I burgosuri për trafik heroine humb jetën rrugës për në spital

Një 37-vjeçar i paraburgosur në Burgun 313 në Tiranë sot ka humbur jetën. Siç njofton Drejtoria e Burgjeve bëhet fjalë për Alban Kapllarin, i cili ka humbur jetën teksa transportohej për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, ku ishte dërguar për ndihmë mjekësore. Alban Kapllari ishte arrestuar rreth një vit më pare në vijën e dytë të kontrollit në pikën kufitare të Kakavijës, ku në mikrobusin që drejtohej nga 37-vjeçari u gjetën 2.6 kg heroinë.
“Mëngjesin e sotëm ky shtetas është paraqitur në kuzhinën e IEVP, pasi punonte aty si ndihmës kuzhinier. Rreth orës 07:45, ai është kthyer në dhomën e tij, duke u shprehur se nuk ndihej mirë.

Rreth orës 08:25 punonjësi i sigurisë së sektorit ka njoftuar stafin shëndetësor se i paraburgosuri nuk ndihej mirë dhe menjëherë në dhomën e tij kanë shkuar dy ndihmësmjekë, të cilët i kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore. Pak minuta më pas, shtetasi A.K. është nisur me urgjencë për në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, por ka humbur jetën gjatë rrugës”, sqarohet në njoftim.
Paraprakisht mjekët mendojnë se i paraburgosuri ka kaluar një infarkt miokardi, por do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojë saktësisht shkakun e vdekjes së shtetasit A.K. Sipas shërbimit mjekësor të burgut rezulton, se 37-vjeçari nuk ka paraqitur probleme shëndetësore që nga momenti i ardhjes në IEVP e deri në ditën e djeshme.

Exit mobile version