Bylykbashi: Partia-shtet ndërhyri në proçesin zgjedhor. SPAK nuk parandaloi dhe as goditi shit-blerjen e votës

Oerd Bylykbashi në Këshillin e Integrimit: Në zgjedhjet e 25 prillit partia-shtet ndërhyri në mënyrë kapilare në proçesin zgjedhor. SPAK nuk parandaloi dhe as e goditi shit-blerjen e votës

Do të kondesoj fjalën time në një nga çështjet kryesore, që është çështja e zgjedhjeve. U dëgjuan këtu citime të shkurtra në lidhje me zgjedhjet e vitit 2021. Dëgjova edhe nga krahu i qeverisë që flet për “Raportin më të mirë” që kanë parë ndonjëherë zgjedhjet.

Në fakt vetëm kjo nuk është e vërtetë. Nëse ka patur ndonjëherë raport të mirë për zgjedhjet në Shqipëri ka qenë viti 2009 kur OSBE-ODHIR i cili është organi më i specializuar se kushdo tjetër, tha: “U arrit shumica dërmuese e standardeve”.

Çfarë kemi tek ky raport por për fat të keq të përsëritur, shkeljen e një numri standardesh themelore ose angazhimesh themelore të OSBE-së. Ky raport flet për:

1. Cënim të së drejtës për votim të fshehtë dhe të lirë.
2. Për abuzim masiv me burimet shtetërore.
3. Për kontroll mbi zgjedhësit nëpërmjet kontrollit
4. Përdorimin e administratës shtetërore etj.

Problem prioritar prej 3 palë zgjedhjesh është, shit-blerja e votës dhe fakti që nuk kemi dënim.

Ajo që të gjithë kërkojnë, shqiptarët së pari dhe angazhimet tona ndërkombëtare për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, këto zgjedhje nuk ishin as të lira, as të ndershme.

Shumë e thjeshtë. Ajo që thotë OSBE/ODHIR, pa e thënë ne, ne e kemi thënë me zë të lartë, këto zgjedhje nuk ishin të lira sepse kësaj rradhe kishim më shumë se sa një mekanizëm për kontrollin e votës. Nuk kontrollohet vota thjesht nëpërmjet numërimit por është ngritur një sistem gjigand. Kur shteti-palë, për të kontrolluar votuesin, për të kontrolluar zgjedhësin.

Pra për ta kontrolluar që në momentin që ai do të formojë vullnetin e tij, përndryshe ai pengohet që të votojë.

Këtë e thotë ODHIR, e kemi thënë ne, është e provuar, është edhe në shqetësimet e Komisionit të BE-së.

Zgjedhjet nuk ishin të ndershme, që të bësh zgjedhje të ndershme duhet patjetër që korniza ligjore dhe Kushtetuese mbi të cilat zhvillohen zgjedhjet, duhet të jetë e gjithpranuar, duhet të jetë e bazuar në konsensus, në besimin se ato janë rregullat e përbashkëta.

Çfarë ndodhi? Më pas asaj që prodhoi marrëveshja e 5 qershorit që ashtu siç ishte, ishte e pamjaftueshme. Ne jemi koshientë që kërkesat e opozitës nuk u pranuan për të prodhuar më shumë garanci për zgjedhjet.

Kemi ndryshime të sistemit zgjedhor në mënyrë të njëanshme dhe ai që mendon, të ndryshosh sistemin zgjedhor në favor të qeverisë në momentin e fundit dhe kjo të mos quhet një ndryshim drastik i rregullave për zgjedhje të lira dhe të ndershme është jashtë piste.

Për rrjedhojë, vetëm të lira dhe të ndershme nuk ishin ato zgjedhje.

Por ajo që nuk bën më përshtypje është sepse po mësohemi me rekomandime prioritare të ODHIR që citojnë shkelje të parimeve themelore të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Europës për zgjedhje demokratike.

Në 2015-ën, u shtua në 2017-ën, rikonfirmohet në 2019-ën me zgjedhje që nuk janë në interesin e zjedhësve thotë ODIHR dhe 2021-shi është rikonfirmim, më pas kjo duket si e zakonshme.

Në 2009-ën zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese të standardeve dhe patëm 12 prioritete. Në 2013-ën, arritëm ne, para se të iknim nga pushteti zgjedhje që hoqën zgjedhje nga lista e problemeve që duhej të ishin zgjidhur me BE-në.

Është detyrë e shtetit të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme por kemi ndërhyrjen masive, sistemike, sistematike dhe kapilare të shtetit në proçein zgjedhor. Kjo nuk është asgjë tjetër përveç se prova që është shkelur standardi tjetër i OSBE-së, ndarja e shtetit nga partia në pushtet. Nëse kjo ndodh, bashkohet shteti me partinë-pushtet, vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka.

Këtë e thotë ODIHR, e konstaton edhe BE.

E dimë ne të gjithë shqiptarët, është në provën e përditshme. Në zgjedhjet e prillit ishte maksimumi deri më sot.

Nëse ka më shumë se kaq, nuk ka më zgjedhje fare, as votim nuk ka.

Çfarë prove tjetër është kjo. Është provë se si shteti i cili hyn në mënyrë të politizuar në zgjedhje dhe reforma e ardhshme zgjedhore duhet të trajtojë me prioritet, se si të mbajë shtetin jashtë se nuk do ta depolitizojmë dot, por këto zgjedhje janë prova që administrata publike është e politizuar.

Kemi rekomandim të vitit 2019 i cili thotë në mënyrë të çuditshme, jo tipike, ODIHR ka një rekomandim që thotë: “të depolitizohet administrata publike”. Dhe ka qenë ky motivi që gjatë negociatave për marrëveshjen e 5 qershorit, me propozim nga partnerët ndërkombëtarë u vendos që të lihej jashtë administrata publike nga administrata zgjedhore, sepse është e politizuar.

Është një moment tjetër dështimi, jo vetëm për zgjedhjet, administrata e depolitizuar është një shtrat solid për ecjen me shpejtësi drejt BE-së. Këtë nuk e kemi.

Kemi shitblerjen e votës, një seri shkeljesh përballë asaj që me reformë zgjedhore në letër shtuam garancitë për të goditur këto.

Kemi SPAK-un që duhej të godiste shit-blerjen e votës dhe nuk e bëri.

Nuk e parandaloi. Dhe kemi prokurorinë që duhej të ndërhynte për të gjitha shkeljet e tjera përfshirë abuzimin e burimeve shtetërore.

Çështjet që do të shqyrtohen nga Prokuroria në të ardhmen dhe diku nga 2025-a do ta ritestojmë sistemin, kjo është shumë vonë.

Zgjedhjet e 2021-shit janë ajo që kemi parë dhe janë në raportin e OSBE/ODIHR.

Garancitë që prodhuam, në mënyrë të qëllimshme dështuan.

Është mungesë vullneti politik dhe nuk ka ligj që zëvendëson mungesën e vullnetit politik.

Shqiptarët kanë nevojë për drejtësi. Nuk bëhet ankesë tek organet e reformës në drejtësi. Padia bëhet në gjykatë dhe sot shqiptarët nuk kanë gjykata.

Ne duhet të na duhet një analizë tërësore dhe jo e copëzuar e çfarë po dështon, për të kuptuar se çfarë mund të përmirësojmë. Sepse nuk mund t’ia lëmë shqiptarëve drejtësinë në gjendjen që është sot.

Kur shkojnë të kërkojnë një gjykim ose nuk e marrin dot, ose e marrin shumë më vonë.
Por ajo që më shqetëson, për ta përmbyllur, është kjo.

Nëse dikur raportet e Komisionit Europian ishin programe pune për qeverinë dhe kishin një forcë tërheqëse, shtytëse shumë të madhe dhe bënin që të përmirësohej procesi zgjedhor dhe shumë procese të tjera të qeverisjes.

Ne vëmë re që procesi zgjedhor përkeqësohet, rekomandimet dalin, bëhen rekomandime qoftë nga ODIHR, qoftë nga Bashkimi Europian dhe nga tjetër në zgjedhjet e ardhshme apo në procese të tjera vetëm përkeqësohet.

Pyetja që shtrohet është: Në çfarë kryqëzimi ka mbërritur ky proces që ka humbur këtë forcë shtytëse në raport me këtë qeveri?

Është viti i 8-të, ka filluar viti i 9-të i qeverisjes dhe për të ecur përpara nuk mjaftojnë lavdërimet. Të gjithë ne na duhet një proces integrimi i suksesshëm. Por na duhet një proces integrimi që na çon nga një hap në tjetrin në përmirësim. Ndërkohë që shohim përkeqësim.

Unë besoj se kemi nevojë për këtë analizë.

Nuk do të zgjatem më tej por shpresoj që ky raport do të hapë rrugën, për të punuar fort dhe për të ndryshuar disa gjëra, sepse jemi në një pikë shumë kritike.

Exit mobile version