Petrit Vasili, kryetari i Grupit parlamentar të LSI, ka dalë dje para medias për të shprehur shqetësimin e tij të madh për projektbuxhetin 2018 që u miratua në parim nga mazhoranca. “Dje u shënua armiqësia mes qeverisë e klientëve të saj dhe familjes shqiptare, e cila mori shuplakë shumë të rëndë shoqëruar me depresionin e madh të mungesës së shpresës”. I pyetur nga media se si i konsideron zhvillimet e tjera politike, Vasili tha se, “të gjitha të tjerat janë artifica për të hequr mendjen nga trafiku i drogës; Shqipëria nyje e trafikut të heroinës.
Gjithkush duhej të përlotej kur të shihte fëmijën e Bulqizës me gurë në krah që Kryeministri pati paturpësinë ta mohonte… Ç’na duhet neve shkarkimi i kryetarit të KQZ, kur Kryeministri i thotë policëve hiqni kapelet e mblidhni votat?! Sot Ponc Pilati në krye të qeverisë po shpëlan duart nga ish-ministri….: Jo ia lashë drejtësisë, jo… Ndërkohë që ai vuri mburojë 75 vota për ta penguar drejtësinë.
Artificet e KQZ nuk i mbulojnë këto”. I pyetur në lidhje me qëndrimin e LSI për zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit Adriatik Llalla, Vasili tha: “Për këtë unë kam vetëm një përgjije: Çfarë përgjigje do të marr për këto tri çështje që ka ngritur LSI-ja për buxhetin. Nëse unë marr përgjigje pozitive, atëherë kësaj qeverie i dhemb sadopak për shqiptarët. Zgjedhjen e kryeprokurorit dhe të tjerat i ka ligji shumë të qarta”. Ndërkohë gjatë seancës parlamentare të zhvilluar mbrëmjen e së enjtes, Vasili u shpreh se kryeministri u përqendrua shumë pak tek buxheti dhe pjesa tjetër sipas tij, ishte i shpërlarë i radhës.
Vasili: “Prezantimi i këtij buxheti në mënyrë të natyrshme qe shumë i shkurtër nga kryeministri i vendit. Bëri mirë. Nuk kishte asgjë të re. Ishte një riciklim bajat i të njëjtit mentalitet. Fjalëshumë dhe punë pak. Natyrshëm nuk kishim çfarë të dëgjonim dhe bëri mirë që nuk humbi kohë të madhe për buxhetin dhe pjesa tjetër ishte humori i shpërlarë i radhës, të cilin u mësuam ta dëgjojmë dhe konsumojmë ne dhe qytetarët shqiptarë në dëm të halleve të tyre të përditshme. Ishte një prezantim që rikonfirmoi një mungesë të qartë të një modeli edhe ekonomiko-shoqëror për 4 vitet që vijnë.
Nuk pati asnjë dallim për të kaluar nga buxhetet arkaike dhe një shpresë e humbur për diçka të re. Ky buxhet ka pak për të diskutuar në thelbin e tij, por ka shumë për të diskutuar për mesazhin që përçon”, tha ai.