Burri i drejtoreshës së Doganave drejton kontrabandën e kafesë

Kontrabanda e kafesë bëhet nga bashkëshorti i drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave. Denoncimi është bërë nga ish-kryeministri Berisha, pas një mesazhi të dërguar nga një doganier. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, bashkëshorti i drejtoreshës së bashku me drejtorët e Doganave të Kakavijës dhe Beratit po i shkaktojnë shqiptarëve miliona euro dëm dhe po shkatërrojnë tregun e kafesë. Berisha i kërkon Prokurorisë që të nisë sa më shpejt hetimin për këtë rrjet të mafies shtetërore, që po iu grabit shqiptarëve dhjetëra milionë euro me kontrabandën e kafesë.
“Kontrabandën e kafesë e bën bashkëshorti i ndrikullës drejtore e Përgjithshme e Doganave! Doganieri dixhital denoncon bashkëshortin e ndrikullës, drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave, për kontrabandën e madhe të kafesë, me të cilin ai e menaxhon së bashku me  drejtorët Zharin dhe Marjan të doganave të Kakavijës dhe Beratit, të cilët përdorin edhe emrin e zv/ministres së Financave! I bëj thirrje Prokurorisë të nisë sa më shpejt hetimin për këtë rrjet të mafies shtetërore që po iu grabit shqiptarëve dhjetëra milionë euro me kontrabandën e kafesë dhe po shkatërron tregun e saj”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje. Lidhur me kontrabandën e kafesë duam t’ju bëjmë me dije se kjo gjë ndodh kryesisht në magazinat më të mëdha të kafesë që ndodhen në qytetin e Beratit. Po të hulumtoni më thellë do të mësoni se kjo kontrabandë ka ndodhur dhe ndodh nga dogana e Kakavijës në atë të Beratit, ku si protagonistë janë drejtorët e Kakavijës dhe Beratit. Të dy këta drejtorë, z. Zharin dhe z. Marjan janë lidhje të ngushta të bashkëshortit të drejtoreshës së Përgjithshme. Madje, ky i fundit, ish-drejtori i Doganës së Beratit, Marjan Prifti, u shpërblye duke u bërë drejtor i Antikontrabandës, megjithëse është ende për ndjekje penale. Rastet e kontrabandës në Berat dhe Kakavijë janë referuar edhe pranë Drejtorisë së Antikorrupsionit në DPD. Por me thënë të drejtën, drejtori i Antikontrabandës vazhdon të bëjë të njëjtën gjë, duke abuzuar edhe me emrin e Zv/ministres të Ministrise së Financave. Kjo kontrabandë po lulëzon, nuk ka të ndalur”, shkruan doganieri.
Katër ditë më parë ministrja e Financave, Helga Vukaj, urdhëroi një hetim për kontrabandën e kafesë. Sipas statistikave, gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2017 janë zhdoganuar 500 tonë kafe më pak se e njëjta perudhë e viteve të tjera. Kjo “mungesë” e 500 tonë kafe në bilancin e Doganave ka ngritur dyshimet për kontrabadë.
Ministrja Vukaj ka urdhëruar hetimin, analizën dhe identifikimin e shkaqeve të rënies së importit të kafes gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Vukaj ka urdhëruar një hetim dhe kontroll të imtësishëm të tregut. Nga sa shkruhej në dokument, kërkohet që të ushtrohet kontroll në të gjithë importuesit e kafes në vend.
Gjithashtu, është kërkuar që në bashkëpunim me hetimin Tatimor të identifikohet çdo sasi e importuar nga këto kompani dhe të kërkohet informacion edhe nga doganat e vendeve fqinje.

R.POLISI

Exit mobile version