Përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, në përfundim të mbledhjes së sotme, është shprehur se, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë identifikim biometrik në të gjithë vendin.
Ai theksoi se arritje tjetër pozitive në tryezën e këshillit politik ishte edhe minimizimi i financimit të partive politike nga subjektet private.
“Sot diskutuam për të gjetur të gjitha garancitë dhe drafti përfundimtar do sigurojë që në zgjedhjet e ardhshme identifikimi biometrik të jetë në të gjithë vendin. Ata që do të votojnë më shumë se njëherë do identifikohen.
Kjo është ndër arritjet më të mëdha të 5 qershorit. Arritja e dytë është financimi i partive. Kemi rënë dakord për reduktim të financimit privat. Sot partitë politike shpenzojnë 10-fishin. Arritëm edhe këtë moment të rëndësishëm duke ulur shpenzimet e dyshimta.
Ne kemi vendosur identifikimin biometrik. Nesër vazhdojmë punën për çështjet e mbetura pezull”, tha Bylykbashi.