Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e quan ‘lajm të hidhur” vendimin e Parlamentit holandez që i kërkon qeverisë nisjen e procedurave në nivel europian për pezullimin e regjimit pa viza me Shqipërinë.
Në një analizë të publikuar me titull “Jo panikut, jo neglizhencës” Bushati ngre dhe pyetjen: Çfarë ndryshoi në pak muaj nga publikimi i raportit të Komisionit Europian vitin e kaluar?
“Mekanizmi i përcaktuar, në rast se aktivizohet nga Hollanda, është i qartë. Komisioni Europian do t’i përgjigjet kërkesës (së supozuar deri tani) të Hollandës mbi kriteret e përmbushura nga ana e Shqipërisë dhe çdo vendimmarrje kërkon një shumicë të caktuar votash në Këshill, ku pesha e votave të vendeve anëtare është e ndryshme.
Vitin e kaluar, raporti i Komisionit Europian për këtë çështje vlerësonte se Shqipëria i përmbushte kriteret. Vlen të theksohet gjithashtu se asnjë prej vendeve anëtare të BE, përfshirë Hollandën, nuk kundërshtoi gjetjet e Komisionit. Në të tilla rrethana me të drejtë lind pyetja çfarë ndryshoi në pak muaj nga publikimi i raportit të Komisionit Europian vitin e kaluar?
Pse një lëvizje e tillë tani kur Shqipëria pret zyrtarizimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, bazuar në kalendarin e miratuar në qershorin e 2018 nga vendet anëtare të BE-së dhe procesin analitik screening?
Ndër të tjera Bushati shkruan se nuk ka vend për neglizhencë e aq më keq për stigmatizim. “Përkundrazi duhet të sigurojmë integritetin e debatit publik në lidhje me këtë çështje. Jemi në të drejtën tonë të përbuzim çdo steriotip negativ që tenton të na vizatojë si njerëz e shoqëri që prodhojmë veç krim dhe emigracion të paligjshëm.
Por do të ishte gabim fatal që ta vizatonim Hollandën, anëtare themeluese e kontribuese kyçe në BE, mbështetëse e aspiratës europiane të Shqipërisë, si një vend racist ndaj nesh apo si një vend ku gëlon krimi e prostitucioni.
Do të ishte mendjelehtësi gjithashtu të injoronim mesazhin që vjen prej kësaj nisme të Parlamentit hollandez, edhe pse e padrejtë dhe në mungesë të kritereve të përcaktuara nga vetë BE-ja”.