Bursa e Tiranës, një “showroom” institucional

Ilir Kaduku

Mbështetur në një nga aksiomat e një ndër ekonomistëve më të suksesshëm të Europës postkomuniste, Dr. Balzerovich, ish-ministër i Financave i Polonisë “asimetria midis ekonomisë dhe politikës përbën një nga anët më negative të tranzicionit në vendet postkomuniste”, rezulton një konkluzion personal se sa dëm i ka sjellë ekonomisë sonë një fakt i tillë. Kur niset të projektohet një ide novatore, shpejt politizohet, më vonë atrofizohet, tenton të shuhet, por nuk humbet. Jam i bindur se pavarësisht kush jemi dhe ku jemi, ne shqiptarët shumë shpejt do të kuptojmë dhe do të shfrytëzojmë avantazhet që sjell ekonomia e tregut. Elementi kyç, pikënisje e ekonomisë reale të tregut është dhe bursa. Bursa e Shqipërisë e inauguruar në mars 1996 ishte e projektuar si katalizator dhe rregullator i funksionimit të institucioneve financiare. Ideja e hedhur në momentet e ngritjes së bursës (kam nderin të jem ndër projektuesit), ka qenë që të realizohej krijimi i një burse funksionale, si një pedanë për operimin bashkëkohor të ekonomisë dhe integrimin e saj në ekonominë ndërkombëtare. Bursa do të ishte pikënisja reale e lindjes dhe krijimit të institucioneve të reja financiare në Shqipëri. Si ish-themelues i bursës dhe si qytetar shqiptar kam të drejtë morale të pyes: cilat nga këto objektiva janë realizuar? Kush është fajtor për situatën e krijuar? E për të mos e lënë fajin pa baba, duhet ta gjejmë fajtorin. Ky është shteti. Dhe shteti nuk është subjekt qiellor, por është i prekshëm. Është po ky shtet dhe janë po këto pushtetarë, të cilët kur erdhën në pushtet pas “revolucionit popullor” të ‘97, trumbetuan me anë të shkencëtarëve të fushës së ekonomisë se, “ekonomia shqiptare ka nevojë të domosdoshme për një treg kapitalesh dhe iniciativa për pronësinë e bursës, prandaj nuk mund të lihet tërësisht në dorë të biznesit, por duhet të jetë pjesë e programit ekonomik dhe e lidhur me procesin e privatizimit”. Pas kësaj demagogjie të radhës, këta ithtarë të parimit “proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni” iu vërsulën si çakejtë pronës shtetërore. Ekipi i demagogëve, hajdutëve të paskrupullt, ithtarë të “pronës shoqërore në pronësi të klasës punonjëse”, grisën dhe zhdukën përdorimin e metodës së ofertës publike në procesin e privatizimit. Të gjithë jemi dëshmitarë të suksesit të “gjarpërit historik” të financave shqiptare, Shokut “Shpëtim” Cani. Me këtë Shkëlqim Zylo Canin, financierin e madh, gjigantin e mendimit dhe hajdutërisë ekonomike, nuk kam ndërmend të merrem në këtë artikull. Të gjithë jemi dëshmitarë të privatizimeve strategjike të bujshme në këtë diapazon 26-vjeçar. Nuk dua të zgjatem me koncesionet që po bën aktualisht banda e komunistëve “elektronikë” në pushtet. Është i pamohueshëm fakti se këta banditë të kollarisur jo rrallë herë na janë paraqitur si antishqiptarë, si shërbëtorë të ndyrë të interesave të tyre personale. Le t’i referohemi fakteve sepse ato janë të shumta dhe kokëforta. A janë po këta pushtetarë që shitën për “pesë aspra” telefoninë celulare, që po i grabit në mënyrë sistematike shqiptarët, qytetarët më të varfër të Europës? A janë po këta që privatizuan bankat, naftën, termocentralet, doganat, tatimet dhe tani me ne po tentojnë të koncesionojnë dhe të privatizojnë dhe familjet tona? Qeverisja e këtyre banditëve të kollarisur do ta katandisë qytetarin shqiptar nga qytetari i fundit i Europës në një argat të të huajve në tokën e vet. Mijërat e emigrantëve të përkohshëm do të konvertohen në emigrantë të përhershëm me mungesën e dëshirës për të kthyer kokën nga vendi i tyre. E gjithë kjo ka ardhur si rezultat i strategjisë qeverisëse kriminale aktuale.
Mos të harrojmë se privatizimi i pasurisë kombëtare është pjesa më sensibël e një vendi që aspiron për demokraci. Dhe ne shqiptarët duhet të reflektojmë dhe të mbrojmë të drejtat tona. Mos të vritemi me njëri-tjetrin me arsyen banale “pse më pe apo pse të pashë”, por të ngrihemi e luftojmë për të drejtat themelore të demokracisë, siç është prona. Le të luftojmë me të gjitha mënyrat qoftë dhe demokratike kundër kësaj klike në pushtet. Po marrim një shembull konkret nga eksperienca e vendeve postkomuniste: për një paqartësi në modelin e strategjisë së privatizimit, kryeministri polak Leszek Miller largoi nga kabineti ministrat kundërshtarë të privatizimit z. Wieslaw Kczmarek dhe këshilltarin për problemet ekonomike z. Jacek Piechota. U pyet: Pse? Përgjigjja ishte “ata ishin kundër Polonisë, jo kundër meje”. Natyrshëm më lind pyetja: pse ne shqiptarët gjithmonë të fundit? Pse të tjerët ecin përpara, integrohen, krenohen me vendin e tyre? Përse sa herë që na afrohet e mira tek pragu i derës, historikisht i kemi rënë me shkelm? Përgjigjen mundohem ta gjej tek ideologjia e mbrapshtë që na ka drejtuar. Kur do të vijë ajo ditë që në shpirtin e ideologëve tanë të ketë vetëm një qëllim: Shqipëria. E për këtë qëllim unë do të kisha pranuar me kënaqësi të luftoja me çdo lloj mjeti.
Mjaft shqetësues është mungesa e transparencës nga BSH. Publiku i gjerë përveç sloganeve të njohura nuk ka asnjë alternativë për të mësuar mbi perspektivën e tregut bankar e financiar. Një situatë e tillë vjen plotësisht nga mungesa e transparencës së “politikëbërësve” të ekonomisë shqiptare. Në esencë të pohimeve të raporteve të institucioneve ndërkombëtare del dhe një konkluzion mjaft shqetësues për sistemin bankar e financiar, problemi i mungesës së transparencës. Një situatë e tillë për mendimin tim ndodh kryesisht si pasojë e mosfunksionimit real dhe efikas të bursës. Nëse më lejohet mund t’i kujtoj lexuesit dhe “shokëve qendrorë” të sistemit financiar, ideja e ngritjes së Bursës së Tiranës ka lindur që në vitin 1993. Pranë Bankës së Shqipërisë në periudhën 1993–1998 ka funksionuar realisht Qendra e Trajnimit të Bankierëve të Shqipërisë, ku unë pata fatin të isha drejtues. Ishte kjo qendër, e cila e mbështetur nga Banka Botërore, BERZH-i, FMN, USAID në bashkëpunim me disa institucione tepër të kualifikuara ndërkombëtare arriti që të përgatisë kushtet reale për themelimin e bursës. Kjo është sa për t’i kujtuar “shokëve qendrorë” të BSH & Co se historia e sistemit bankar nuk fillon, por dhe nuk mbaron me ata. Ngritja e bursës nuk ishte një “show politik”, siç u munduan ta paraqesin menjëherë socialistët. Që në fillim u caktua objektivi për sigurimin dhe vënien në funksionim të tregut primar e sekondar të letrave me vlerë dhe instrumenteve të tjerë financiarë të tregut të parasë dhe kapitalit, të emetuara nga qeveria, shoqëritë tregtare vendase dhe të huaja me objeksionin e krijimeve të kapitaleve. Po në këtë kuadër u kristalizuan dhe rrugët për krijimin e alternativave të investimeve në mbështetje të fondeve të investitorëve privatë dhe shtetërorë. Parimisht dhe socialistët kanë paraqitur po këto objektiva në programin e tyre, por çfarë kanë bërë në realitet gjatë këtyre viteve të “sundimit” të tyre? Vetë statusi politik i tyre i mbështetur në sloganin “proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni”, nuk mund të ketë bashkëjetesë me konceptin e shpërndarjes së pasurisë shtetërore me anë të tregut të kapitaleve. Kjo shpjegon dhe faktin se për periudhën shumëvjeçare të “invazionit” të tyre, koncepti i tregut të kapitaleve është degraduar në një harresë të plotë. Në fakt bursa si institucion ekziston fizikisht, por për fatin e keq të shqiptarëve është shndërruar në një institucion bamirësie, në një bunker ku “strehohen” gratë, mbesat e VIP–ave të korrupsionit të vendit më të varfër në Europë. Më shtyn kurioziteti të mësoj diçka për bursën e Tiranës. Me statusin e njeriut të “padëshiruar” nuk munda të marr informacion direkt. Hap internetin dhe shoh një faqe interneti me 12 rreshta (po aq sa ka dhe djali im që drejton një gazetë studentësh), në të cilën shpalosen “objektivat revolucionare” të bursës dhe flitet teorikisht në ca rreshta për tregun e kapitaleve. Natyrshëm lindin pyetjet: ku është pozicionuar tregu i kapitaleve dhe kush e disponon aktualisht? Sa është vlera reale e tregut të kapitaleve? A ekziston ndonjë regjistër për individët që marrin pjesë në tregun e kapitaleve? Çfarë bazë rregullative dhe ligjore aplikohet në licencimin e anëtarëve të bursës? Si realizohet mbikëqyrja dhe kontrolli i tregut primar të bonove të thesarit? Cili është destinacioni i tyre? Nga demagogjia sunduese aktuale, mësojmë se një legjislacion i tillë ekziston. Moszbatimi i këtij legjislacioni aktualisht fuqizon mundësinë e pastrimit të parave dhe të rritjes së tendencave për injorimin e transparencës së të dhënave kontabël? “Ideologu” i sistemit bankar, Shoku Shkëlqim Zylo Cani dhe pasardhësit e tij mund ta gjejnë këtu afër në Bursën e Sllovenisë, Kroacisë, RASDAG në Rumani, Bursën e Beogradit e në rastin më të keq në Bursën e Maqedonisë. Pastaj mund të dalin dhe të përgënjeshtrojnë Departamentin e Shtetit amerikan për mundësinë e pastrimit të parave nga Banka Qendrore nëpërmjet bonove të thesarit. Le të jenë transparentë dhe të thonë se sa herë është kërkuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bursës së Tiranës instalimi i një operacioni të tillë pranë bankave të nivelit të dytë ose bursës. Cilat kanë qenë arsyet e mospranimit të një kërkese të tillë nga guvernatorët dhe Këshilli Mbikëqyrës i BSH? A nuk e dinin se emetimi i bonove të thesarit nëpërmjet BSH nuk përbën një aktivitet origjinal dhe ekskluziv të BSH? Apo nuk ishin të qartë për perspektivën e tregut financiar? Pse u desh sinjali nga Departamenti i Shtetit amerikan dhe alarmi i opozitës që “shokët qendrorë” të BSH dhe qeverisë të fillojnë të axhustojnë ligje për të mbuluar “hyneret” e tyre. Jam i sigurtë që “bëma” të tilla kemi dëgjuar dhe do të dëgjojmë shumë në të ardhmen e afërt dhe të largët.

4. Bursa e Tiranës, një “showroom” institucional
Shqetësimi im si qytetar dhe si themelues i bursës qendron në faktin se deri ku do të jetë limiti i talljes së shtetit shqiptar me qytetarët e tij. Nisur nga këto mendoj të bëjmë një analizë të gjendjes dhe të mundohemi të japim alternativa për zgjidhje: Një nga arsyet themelore të gjendjes në të cilat ndodhet ekonomia është informaliteti i biznesit që aktualisht ka përmasa të frikshme. Mendoj se informaliteti nuk është vetëm një shqetësim për të siguruar të ardhura buxhetore, por dhe një problem i madh për funksionimin e tregut të kapitaleve. Mosfunksionimi i këtij tregu dhe bursës është pasojë e zhvillimit ekonomik të vendit, por mbi të gjitha e nivelit të lartë të informalitetit. Në sens ka një keqinterpretim me dashje të konceptit “treg kapitalesh”. Duke dashur t’i largohem trajtimit akademik, thjesht mund ta trajtojmë si një mënyrë të shpërndarjes dhe rishpërndarjes së kapitalit (lexo pasuri) shtetërore. Të majtët shqiptarë, të cilët nga pikëpamja e pasurisë personale (lexo hajdutërisë personale) aktualisht janë dhe më të djathtë se të djathtët francezë, e dinë mirë se në këtë mënyrë është operuar me mjaft sukses në Çeki, Poloni etj. Siç është mësuar të veprojë propaganda e ashtuquajtur socialiste, çdo operacion ekonomik i realizuar nga qeverisja demokratike është i gabuar. Bazuar në raportet e FMN–së, Bankës Botërore dhe nga literatura ekonomike bashkëkohore rezulton se sistemi i letrave me vlerë i përdorur në Shqipëri është konsideruar si më efikasi nga pikëpamja e kohëpërdorimit, opsioneve të shumta të përdorimit (sistem universal), mjaft komplekse përsa i përket thjeshtësisë dhe prakticitetit të kodifikimit dhe liberale në raport me individin. Për mosfunksionimin efikas të tregut të kapitaleve, ndaj opinionin që demokratët duhet ta kërkojnë të keqen tek vetja. Elemente të korruptuar me një të kaluar të “zymtë korruptive komuniste” vazhduan të drejtonin në pika kyçe në institucione tepër të rëndësishme gjatë periudhës së qeverisjes demokratike. Të mbështetur nga kasta e vjetër komuniste dhe nga elementë korruptivë të infiltruar brenda qeverisjes demokratike arritën të penetronin dhe të ishin konsulentët, regjisorët dhe aktorët e gjithë skemës së keqfunksionimit të bursës. Sot janë shpërblyer dhe janë grumbulluar përsëri tek “sofra e vjetër” (referohu BSH & Co). Pavarësisht demagogjisë që kanë përdorur “kokat” e BSH, mjaft i paqartë ka qenë dhe është për publikun pozicioni i Bankës Qendrore. Këtu nuk e kam fjalën për “bëmat” e Shokut Shpëtim Zylo Cani, ish-të qeverisë së rinovuar të Shokut Adil Çarçani, aktualisht në stazh partie pranë organizatës bazë në Fakultetin Ekonomik. Besoj se publiku nuk e ka harruar faktin se kryefinancieri Cani nuk dinte se ka pasur thesar të shtetit në Kërrabë. As për vjedhjet në daljen e kartëmonedhës së re (faturën e pagoi zv/guvernatori Dhame Pica). Do të kemi rast të diskutojmë në të ardhmen për mënyrën si është menaxhuar sistemi bankar në periudhën ‘97–‘05. Mendoj se Banka Qendrore në të ardhmen duhet të heqë dorë nga ekskluziviteti i emetimit të bonove të thesarit dhe ta kalojë në funksion të bankave të nivelit të dytë. Arsyeja se përse nuk është bërë deri tani një lëvizje e tillë që detyrimisht do të rezultonte në reformim të tregut është një problem, i cili meriton të analizohet. Por nëse ndërmerret një hap i tillë duhet paraprakisht një punë parapërgatitore. Kjo periudhë kryesisht mbështetet në ndryshimin e bazës legjislative dhe të adoptimeve të kornizave juridike. Duhet bërë transferimi i bazës së të dhënave “regjistrit të individëve” me destinacion bankat e nivelit të dytë. Për hartimin, mbajtjen, organizimin, administrimin dhe ruajtjen e regjistrit të individëve duhet bërë pasqyrimi i çdo të dhëne mbi individët dhe përfaqësuesit e tij. Në këtë regjistër duhet të përfshihen dhe personat e refuzuar. Në fund duhet të bëhet kontrolli dhe mbikëqyrja e çdo faze të ciklit. Rruga graduale e kalimit të emetimit të bonove të thesarit nga BSH drejt bankave të nivelit të dytë është optimizimi i limitit dhe përllogaritja e komisionit të transfertës kur gjykohet e arsyeshme. Po kështu përcaktohet limiti kohor, si dhe ngarkesat juridike dhe institucionale të individit. Ky cikël mendoj se përbën një strategji të përafërt të këtij kalimi gradual në nivel shërbimi nga BSH drejt bankave të nivelit të dytë. Ky cikël duhet të shërbejë dhe si strategji e bashkëpunimit në nivel dikasterial Ministri e Financave–BSH. Mesa duket “shokët qendrorë” nuk kanë kohë të merren me këtë problem gjatë viteve të “invazionit” të tyre. Nëse nuk ndërmerren hapa të tillë institucionalë, juridikë dhe rregullatorë do të ndodhemi para një gjendjeje kaotike në tregun e bonove të thesarit. Do të ndodhemi në kuadrin e konfliktit midis depozitave dhe bonove të thesarit (konflikt = konkurrencë). Normalisht këtu kemi përplasje të interesave të bankave për të thithur depozita nga publiku me interesin e individëve për të arritur fitim maksimal nga paratë e tyre me destinacion investimin në bono thesari. Aktualisht bankat e nivelit të dytë kanë objektiv parësor shtimin e depozitave. Në kushtet e mungesës së asaj periudhe përgatitore të përmendur më sipër (një situatë e tillë ekziston në BSH dhe në bankat e nivelit të dytë), ajo pjesë e kursimeve me destinacion depozita do të alternohet për bono thesari. Në këtë moment bankat e nivelit të dytë humbasin interesin për të hyrë në këtë mekanizëm financiar të tregut bankar. E thënë në mënyrë popullore është njësoj si të lindësh një fëmijë për 5 muaj. Dihet rezultati i këtyre lloj eksperimenteve. Jemi dëshmitarë se sa ka paguar ekonomia shqiptare nga “eksperimentet e importuara”. Thjesht kujto piramidat

5. Ide për krijimin e një burse funksionale
Hedh përsëri sytë nga faqja qesharake e internetit të Bursës së Tiranës. Me stilin e “Zërit të Popullit” trumbetohet si një “fitore mbi fitoret” listimi i kompanisë së parë shqiptare në bursën e Tiranës. I këshilloj “shokët qendrorë” që të heqin dorë nga tullumbace të tilla. Duhet të bëhen të ndërgjegjshëm dhe të arrijnë të kuptojnë se nuk bëhet fjalë për hapjen e një kazinoje, por për bursën, elementin kyç të ekonomisë së tregut, pikënisjen e ndërhyrjes së rregullatorit kapital në jetën ekonomike të vendit. Duhet kuptuar sinqerisht se nuk mund të ketë firma të listuara në bursë kur nuk deklarohen më parë bilancet kontabël dhe të ardhurat reale dhe si rezultat nuk mund të ketë vlerë aksioni. Për të kuptuar se ku jemi po i referohem vetëm një fakti: Bursa e Maqedonisë është themeluar më 26 mars 1996 (në një kohë me Bursën e Tiranës). Në vitin 2000 kishte 14 kompani të listuara, ndërsa aktualisht ka 96. Nuk është objekt i diskutimit tim vlerësimi ekonomik, social e politik i Maqedonisë, por besoj se çdokush është i përgjegjshëm dhe sensibël kur i kupton diferencat. E thënë shqip, ata akoma po luftojnë për identitetin e emrit të shtetit të tyre, por në të njëjtën kohë kanë arritur të ndërtojnë institucione. Para se të jesh shkencëtar, politikan, qytetar është e udhës të jesh më parë patriot. Jemi të ndërgjegjshëm se nuk duhet mendojmë utopira për të arritur NASDAQ, Bursën e Londrës, Frankfurtit apo të New York-ut, por të paktën të jemi të një niveli me fqinjët dhe të pranueshëm në tregun financiar ndërkombëtar. Është për të ardhur keq që mundin dhe djersën e mijëra emigrantëve tanë ta kthejnë në përfitime kolosale bursat e huaja. Firma apo individë shqiptarë janë klientë të bursave të huaja duke blerë aksione në këto bursa si një formë për të investuar kursimet e tyre. Jemi dëshmitarë se mjaft biznesmenë të suksesshëm shqiptarë janë partnerë të firmave të mirënjohura, të cilat janë të listuara në bursat e huaja. Konstatohet me mjaft dëshpërim se vetë shteti nuk është i interesuar që biznesi të jetë transparent. Është evident fakti se bursa është vendi ku vetëm bizneset transparente do të bënin të mundur funksionimin e një tregu eficent dhe të optimizuar për tregun e kapitaleve dhe instrumentet variabël financiarë vendas dhe të huaj, duke bërë të mundur integrimin në platformën e përbashkët europiane të tregtimit për titujt dhe instrumentet financiare. Po në këtë kuadër realizohet mundësia e biznesit, që të sigurojë kapitale pa qenë nevoja të marrin borxh nëpër banka dhe mbi të gjitha të bëjnë të njohura bizneset e tyre përpara publikut. Investimi në tregun e kapitaleve, aktualisht rezulton mjaft efikas  edhe për qytetarët, të cilët në vend që t’i drejtohen normave të ulëta të depozitave bankare mund t’i drejtohen për fitime tregut të kapitaleve. Publiku ka interesin që të ketë relacione optimale me bursën. Vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet një bursë reale e prekshme për publikun investitor, i cili tenton të gjejë vlerën reale të investimeve “formale”. Vetëm një bursë reale mund të sigurojë ato biznese që do të zgjedhin opsionin teorikisht të pakonsumuar të emetimit të aksioneve dhe të letrave të tjera me vlerë me qëllimin e absorbimit të fondeve në kuadrin e perspektivës së zhvillimit të aktivitetit të tyre. Nga një sondazh i bërë rezulton se rreth 70 mijë biznese të licencuara nuk kanë marrë mundimin të zgjedhin rrugët e favorshme që ofron bursa ngaqë pjesa më e madhe e tyre u shmangen tatimeve dhe taksave. Personalisht mendoj se informaliteti, i cili po e mbyt ekonominë shqiptare është shkaku kryesor i moskuotimit real në bursë i biznesit shqiptar. Puna me dy bilance dhe mungesa e transparencës në deklarimin real të xhiros dhe të ardhurave është ajo çfarë nuk i bën të besueshme aksionet në bursë. Aktualisht Bursa e Tiranës e ka fituar statusin e të qenurit “i pavarur”. Në mënyrë urgjente duhet ndërhyrë në kthimin e saj nga një “showroom” institucional, në një bursë funksionale. Është koha që të hiqet dorë nga metodat skolastike të orientimit me seminare, konferenca, demagogji dhe vizita të pafundme jashtë shtetit. Duhet punuar konkretisht për të imponuar tek “zotërinjtë politikëbërës” për privatizimet strategjike (nëse ka mbetur ndonjë thërrime e ekonomisë për t’u privatizuar). Është evident se privatizimet strategjike janë pjesë arteriale e ekonomisë së tregut. Me këtë nënkuptojmë se po të vihen në lëvizje mekanizmat ligjore të shtetit në kuadrin e privatizimeve strategjike, vlera e tyre potencialisht rritet. Në këtë aspekt aktivizimi i bursës në procesin e privatizimeve strategjike nuk përbën një “show elektoral”, por një mundësi reale për gjithpërfshirjen e qytetarëve shqiptarë në këtë lloj investimi. Normalisht pas emetimit të parë (pjesëmarrjes në privatizim me letra me vlerë) vazhdon cikli i dytë: ai i rivlerësimit në mënyrë të organizuar e të koncentruar pranë bursës. Duhet të jemi modestë në konceptimin e këtij rrethi vicioz. S’bëhet fjalë për shpikje, as eksperimente, por për të zbatuar eksperiencën e vendeve analoge për nga zhvillimi historik, social, ekonomik dhe politik. Nuk mund të integrohesh në BE me slogane demagogjike, si: “pa integrim financiar s’mund të ketë integrim”, por me institucione. Nëse i referohemi direktivave të fundit të BE mbi sistemin bankar do të shohim se sa larg jemi dhe ku pretendojmë të shkojmë. Mbeten objektiva imediate të bursës dhe stafit të saj optimizimi i raporteve: sistem bankar–bursë, biznes–bursë, individ–bursë, etj. Nga kuadri skolastik dhe demagogjik i seminareve dhe konferencave formale, duhet kaluar tek puna studimore mbi strategjinë e zhvillimit të tregut të kapitaleve e konceptuar në unison me privatimet strategjike. Një gjë e tillë mund të realizohet me afrimin e investitorëve në bursë duke aplikuar metodat koherente të listimit dhe kuotimit, anëtarësim konkret dhe me objektiva të qarta në organizma ndërkombëtare analoge, njohja në mënyrë periodike me ecurinë ekonomike–financiare të investitorëve të sferave të ndryshme të interesit. Vetëm në këtë mënyrë mund të realizohen objektivat bashkëkohore të këtij institucioni kyç për ekonominë e tregut që aspirojmë.
Tashmë ka ardhur momenti të kuptojmë se nëse aktualisht po përgjërohemi që të integrohemi tek bashkësia europiane, nuk mund të shkojmë me demagogji, por me institucione, me konceptet dhe ligjet e oborrit të familjes së madhe europiane. Përndryshe nuk do të na e hapin as derën e atij oborri, pa le për t’u futur brenda në shtëpi as që bëhet fjalë.

Exit mobile version