vlerësohej në 2.3%. Por, pavarësisht kësaj, të dhënat tregojnë se disa grupe kanë pësuar ndryshime të rëndësishme sa i përket këtij treguesi.

Nëse flasim për kontributin e grupeve kryesore, të dhënat tregojnë për një situatë të pandryshuar, ku me ndikim negativ gjejmë vetëm transportin me 0.15 pikë përqindje. Rritja vjetore e çmimeve në muajin Mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1.04 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0.26 pikë përqindje.

Nëse kalojmë tek ndryshimet vjetore të grupeve shohim se krahasuar me muajin Mars të vitit 2024 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 7.4%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.4%. Nëse analizojmë inflacionin mesatar për grupin e argëtimit shohim se në harkun kohor të një viti, muaji Mars regjistron normën më të lartë. Nëse analizojmë nëngrupet për argëtimin dhe kulturën shohim se inflacioni më i lartë regjistrohet për librat dhe mjetet shkollore dhe për shërbimet e argëtimit dhe kulturës.

Ndjek me rritje grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3.5%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Veshje dhe këpucë” me 3% secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1.9%, “Komunikimi” me 1.5%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.3%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 0.9% secili, “Shëndeti” me 0.6%. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 2.5%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 4.6%, pasuar nga nëngrupet “zarzavate përfshirë patatet” me 4.0%, “mish” me 3.3%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 1.2%, “peshk” me 0.1%, etj.

Bulmeti duket se po përjeton të njetat shifra që nga Shkurti i vitit 2024, kur inflacioni për këtë nëngrup vlerësohej në 4.7%. Përgjatë 13-të muajve, Marsi regjistron rekord të inflaionit për bulmetin dhe vezët./SCAN

Exit mobile version