Dosja e Artur Bushit në Itali nën akuzën e plagosjes së dy personave është ende e hapur. Ai i shpëtoi drejtësisë italiane duke ndryshuar identitetin e tij. Artur Bushi akuzohej për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në zonën e Napolit. Bushi ka bërë një atentat, duke plagosur dy persona, të cilët ishin duke udhëtuar me automjetin e tyre për shkak të konflikteve të vjetra që kishin mes tyre. Dy personat në gjendje të rëndë nga atentati kanë mundur të mbijetojnë plagëve edhe për shkak të fatit, pasi aty pranë është ndodhur një autoambulancë.
Kjo çështje ka nisur të hetohet në Napoli gjatë kohës që Bushi ishte atje me emrin e tij të vërtetë. Kur ai ka shkuar që të rinovojë dokumentat në Kuesturë, policët i kanë thënë se ai për t’iu përgjigjur disi dyshimeve që policia kishte në lidhje me të. Në mënyrë të shpejtë, Bushi është larguar nga Kuestura, duke u nisur menjëherë për në Shqipëri. Veprimi i parë që ka bërë kur ka mbërritur këtu ka qenë ndryshimi i emrit. Ai është pajisur me një pasaportë tjetër me emrin Kastriot C. Me këtë identitet, ai ka shkuar sërish në Itali. Bushi ekziston me identitetin e tij në Caserta, ndërsa në Napoli ai njihet me gjeneralitete Kastriot C. Majde me këtë emër, ai ka bërë në gjendjen civile të zonës edhe veprime të tjera familjare, lehtësisht të evidentueshme nga Prokuroria, e cila do të hetojë të dhënat e të gjithë kontigjentit kriminal të Ramës në Parlament, Bashki dhe administratë.
Në formularin e dekriminalizimit ka një pyetje, e cila kërkon nëse personi që e plotëson atë ka pasur gjeneralitete të tjera në të shkuarën? Rama e pranoi se ka pasur një të tillë kur tha se e ka pasur emrin Edvin dhe e ka ndryshuar në Edi. Kryebashkiaku i Kurbinit thotë se ka pasur 4 emra, ndërsa dyshohet se ka fshehur edhe dy emra të tjerë. Në këtë pikë Bushi ka bërë një gabim, i cili e penalizon atë dhe e çon direkt për ndjekje penale dhe deri në burg, pasi ai ka fshehur gjeneralitetin me emrin e dytë që ka mbajtur një periudhë të shkurtër kohore në Itali. Ai ka mbajtur atje edhe emrin Kastriot C. Ky identitet i është vjedhur një qytetari i cili jeton sot në Shqipëri. Pyetja që lind sot është se a do të hetohet në Itali Artur Bushi për dy plagosjet, tashmë që identiteti i tij i vërtetë u zbulua?
Bushi ka fshehur në formularin e dekriminalizimit
Në formularin e dekriminalizimit Bushi thotë se është arrestuar dy herë në Itali, një herë për arsye që atij nuk i kujtohen dhe një herë tjetër për trafikim të lëndëve narkotike. E vërteta është disi ndryshe. Në arrestimin e parë, të cilin ai e pranon në formular dhe që ka ndodhur në vitin 1996 në Caserta të Italisë, arsyeja e mbajtjes së tij në qeli ka qenë për trafik prostitucioni. Ai ka mundur që të dalë sërish nga burgu në një mënyrë të dyshimtë dhe pas një pakti të pistë me autorë të kësaj historie. Gjithsesi ky hetim dhe ky arrestim nuk e nxjerr atë të pastër edhe nga kjo vepër penale, pavarësisht se ai nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.
Prokuroria të zbardhë rastet e inkriminimit
Partia Demokratike i bëri thirrje dje Prokurorisë së Përgjithshme të nisë menjëherë hetimin për fshehjen e të dhënave nga kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. Përmes një deklarate për mediat, Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji tha: “Qytetarët e Krujës kërkojnë largimin e mënjehershëm të kryetarit të Bashkisë, Artur Bushi, jo vetëm për të shkuarën kriminale, por dhe për fshehjen e të dhënave. Me gjithë shqipen problematike shumë larg asaj që duhet të ketë një zyrtar, një kryetar Bashkie, Bushi ka reguar dje pas kërkesës së qytetarëve të Krujës që ai të largohet, por sërish duke mohuar, duke fshehur të dhënat e të kaluarës së tij. Pyetjet për Bushin e Edi Ramës, ishin dhe janë të thjeshta: A e keni përdorur emrin Kastriot Cakoni? A jeni dënuar, hetuar dhe arrestuar në Itali për trafik prostitucioni, trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike me këtë identitet, me emrin Kastriot Cakoni? Kryetari i Ramës në Bashkinë Krujë i shmanget pyetjes, por kjo është fshehje e të dhënave, është vepër penale që çon në mbarimin e mandatit të tij dhe në ndjekje të mëtejshme. Ndaj i bëjmë thirrje Prokruroisë të nisë menjëherë punën për verifikimin e këtij rasti dhe rasteve të tjera, si Roshi i Kavajës apo Bardhi i Kurbinit, të mosdeklarimit, ose deklarimit të rremë. Dekriminalizimi duhet dhe do të funksionojë. Askush nuk do të mund ta pengojë atë. Zyrat do të çlirohen nga krimi, dhe pushteti do u kthehet qytetarëve”.
Qytetarët protestojnë tek Bashkia e Krujës kërkojnë largimin e Bushit
Pas publikimit të formularit të vetëdeklarimit për dekrimanilizimin, në Krujë kërkohet largimi i menjëhershëm i kryetarit të Bashkisë, Artur Bushi. Megjithëse ka deklaruar vetëm një pjesë të së shkuarës kriminale, edhe ajo është e mjaftueshme që bashkia e Krujës të pastrohet nga krimi e t’i kthehet qytetarëve. Ndërkohë, Sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji i shoqëruar nga qytetarë të Krujës dhe Fushë-Krujës, kanë kërkuar të djelën hetim të plotë për atë çfarë Bushi ka fshehur nga e shkuara e tij. Ata protestuan të djelën para Bashkisë së Krujës kundër damkës së krimit që Rama ka vendosur aty në pushtet.
Duke e rrethuar bashkinë me shirita “skenë krimi” Salianji i drejtoi disa pyetje publike kryebashkiakut dhe kryeministrit Rama: A ka përdorur kryebashkiaku emrin Kastriot Cakoni që nuk e ka deklaruar? A është dënuar në Itali për prostitucion, trafik dhe shpërndarje narkotikësh? Sekretari i PD u shpreh më tej se çlirimi i institucioneve nga krimi është emergjencë kombëtare dhe se të dhënat e fshehura në formularët e vetëdeklarimit do të ndiqen me prioritet nga Partia Demokratike dhe Prokuroria.
“Jemi sot para Bashkisë së Krujës, një prej institucioneve që Rama i ka vendosur damkën e turpit duke emëruar një prej personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, një njeri me precedent të rëndë penal siç është Artur Bushi. Në formularin e vetëdeklarimit ka deklaruar vetëm një pjesë të veprave penale si akuzat për prostitucion, akuzat për trafik droge që ka nga drejtësia italiane. Jemi sot këtu për të treguar që çlirimi i institucioneve nga krimi është një emergjencë kombëtare dhe flirtimi dhe mbarsja e Ramës me persona kriminalë i ka ardhur fundi me ligjin e dekriminalizimit. Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që të hetojë rastin e Artur Bushit dhe bëjmë edhe disa pyetje; A e keni pasur emrin Kastriot Cakoni? A jeni dënuar, hetuar dhe arrestuar në Itali për trafik prostitucioni, trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike me emrin Kastriot Cakoni? I presim përgjigjet dhe presim hetimin e plotë e të gjithanshëm të Prokurorisë, për t’i dhënë fund mandatit të krimit e pushtetin ta marrin njëherë e mirë qytetarët e këtij vendi”, tha Salianji.