Buxheti 2024/ Haxhimali: Bashkitë të mbështeten me më shumë mjete financiare. Rrapaj: Bujqësia? Disa probleme s’janë marrë parasysh

Eksperti për çështjet e pushtetit vendor, Agron Haxhimali, duke komentuar buxhetin 2024, e cilësoi rritjen e fondeve për pushtetin vendor si pozitive por shtoi se nuk përmbushen mirë nevojat reale. I ftuar në “Sheshi i Dollarit” me gazetaren Genta Dobra, ai tha se bashkitë duhet të financohen me më mjete financiare.

“Kjo shumë që kanë marrë, edhe me këtë rritje që është për t’u përshëndetur, edhe me të ardhurat e veta, mendoj që për disa arsye, nevojat reale që ka sot pushteti vendor, kam përshtypjen se nuk i përmbush mirë ky buxhet. Vetëm një përqind e GDP shkojnë nga transferta e pakushtëzuar. Pas reformës territoriale, kemi thënë disa herë se shoqatat kanë kërkuar dhe çdo raport i FMN, Bankës Botërore apo i Komisionit Evropian ka ngritur shqetësimin që parimi i mjaftueshmërisë me mjete financiare në raport me funksionet që kanë këto institucione është jo në marrëdhënie shumë të drejtë. Sot vërtetë kemi këtë rritje por nëse bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, sot bashkitë e Shqipërisë janë akoma më të nën financuara krahasuar me vendet e tjera.

I gjithë ky buxhet 71 miliardë lekë, bëjmë llogarinë se sa shkon për një qytetar. Kemi 2.8 milionë qytetarë. Shkon diku 250 euro për një qytetar brenda një viti. Nëse bëjmë një krahasim me vendet e rajonit, dhe të Evropës Juglindore, Shqipëria është sërish e fundit. Qeveria duhet të jetë më racionale dhe më e drejtë për ndarjen e të ardhurave. Duhet t’i shikojë bashkitë jo thjesht si institucione që të konsumojnë këto para, të bëjnë çfarë të bëjnë. Duhet t’i mbështetim me më shumë mjete financiare, që të prodhojnë një ekonomi lokale të tyre, të jenë më të qëndrueshme dhe më të pavarura nga qeveria qendrore. Bëj apel nga studioja meqenëse është buxheti, mendoj që deri në 3 për qind më shumë të GDP-së ta rrisë për këto bashki sepse vetëm kështu do të jenë në gjendje të performojnë më mirë, të japin një sasi shërbimesh që në sektorë të ndryshëm do të krijojë komoditetin normal për qytetarët dhe kjo kryesisht për zonat rurale, ku edhe problemet janë më të mëdha.”, u shpreh Haxhimali.

Ndërkohë, Agron Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit theksoi se për bujqësinë nuk është alokuar fondi i duhur. Ai thotë se ka një ulje të buxhetit nga viti i kaluar me 18 milionë euro ndërkohë që do të duhen edhe 90 milionë të tjerë për sektorët e bujqësisë.

“Buxheti është pothuajse copy paste i vitit të kaluar por nuk janë marrë parasysh disa probleme që kanë lindur kohët e fundit. Jemi në një moment që kemi të ngrira dhe në pritshmëri fondet e IPARD. Ne kemi gjithashtu një ulje të buxhetit me gati 18 milionë euro nga viti i kaluar dhe duhet marrë parasysh për arsye se minimumi i domosdoshëm në sektorët e bujqësisë kërkon edhe 90 milionë euro të tjera përveç këtij buxheti që kemi tashmë në projekt.“, theksoi Rrapaj./abcnews.al

Exit mobile version