Buzëqesh Zidane

Reali i Madridit ka arritur të mposhtë në shtëpi Real Sociedadin me rezultatin 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 20 të La Ligas. Të besuarit e Zinedin Zidan edhe pse me disa mungesa të rëndësishme nuk kanë gabuar në këtë takim duke shfrytëzuar më së miri hapin fals të Barcelonës dhe Seviljas më parë gjatë ditës së dielë.
Kovaçiç realizoi golin e parë në minutën e 38, ndërsa Kristiano Ronaldo shënoi golin e dytë në minutën e 51-të. Në minutën e 74-t, Sociedadi mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Martinezit. Alvaro Morata vulosi fitoren e madrilenëve me golin e realizuar në minutën e 82-të. Me këtë fitore, Reali udhëheq renditjen me 46 pikë, 4 më shumë se ndjekësit e Barcelonës dhe Seviljas, dhe gjithashtu me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Sevilja është mposhtur në La Liga pas regjistrimit të 5 fitoreve radhazi. Andaluzianët janë thyer në transfertë përballë Espanjolit me rezultatin 3-1. Ndeshja e Seviljas nisi keq pasi që në minutën e 2-të mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Parehas që shkaktoi penallti. Hoze Antonio Rejes e shndërroi në gol penalltinë në minutën e 4-t, por Jovetiç barazoi shifrat në minutën e 20. Megjithatë Espanjoli e mbylli pjesën e parë në avantazh falë golit të Navaros në minutën e 2-të të kohës shtesë. Në pjesën e dytë ishte Moreno ai që vulosi fitoren e të zotëve të shtëpisë me golin e realizuar në minutën e 71-të.
Pas kësaj ndeshjeje, Sevilja mbetet në kuotën e 42 pikëve në 20 ndeshje duke zbritur në vendin e tretë për t’i lënë të dytin Barcelonës që gjithashtu bëri hap fals dje me barazimin 1-1 në transfertë ndaj Real Betisit. Të dy këto rezultate i shkojnë për shtat Realit të Madridit që në rast fitoreje në mbrëmje përballë Sociedadit do të shkëputet në krye me 4 pikë diferencë dhe gjithashtu do të ketë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Portieri Mark-Andre Ter Shtegen nuk dëshiron që të flasë për polemikat e golit fantazmë pas barazimit në Sevilje. “Nuk dua të flas për arbitrat. Ata janë njerëzorë si ne. Ndeshja përfundoi në barazim dhe është ashtu siç është. Ishte një ndeshje e vështirë. Betis luajti shumë mirë. Ata ushtruan tepër presion dhe na mbyllën shumë mirë. Në mbrojtje ne luajtëm mirë, por ishte e vështirë që të dilje prej saj. Mendoj në përgjithësi se ne bëmë një ndeshje të mirë.
Por tani duhet të shohim atë çfarë na mungonte. Përpara kemi ndeshje shumë të vështirë dhe duhet të përqendrohemi që të ecim përpara. Ishim mirë në fillim dhe krijuam raste, ashtu siç bëmë edhe në pjesën e fundit. Por gjatë ndeshjes humbëm kontrollin. Megjithatë, duhet t’i japim merita edhe Betisit”, deklaroi gjermani.

Artikulli paraprakNapoli i Hysajt ndalet nga Palermo
Artikulli tjetërDortmundi ndalet nga Mainzi