Nga Helidon BUSHATI
Teksa Edi Rama premton se do të lëshojë në hapësirë dy satelitë, korrupsioni në vend vijon të bëjë kërdinë.
Qytetarët e dinë dhe e jetojnë vetë çdo ditë, PD denoncon në vijimësi aferat me tenderat, si ato të Unazës së Tiranës, apo Tunelit të Llogarasë.
Po së fundmi, është publikuar raporti i Word Justice Project.
Shqipëria renditet e fundit në Europë, në Indeksin e Sundimit të Ligjit, për vitin 2020-2021, sipas “WJP”, një institut kërkimor ndërkombëtar me qendër në SHBA. Në krahasim me renditjen e 2018-2019, kur ishte në vendin e 71, jemi përkeqësuar me 12 shkalle.
Shqipëria ka pozicionimin më të keq në Europë dhe rajon, duke ia kaluar dhe Serbisë, që deri tani renditej e fundit. Shqipëria ka bërë një përkeqësim të dukshëm edhe në treguesin e kufizimit në fuqinë e qeverisë, ku renditet e 109-ta, krah shteteve si Afganistani, Mozambiku, Uganda, Kazakistani.
Ky indeks mat shkallën në të cilën ata që qeverisin janë të kufizuar nga ligji. Mat sa i pavarur është gjyqësori, sa funksionojnë agjencitë audituese dhe sa pavarësi kanë ato në kontrolle ndaj qeverisë; nëse zyrtarët hetohen dhe dënohen për shkelje; nëse mediat janë të pavarura; nëse zyrtarët zgjidhen sipas rregullave e procedurave të parashikuara nga kushtetuta.
Pikërisht, që njerëzit të harrojnë krizën, varfërinë dhe mbi të gjitha korrupsionin e qeverisë, bosi i rilindjes tregon përralla me satelitë e me orbitë.