Burgosja në diktaturë, gratë e shpallura “Armike të popullit”! Me mijëra u dënuan me internim dhe shumë me ekzekutim

Gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri u krijua një sistem sundues diktatorial, i cili u mundua të siguronte mbijetesën e tij nëpërmjet metodave të ndryshme frikësuese dhe sanksionuese të njerëzve.

Shumë persona janë hetuar, akuzuar, dënuar, persekutuar dhe ekzekutuar në emër të popullit për shkak të kundërshtimit të regjimit. Eliminimet fizike, burgosjet, likuidimi i klasave dhe grupeve kundërshtare të komunistëve, u paralajmëruan që pa mbaruar lufta. Në vitet 1944 – 1947, tetë burgje ekzistuese në Shqipëri iu rezervuan të burgosurve politikë, të cilët përcaktoheshin si “armiq të popullit”, shtatë të burgosurve normal të përcaktuar si “ordinerë” dhe tre burgje ishin të përziera.

Me kalimin e viteve regjimi hapi burgje të reja në të gjitha qendrat kryesore, duke i specifikuar ato për të burgosurit politikë dhe burgjet e destinuara për të burgosurit ordinerë. Zakonisht në burgje dërgoheshin për të vuajtur dënimin personat e dënuar, të cilët, për shkak të gjendjes së tyre fizike, nuk kanë pasur mundësi të kryenin ndonjë punë në kampet e punës (repartet e riedukimit), si dhe ata të cilët gjatë kohës së mbajtjes së dënimit në kampet e punës kanë shkelur rëndë dhe në mënyrë sistematike rregullat e brendshme, ose në ndonjë mënyrë tjetër mbajtja e tyre në kampet e punës ose repartet e riedukimit ka paraqitur rrezikshmëri. Po ashtu burgjet dalloheshin nga kampet e punës edhe për nga regjimi i mbajtjes së dënimit. Në burgje regjimi i mbajtjes së dënimit ishte më i rëndë në krahasim me kampet e punës ose repartet e riedukimit nëpërmjet punës.

Të dënuarit gjatë mbajtjes së dënimit në burgje kishin të drejta më të kufizuara sesa në kampet e punës. Çdo 3 ditë, një qytetari do t’i bëhej gjyq politik ose ekzekutohej me ose pa vendim gjykate dhe eshtrat e tyre nuk dihen ende se ku janë. Vetëm në qytetin e Shkodrës janë 400 familje të cilat nuk i kanë gjetur eshtrat e të pushkatuarve dhe qindra të tjerë në Shqipëri presin një varr për t’u prehur. Çdo 2 muaj, i burgosuri politik pësonte gjymtime mendore e politike për shkak të keqtrajtimit në hetuesi dhe çdo 2 javë, një i burgosur politik vdiste në burg. Çdo 2 javë, burgosej një qytetar. Çdo 2 muaj, internoheshin 3 persona. Ndër burgjet e destinuara për “armiqtë e popullit” më famëkeqi ishte ai i Burrelit, konsiderohej si një super burg nga i cili ishte e pamundur të arratiseshe dhe në të cilin të burgosurit politikë jetonin në kushte çnjerëzore.

Të shumta janë dëshmitë që tregojnë për të burgosur politikë që vdiqën në burgje apo në kampet e punës, kryesisht prej torturave apo shkaqeve të tjera, si vetëvrasja. Edhe në këto raste, trupi i viktimës nuk i kthehej familjes, sepse në regjimin komunist trupi i të dënuarit mbetej në dispozicion të shtetit përgjatë dënimit, madje edhe pas vdekjes. Si mjete dhe forma të torturave që përdoreshin në burgjet dhe kampet e punës gjatë sistemit komunist në Shqipëri ishin ndër të tjera: jeleku i torturës (torturë e tmerrshme), dëmtimi i organeve gjenitale, lënia pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe në këmbë për ditë të tëra, elektroshoku, futja kripë në gojë me mbushje të plotë të gojës, dërgimi gjoja për pushkatim, futja me kokë poshtë në fuçi me ujë, djegia e mishit me cigare, hedhja e alkoolit në duar apo në flokë dhe ndezja e flakës, thyerja e kockave dhe shkulja e mishit me darë, futja në ujë dhe lënia të lagur në dimër, përdorimi i zgjonjve me bletë ndaj të burgosurve të zhveshur etj.

“ARMIKET E POPULLIT”

Mbi 7 mijë gra që u shpallën “armike të popullit” gjatë diktaturës dhe vuajtën burgjet. Mijëra të tjera u dënuan me internim dhe shumë me ekzekutim. Gjatë diktaturës komuniste, ka një numër të madh të grave që u shpallën “armike të popullit dhe u dënuan me burg”, shumica e tyre e kanë kryer dënimin në tri burgje të diktaturës të njohura si burgje të grave.

Nëpër kalvarin e burgjeve komuniste kaluan më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj. Gratë e burgosura në vitet e para mbaheshin në burgjet e burrave, në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër etj., por në dhoma të veçanta. Më 1957-n gratë u grumbulluan në Burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to.

Më 1961-shin u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970-n u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit. Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndoshta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar ishte një “agjente e huaj” që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjësohej, ose të largohej nga Shqipëria.

GRATË E DËNUARA

Në kujtimet e shkruara nga Agim Musta, autor i shumë librave me kujtimet rrëqethëse nga burgjet e tmerrshme të kohës së komunizmit, vjen e përshkruar vuajtja e grave të dënuara. Terrori komunist në Shqipëri nuk kurseu as gratë shqiptare, të cilat u dënuan me internime, burgje dhe deri te dënimet kapitale.

Referuar kujtimeve qysh në kohën e luftës, u pushkatua në Ramicë të Vlorës më 1944, Ramize Gjebrea, një nga luftëtaret e para antifashiste, që shquhej për zgjuarsi dhe guxim. Mbas vendosjes së diktaturës komuniste u arrestuan shumë gra, që regjimi i Enver Hoxhës i kishte vënë në shënjestër, si Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, Musine Kokalari, Qefsere Begeja, Hava Golemi, Dhora Leka, Marije Medicina e shumë të tjera, që u dënuan me burgime të rënda. Me mijëra gra të tjera vuajtën në kampet shfarosëse të internimit, si në Tepelenë, Levan, Seman, Gradisht, Plug… Në shtator të vitit 1951 u pushkatua anëtarja e Institutit të Shkencave të Shqipërisë, Sabahete Kasimati, nga Libohova, e diplomuar në Francë për shkencat biologjike, e akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike. Më 1956 u pushkatua Liri Gega, ish-anëtare e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare gjatë kohës së luftës, megjithëse ishte shtatzënë. Gratë e burgosura mbaheshin në kushte çnjerëzore, nëpër qeli e burgjeve, duke mos përjashtuar as burgun shfarosës të Burrelit. Më 1957 ato u grumbulluan në burgun e artizanatit, në periferi të Tiranës.

Më 1961 për herë të parë u krijua në afërsi të Kuçovës kampi me punë të detyruar për gratë. Në një barakë shumë të keqe dhe mjaft të ngushtë, vendosen 60 gra të dënuara politike. Ato punonin në bujqësi e shpyllëzim. Për thyerjen më të vogël të rregullores ose mosplotësimin e normës së punës, ato lidheshin me hekura dhe torturoheshin nga gardianët. Më 1970 kampi u shpërngul në katundin Kosovë të Dumresë, 50 km në jugperëndim të Elbasanit. Kampi ishte vendosur në një gropë që i ngjante kraterit të vullkanit, ku në verë temperaturat mbërrinin gjer në 45 gradë C. Përveç grave shqiptare, në këto kampe kishte edhe shumë gra të huaja, të martuara me burra shqiptarë, si italiane, jugosllave, ruse, hungareze, polake, gjermane, franceze, të ngarkuara me dënime të rënda. Në kampin e Kosovës mbi 110 të dënuara detyroheshin të punonin në bujqësi dhe grumbullim gurësh./Gazeta Panorama

Artikulli paraprakFarat e linit, efektet pozitive dhe negative nga konsumi i tyre
Artikulli tjetërBloomberg: Donald Trump u kërkon vendeve të Ballkanit Perëndimor të pranojnë emigrantët e dëbuar nga SHBA