Ekonomia shqiptare u rrit vetëm me 4.1 për qind në kulmin e sezonit turistik, një ecuri kjo larg shifrave pompoze të bumit të propaganduar turistik
Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri u rrit me me 4.09 për qind në terma realë, në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa propaganda e qeverisë për bum turistik nuk përputhet me rritjen e ekonomisë. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Stattistikave tregojnë se për periudhën korrik-shtator që përbën dhe pikun e sezonit turistik, grupi “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim Ushqimor”, u rrit me 6.2 për qind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Ky është grupi që përmban brenda vetes pjesën më të madhe të degës së turizmit dhe rritja me 6.2 për qind nuk tregon për bum impresionues, aq më tepër nëse krahasohet me statistikat për rritjen e numrit të turistëve që raporton qeveria dhe institucionet e saj.
Grupi tjetër, që përmban po ashtu aktivitete të lirdhura me turizmin ai i e “Arte, argëtim, çlodhje, aktivitete të tjera shërbimi u rrit me vetëm 3.88 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në terma të peshës, aktiviteti i turizmit kontriboi 1.3 për qind në rritjen e PBB-së në tremujorin e tretë, ndërkohë që grupi i dytë me kontributin më të madh ishte ai i aministratës publike, arsimit dhe shëndetësisë, i cili kontriboi me 0.91 pikë përqindje në rritjen ekonomike prej 4.09 për qindësh.
Për 9 muajt e parë të vitit, ekonomia shqiptare është rritur me rreth 4 për qind krahasuar me 9 mujorin e vitit të kaluar. Rritja prej 4 për qind është më e lartë se sa pritshmëritë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili kishte parashikuar se gjatë këtij viti ekonomia shqiptare do të zgjerohet me 3.3 për qind.
Por pavarësisht kësaj, shifra 4 për qind mbetet relativisht e ngadaltë dhe mbi të gjitha ajo nuk sinjalizon asnjë bum turistik ashtu sicc propagandon qeveria. Prej disa vitesh tashmë, ekonomia shqiptare është kapur në kurthin e një paradoksi, ku nga njëra anë Shqipëria raportohet si “hot spot”-i europian i turizmit, ndërsa nga anë tjetër ky bum nuk përkthehet në të njëjtën masë në rritje ekonomike dhe mirëqënie për qytetarët./Kapitali.al