Të ardhurat buxhetore gjatë vitit 2017 ishin gati 100 milionë euro më pak se sa plani i qeverisë, ndërkohë që shpenzimet e planifikuara u reduktuan për të ruajtur deficitin buxhetor.
Bilanci i buxhetit të shtetit për vitin 2017 u mbyll me të ardhura gati 100 milionë euro se sa plani, gjë që duket se detyroi qeverinë të shkurtojë më tej shpenzimet për investime publike, bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara me tre muaj vonesë nga Ministria e Financave.
Të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar të shtetit, ku përfshihen të ardhurat e qeverisë qendrore, të pushtetit vendor dhe të institucioneve të tjera publike, ngecën në 430 miliardë lekë nga 443 miliardë që ishin planifikuar nga Aktin Normativ i qeverisë. Të ardhurat faktike janë të barabarta me 27.7% të prodhimit të brendshëm bruto, nga 28.5% që ishin planifikuar.
Mungesat më të mëdha në realizimin e të ardhurave i përkasin mosrealizimit të planit nga tatimet dhe doganat, në veçanti te zëri “Tatime mbi të ardhurat personale”, të cilat ishin 4.1 miliardë lekë më pak.
Performanca e keqe e të ardhurave në vitin 2017 nuk është situata më e keqe e përjetuar gjatë viteve të fundit. Në vitin 2015, të ardhurat e qeverisë ishin mbi 30 miliardë lekë më pak se sa plani.
Të ardhurat e buxhetit duket se janë dëmtuar rëndë gjatë vitit të kaluar edhe nga sasia e stërmadhe e taksave të papaguara të dy rafinerive të naftës. Kompania që i kishte nën përdorim këto rafineri, ndërpreu aktivitetin dhjetorin e kaluar, duke lënë disa dhjetëramilionë euro taksa të papaguara.