Bundestagu voton: Negociata me kushte për Shqipërinë dhe Negociata pa kushte për Maqedoninë

Bundestagu gjerman ka votuar me 350 vota pro dhe 188 kundër draftin e paraqitur për të hapur Negociata me kushte për Shqipërinë dhe në të njëtën kohë për tëjhapur Negociatat pa kushte për Maqedoninë. Vendet e Bashkimit Europian po japin verdiktin për atë që do të ndodhë më Shqipërinë në prag të marrjes së vendimit për Negociatat në mesin e Tetorit.

Siç ka raportuar media publike gjermane DW, rezoluta parashikon që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet qysh në janar, ndërsa Shqipëria do t’i nisë ato vetëm kur të plotësohen disa kushte.

Parlamenti votoi këtë mbrëmje dhe në fund të procesit kaloi në miratim rezoluta e krijuar nga CDU/CSU dhe SPD, partitë që drejtojnë qeverinë federale gjermane.

Kundër saj janë shprehur radikalët e “Aleanca për Gjermaninë” ndërsa “Të gjelbrit” thanë se kushtet ishin mjaft të rënda për Shqipërinë. Me shumicë votash u rrëzuan amendamentet e AFD dhe FDP.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut është vendosur çelje e negociatave pa kushte. Vendimi Bundestagut është detyrues për qeverinë gjermane në tavolinën e 28 vendeve anëtare që do të mbahet në 18 tetor.

Negociatat me Shqipërinë do të jenë jo pak të komplikuara. 9 janë kushtet e Gjermanisë, ku ndër më të rënëdishmet politike janë ato për arrestimet e zyrtarëve të implikuar në blerjen e voatve si dhe qëndrimi për zgjedhjet e 30 Qershorit, përfshirë këtu arritjen e kushteve imediate si krijimi i SPAK dhe institucioneve të reja të drejtësisë, ringritja e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë etj.

Kushtet për Shqipërinë janë të ndara në dy grupe, në ato që duhet të plotësohen para Konferencës ndërqeveritare, e cila shënon formalisht hapjen e procesit, dhe kushtet e tjera që do të duhet të plotësohen para hapjes së bisedimeve për kapituj konkret, që në rastin e Shqipërisë pritet të jenë kapitulli 23-24 që lidhen me Shtetin e së Drejtës (reforma e sistemit gjyqësor dhe të Drejtat themelore) dhe liritë themelore, sigurinë dhe drejtësinë.

Sipas kushteve të CDU/CSU konferenca e parë e anëtarësimit të zhvillohet atëherë kur Qeveria Federale të konstatojë plotësimin nga ana e Shqipërisë të dy kushteve: Sigurimi i vënies në punë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese si dhe të Gjykatës së Lartë duke angazhuar një numër të arsyeshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh të verifikuar si dhe të merret vendim për reformën zgjedhore”.

Sa i takon kësaj reformë, deputetët gjermanë saktësojnë se ajo duhet të jetë “në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore si dhe të bazohet në rezultatet e Komisionit ad hoc të Reformës zgjedhore.

Rishikimi i draftit të përgatitur atje, duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike, siç rekomandohet edhe në raportin e ODIHR të datës 5 shtator 2019”.

Nisja e bisedimeve për kapituj konkretë, kushtëzohet me një numër më të madh çështjes, të paktën 7 të tilla: Zbatimi i ligjit për reformën zgjedhore të inicuar; Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme;

Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që janë të përfshirë në blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve;

Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar;

Progres solid në krjimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë.

Këto përfshijnë hetime proaktive, eventualisht ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar; Progres i prekshëm në reformën administrative, përfshirë rishikimin e qëndrimeve të zyrtarëve të lartë dhe drejtorëve, edhe nën këndvështrimin e parregullsive dhe një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor”, saktësohet në dokumentin e miratuar nga grupi i CDU/CSU.

Kushtet

Bëhet fjalë pak a shumë për nëntë pika:

– funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese

– miratimi i reformës zgjedhore;

– implementimi i reformës zgjedhore;

– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;

– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;

– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,

– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;

– përparime në reformën e administratës publike;

– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Debatet

Seanca e sotme u shoqërua me debate mes ligjëvënesve gjermanë. Peter Beyer përfaqesues i CDU/ CSU në fjalën e tij foli edhe për çështjen “Tahiri” dhe tha se “nuk na hidhni dot hi syve me atë dënim”. Ish-ministri i Brendshëm u dënua nga gjykata me 5 vite burg (3.4 me gjykim të shkurtuar), që u konvertua në 3 vite shërbim prove.

Nga ana tjetër deputeti i CDU/CSU, Florian Hahn tha se Shqipëria ka bërë përparim në sistemin e gjyqësorit, por ka ende punë për të bërë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Po të votojmë për Shqipërinë i japim një shans historik. Kemi vendosur kritere shumë të forta për Shqipërinë, të ndara në dy faza. Hapja e negociatave nuk do të thotë anëtarësim”, deklaroi Florian Hahn.

Artikulli paraprakPeter Beyer në parlamentin gjerman: Nuk na hidhni dot hi syve me atë dënim për Tahirin
Artikulli tjetërAmbasadori gjerman: Negociata me kushte për Shqipërinë