Deputeti demokrat, Aldo Bumçi e ka cilësuar të painformuar ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në komentet që ai bëri për situatën politike në Shqipëri gjatë vizitës në Tiranë. “Unë mund të them që ministri gjerman ishte i painformuar. Kjo mund të vijë nga fakti që ka pak javë që është në detyrë, pas lënies së detyrës nga ish-ministri i Jashtëm që u zgjodh president dhe ngarkesës së madhe që ka arena ndërkombëtare”, tha Bumçi. “Unë nuk gjej shpjegim tjetër që mund të jap. Pra, kur ke marrë detyrën në këtë post kaq të rëndësishëm në një kohë me kriza, çfarë ndodh në Shqipëri mund të duket si sherri që bëhet në një fshat pas malit. E parëndësishme, duket si një kokëçarje kur ke kriza të mëdhaja si Lindja e Mesme, Rusia, Koreja etj”, tha Bumçi. Si ish-ministër i Jashtëm, Bumçi shpjegoi se Gabriel që përfaqëson një parti të majtë në Gjermani i ka qëndruar besnik polit të tij pasi nuk përmendi kanabizimin e vendit apo kauzën e zgjedhjeve të lira të opozitës. “Ministri i Jashtëm gjerman është kryetari i Partisë Social Demokrate në Gjermani, që në pak muaj do të jetë përballë Merkel si kundërshtar. Pra, nuk është përfaqësuesi i Kancelares Merkel, por është kryetari i partisë kundërshtare dhe janë në një koalicion të madh”, tha Bumçi. Deputeti demokrat këmbënguli se më 7 maj në Kavajë nuk do të mbahen zgjedhjet për kryebashkiak, ndërsa rrëfeu dhe skenarin si do të ndodhë kjo. “Në Kavajë më 7 maj nuk do të ketë zgjidhje. Opozita ka thirrur një protestë të madhe. Ju do ta shikoni në ditët në vijim, nuk mund të ketë zgjedhje në një qytet që u kthye në simbol të promovimit të krimit. Ambasadori amerikan i kërkoi mos kandidonte Elvis Rroshin”, tha Bumçi. Ai tha se opozita nuk lëviz nga qëndrimi i saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike. “Bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit për zgjedhje të lira dhe të ndershme në të gjithë Shqipërinë. Opozita edhe pas vizitës së zyrtarëve të nderuar vazhdon të jetë në të njëjtën qëndrim, se ky qëndrim nuk është tek. Zgjedhje në plantacionin e drogës, me njerëz të armatosur, me policinë që merr 30% nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë. Qeveria teknike është zgjidhja e vetme”, tha deputeti demokrat. Deputeti Aldo Bumçi përsëriti se opozita nuk do të heqë dorë nga kauza e saj për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
Kryesore
Continue to the categoryKur petalet vyshken dhe shkuma shpërndahet, dy fjalë për rapsodët e...
Nga Rigels Seliman
Të rinjtë socialistë u rreshtuan përballë kryeministrit Edi Rama si një kor i harmonizuar, të gatshëm për të recituar vargjet e radhës...