Burg pa afat për krahun e djathtë të Habilajve

Disa prova të reja të paraqitura nga Prokurorët për Krimet e Rënda bindën Gjykatën të japë një masë të re sigurie për Nezar Seitin, i dyshuar si financieri i grupit të Habilajve. 6 ditë para skadimit të masës izoluese me afat 20 ditor ndaj tij, Gjykata e Krimeve e la dje në “arrest në burg” deri në përfundim të hetimit. Prokurorët e bazuan kërkesën e tyre në prova të ardhura nga Prokuroria e Katanias, kryesisht përgjime ambientale, që faktojnë bashkëpunimin e Seitit dhe Moisi Habilajt në pazaret e drogës.
Referuar akteve të përcjella nga hetuesit italianë, emri i Moisi Habilajt ka dalë në skenë në vitin 2012, gjatë operacionit antidrogë të koduar “Odesa”. Guardia Di Finanza në këtë aksion bllokoi qindra kilogramë drogë dhe arrestoi një skafist. Në përgjimet, Moisi Habilaj del si drejtuesi i grupit dhe furnizues me shumicë i grupeve kriminale me kanabis në Italinë e Jugut. Në këtë operacion është arrestuar Elson Zhurda, i njohur me nofkën “Maloku”. Hetimet kanë zbuluar se një nga kontaktet më të shpeshta telefonike të tij ishin me Moisi Habilajn. Sipas prokurorëve, të dyshuarit janë zënë mat nga përgjuesit e vendosur në mjetet e tyre.
Në një bisedë pas arrestimit të një prej anëtarëve të grupit, Florian e Moisi Habilajt dhe Nezar Seitit diskutojnë për një shumë parash, që do ia japin avokatit të tij. “Janë 200 mijë euro, ku do i fusim”, shprehej Seiti. Në një tjetër bisedë të përgjuar Seiti i shpreh shqetësim Moisi Habilajt se mos u del ndonjë problem. “Pa merak”, e qetëson Habilaj. Sipas prokurorëve, të dyshuarit në vijimësi kanë patur dyshime mos ishin në përgjim. Për këtë shkak, ata kanë kontrolluar herë pas here mjetet, por pa mundur të gjejnë përgjuesit.
Prokurorët shpjeguan se, në të paktën 8 raste, kur konstatohej se Nezar Seiti dhe Moisi Habilaj, vizitonin vende në bregdetin italian, në 72 orët në vijim aty bllokohej sasi droge që vinte me gomone nga Shqipëria. Përgjimet ambientale, autoritetet italiane i kanë kryer në një makinë në pronësi të Moisi Habilajt. Ata diskutojnë mbi shumat e parave që kanë fituar nga trafiku i kanabisit dhe mbërritja e ngarkesave të reja në brigjet italiane. Në një rast, Nazer Seiti është përgjuar me Florian Habilajn, për një sasi droge që do të mbërrinte në Itali. Një ditë më pas, policia e vendit fqinj, në atë vend që po diskutonin ata, kapi 800 kilogramë kanabis.
Nezar Seiti u arrestua në Vlorë në 19 tetor në zbatim të një urdhër-arresti të Gjykatës së Katanias. Ndaj tij u nis një procedim penal edhe nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Aktualisht ndaj Seitit ekzistojnë dy masa sigurie, si edhe një masë “arrest në burg” me afat 20 ditor për qëllime ekstradimi.

Artikulli paraprakPolicia kreu vepër penale për Sotën
Artikulli tjetërTë deklasifikohet mbledhja e një viti më parë e Këshillit të Sigurisë për Drogën