Nga Myqerem TAFAJ
Situata e rëndë me përmasat gati një katastrofe natyrore, që po përjeton vendi ynë nga tërmeti i 26 nëntorit, ka nxitur edhe një diskutim për financimin e institucioneve kërkimore, sidomos në fushën e gjeoshkencave, e cila studion edhe tërmetet.
Nga këndvështrimi shkencor, kërkimi shkencor mbi tërmetet përbën një fushë ndërdisiplinore, ku ndërveprojnë një sëtrë nënfushash të ndryshme të shkencës. Prandaj sot sizmologjia konsiderohe si një fushë e ngushtë, pjesë e fushës së gjërë të gjeoshkencave. Për këtë shkak, institutet apo qendrat kërkimore që zhvillojnë kërkime mbi tërmetet, emërtohen kryesisht Institute apo qendra të Gjeoshkencave.
P.sh. një ndër qendrat më të fuqishme të Europës edhe në fushën e tërmeteve është Qendra Federale Gjermane e Kërkimeve në Gjeoshkenca në Potsdam – Qendra Helmholtz. (The Helmholtz Centre Potsdam – German Research Centre for Geosciences – GFZ). Kjo qendër është sot, jo vetëm qendra që kryhen kërkimet shkencore me nivel më të lartë, por ajo afron edhe shkollimin doktoral më të mirë në Europë. Kjo qendër e njoftoi tërmetin e 26 nëntorit vetëm 5 minuta më vonë, me të gjitha të dhënat.
Vendi ynë ka burime njërëzore të konsiderueshem për të kryer studime dhe kërkime për tërmetet. Vetëm Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT), një universitet kryesor publik, ka në përbërjen e tij 5 fakultete që kanë kërkues të kualifikuar, të cilët mund të bëjnë studime dhe kërkime në fusha të lidhura ngushtë me tërmetet. Ato janë:
- IGJEUM (Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujrave dhe Mjedisit), i cili ka mision kërkimin shkencor dhe shërbime në fushën e sizmologjisë, gjeoshkencave, hidrometerologjisë, energjisë dhe mjedisit. IGJEUM është edhe Qendra Kombëtare e Monitorimit të Tërmeteve. Ky institut ka status ligjor të njëjtë me një fakultet dhe është pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT). Publiku shqiptar e njeh tani shumë mirë këtë institut, sepse është i vetmi institucion që funksionon dhe po dëgjohet në publik!2. Fakulteti i Gjeologji Minierave i UPT;
3. Fakulteti i Ndërtimit i UPT;
4. Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës i UPT;
5. Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit i UPT, i cili mund të mbështes shumë mirë njësitë e tjera të UPT për digjitalizimin dhe përdorimin e IT edhe në fushën e gjeoshkencave, sizmologjisë, ndërtimit, etj.
Në këto njësi akademike kërkimore të UPT punojnë reth 350 kërkues dhe pedagogë, pa llogaritur doktorantët, të cilët në cdo vend të botës, konsiderohen “motorët” e vërtetë të kërkimit. Ky grup kaq I madh kërkuesish janë inxhinierë me kualifikim të nivelit të lartë, madje jo pak prej tyre të kualifikuar edhe në universitetet prestigjioze të botës.
Pra, këta 350 kërkues dhe pedagogë, nëse mbështeten financiarisht për projekte ndërdisiplinore që lidhen me tërmetet, përbëjnë një potencial të madh njërëzor shkencor për vendin. Pikërisht IGJEUM është konceptuar si qendra kryesore ndërdisiplinore koordinuese e projekteve kërkimore ndërdisiplinore për gjithë UPT në fushën e tërmeteve dhe katastrofave të tjera natyrore.
Në këtë qendër duhet të ndërveprojnë këta 350 kërkues të UPT në projekte ndërdisiplinore edhe për tërmetet. Do të ishte injorancë që të pretendosh, sot në shekullin XXI, se kërkuesit e gjeologjisë, gjeoshkencave, inxhinierisë së ndërtimit, arkitekturës, urbanistikës, energjisë, fizikës, matematikës, gjeostatistikës, gjeoinformatikës, simulimeve dhe IT nuk duhet të ndërveprojnë në studimet dhe kërkimet mbi tërmetet.
Por potenciale shumë të kualifikuara shkencore ka vendi ynë edhe në universitete të tjera të vendit, publike dhe jo publike. Universiteti Polis ka njoftuar dje një konferencë shkencore mbi tërmetet, ku referojnë kërkues shqiptar dhe të huaj që punojnë si pedagogë dhe profesorë të këtij universiteti, si dhe doktorantë të tij që realizojnë studimet e doktoratës në Shkollën Ndërkombëtare të Doktoratës që ky universitet zhvillon në bashkëpunim me universitete të tjera europiane.
Përvec burimeve njërëzore për kërkim shkencor në universitete, vendi ynë ka burime njërëzore të kualifikuara për kërkim dhe shërbime në institucione të tjera shtetërore (me mbi 250 inxhinierë të kualifikuar), veprimtaria e të cilëve lidhet ngushtë me tërmetet. Po përmend dy prej tyre:
Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, në varësi të ministrisë përgjegjëse për Infrastrukturën.-
Instituti i Ndërtimit, i cili është në varësi të ministrisë përgjegjëse për Infrastrukturën dhe sipas ligjit bën oponencën e cdo projekti ndërtimi të të gjitha llojeve (ndërtesa, rrugë, etj) që kalojnë vlerën e financimit 10 milion lekë.-
Megjithëse, Shqipëria ka burime njërëzore të mjaftueshme për të kryer studime dhe kërkime shkencore edhe në fushën e tërmeteve, ato janë tërësisht të pashfrytëzuara dhe thuajse nuk mund të realizojnë kërkime shkencore, për shkak të mungesës së buxhetit për financimin e paisjeve laboratorike, simulimeve, kërkimeve në terren, ekspeditave, bashkëpunimit me jashtë, etj. Pa buxhet këto njësi do të vegjetojnë dhe nuk mund të prodhojnë asgjë!
Edhe më përpara buxheti për kërkimin shkencor ka qenë tërësisht i pamjaftueshëm, por në periudhën 2014 -2018 nuk u financua nga buxheti i shtetit asnjë projekt i ri kërkimor apo laborator kërkimor. Protesta e studentëve e detyroi qeverinë të akordoj vetëm rreth 1,5 milion USD për projekte të infrastrukturës kërkimore për gjithë universitetet dhe qendrat kërkimore, dhe, për ironi të fatit, asnjë prej tyre nuk i përket IGJEUM.
Madje gjithë UPT ka marrë nga ky program vetëm 39 mijë USD për Fakultetin e Arkitekturës! Ka qenë praktikë e zakonshme, që nga Fondi i Shkencës, në fillim përllogaritej një fond i vecantë për IGJEUM, Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Qendrën e Fizikës Bërthamore. Si është e mundur që asnjë qindarkë të mos i akordohet IGJEUM, ndërkohë që Bordi i Agjencisë ka miratuar në 8 gusht 2019, me preferencë që qartë, projekte me shuma mbi 300 mijë USD?! IGJEUM nuk ka marrë asnjë qindarkë financim nga buxheti I shtetit në 5 vitet e fundit.
Edhe në buxhetin 2020 fondi për kërkimin shkencor është 6,46 milion USD dhe zë 0,03 % të GDP, ndërkohë që edhe në vendet e reja të BE buxheti për shkencën është mbi 1% të GDP! Pra vendi ynë investon akoma 33 herë më pak për shkencën se sa Sllovenia apo Estonia! Praktikisht edhe më fondin e parashikuar në buxhetin 2020 cdo kërkuesi I takon vetëm rreth 500 USD në vit për kërkim! A është e mundur që një kërkues të bej shkencë dhe prej saj të botoj kur financohet vetëm me 500 USD në vit?!
Institucionet kërkimore, përfshirë edhe IGJEUM, mbijetojnë vetëm përmes ndonjë projekti të financuar nga programet e huaja. Infrastruktura e vjetëruar dhe e pamjaftueshme laboratorike eksperimentale i ka paralizuar institucionet kërkimore në shkencat e aplikuara edhe për të aplikuar për projekte në programet internacionale sic është Horizon 2020. Ndërkohë deri më sot asnjë kompani private në Shqipëri, qoftë edhe nga fusha e ndërtimit, nuk ka bërë qoftë një donacion modest për kërkim në universitete ose qendra kërkimore.
Eshtë koha që qeveria dhe gjithë politika të kuptojnë, se investimi për kërkimin shkencor nuk është luks edhe për një vend si Shqipëria me burime të kufizuara buxhetore. Mos investimi për kërkime shkencore e thellon varfërinë dhe prapambetjen e një vendi.
Buxheti 2020 është akoma në diskutim dhe ka ende kohë për t‘a përmirësuar atë.
Buxheti për kërkimin shkencor në gjeoshkenca dhe sizmologji duhet konsideruar ndër zërat kryesorë edhe të Buxhetit të Rindërtimit. Shkurtoni buxhetin për 5 km rrugë e re dhe shtojani Fondit të Shkencës, cka do ta 5-fishonte atë dhe do ta çonte në rreth 0,17% të GDP dhe 7000 – 8000 kërkues të vendit do të kishin mundësi të bënin kërkim shkencor së paku modest.
Eshtë koha që Delegacioni i BE në Tiranë dhe FMN të kujtohen dhe të bëjnë presion edhe për rritjen e buxhetit për shkencën. Kujtoni që kapitulli i Shkencës është i lidhur me atë të Tregut të punës dhe do të negocohet ndër 4 kapitujt e parë kur të hapen negociatat me BE! Me këtë buxhet do të shkoj Shqipëria në negociata?!
Qeveria, politika shqiptare dhe organizatat e huaja duhet ta kuptojnë më në fund se nuk mund të financohen vetëm NGO, të vendit apo të huaja, në kurriz të universiteteve dhe institucioneve kërkimore të vendit, për të prodhuar raporte shpesh qesharake që i marrin copy paste, nganjëherë të njëjta edhe për disa vende të varfëra.
Nëse do të bëheshin publike fondet që kanë dhënë organizatat dhe agjencitë e huaja për NGO e vendit dhe të huaja, për studime mbi katastrofat natyrore, përfshirë edhe tërmetet, opinioni publik do të kuptonte se ku kanë shkuar fondet dhe si është përbuzur potenciali shkencor i vendit në universitete dhe jashtë tyre. Ku janë sot NGO e vendit dhe të huaja të fiancnuara aq shumë edhe për katastrofat natyrore?!
Duhet hiqur dorë nga injorimi dhe përbuzja e trurit dhe ekpertizës së vendit tonë. Kjo politikë nuk zhvillon dijen, kërkimin shkencor dhe shkencën e vendit tonë dhe e bën Shqipërinë akoma më të varfër. Kjo politikë po mbyll departamente dhe fakultete të universiteteve tona me histori mbi 50 vjecare dhe dëbon trurin nga Shqipëria, aq më tepër kur universitetet, qendrat kërkimore si dhe kompanitë e vendeve të tjera janë të urritura dhe i rëmbejnë kërkuesit tanë më të mirë në shkencat e aplikuara dhe i paguajnë me paga mbi 10 herë më të larta se ato që marrin në universitetet apo qendrat tona kërkimore.
Prandaj qeveria dhe legjsilativi duhet të bëjnë fondin për kërkimin shkencor një ndër zërat më të rëndësishëm edhe të Buxhetit të Rindërtimit.