Buxheti 2025/ Rama fryn administratën në prag të zgjedhjeve, ja miliardat që do të shkojnë për pagat

Buxheti i vitit 2025 duket se do të jetë në shërbim të ambicieve të mazhorancës për të siguruar një tjetër mandat qeverisës. Sot ka shkuar në Kuvend draftbuxheti dhe bie në sy se ka një rritje të numrit të punonjësve në administratë.

Në buxhetin e vitit aktual, ka pasur 85,206 punonjës. Por në vitin që vjen parashikohen të futen në administratë mbi një mijë njerëz. Sipas draftit parashikohet që të ketë në total punonjës: 86,314. Pra kemi afro 1100 vende të lira.

Dyshimet janë se kjo bëhet për shkak të zgjedhjeve, ku patronazhistët dhe militantët e PS do joshen duke punuar në administratë. Vihet re se do të ketë një rritje të ndjeshme të punonjësve në Ministrinë e Brendshme. Ky numër ndryshon nga 15,257 në 15,769.

Sipas relacionit, totali i shpenzimeve publike për vitin 2025 është planifikuar 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e PBB-së.

Shpenzimet e personelit për vitin 2025, reflektojnë koston aktuale të administratës publike, si dhe koston e plotë të politikës së rritjes së pagave (+40 miliardë lekë) të nisur në prill të vitit 2023 dhe të finalizuar në korrik të vitit 2024. Shpenzimet totale për pagat në administratën publike në nivel qendror për 86,038 punonjës planifikohen në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB-së”, theksohet aty.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 68.5 miliardë lekë ose 2.6% të PBB-së, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.8 miliardë lekë për të mitiguar risqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2025 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 71.3 miliardë lekë ose rreth 2.7% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajta e sistemeve të teknologjisë së informacionit, programet e nxitjes së punësimit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin dhe sportin.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2025, janë parashikuar në masën 89.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13.2% më shumë se buxheti i vitit 2024. Këto shpenzime për vitin 2025, zënë 3.43% të PBB-së nga 2.9 që zinin në vitin 2024 ose nga 2.3% në vitin 2015. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2025, krahasuar me vitin 2024 është 1.8 miliardë lekë më shumë ose rreth 7.6% më e lartë, dhe krahasuar me vitin 2015 (viti para zbatimit të reformës administrativo-territoriale), është 13.9 miliardë lekë më shumë ose mbi dy herë më e lartë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2025, 26.2 miliard lekë, do të shtohen edhe fondet prej 13.2 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, 200 milione lekë grant performance i cili përdoret për herë të parë si mekanizëm financiar në qeverisjen vendore si dhe 3.5 miliard lekë transfertë sektoriale për rritjen e pagave.

Në total, në vitin 2025, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 43.1 miliardë lekë nga 36.5 miliardë në 2024 me një rritje prej 6.6 miliardë lekësh ose me një rritje prej 18%.

Exit mobile version