Çako pranoi se pajisja e përgjimit dekodoi numrat IMEI

Ish Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako pranoi para prokurorisë se jo vetëm që pajisja e përgjimit ishte vënë në përdorim por gjithashtu ai ka pohuar dekodimin e numrave IMEI, një procedurë kjo e ndaluar gjithashtu me ligj pasi çon direkt në përgjimin.  Serisë së paligjshmërive në lidhje me këtë skandal i shtohet edhe ky fakt, dekodimi i IMEI-t, çka dëshmon insistimin me forcë të Ramës e Tahirit për të futur me çdo kusht pajisjen në Shqipëri e për ta përdorur atë në mënyrë të fshehtë. Në vendimin për pezullimin  e Çakos, gjyqtari Aliaj ka përdorur disa argumente, referuar edhe materialit të Prokurorisë, që e kanë bindur për të dhënë vendimin. Sipas vendimit, Çako ka pranuar vetë se pajisja i njeh numrat IMEI dhe sipas Gjykatës, ky evidentim është pjesë e mirëfillitë e procesit të përgjimit. Sipas vendimit, “Në datën 17 maj 2016, ky shtetas ka dhënë deklarime rreth dijenisë së tij për këtë ngjarje nga ku vërehet se ka shtuar faktin se kjo pajisje është në gjendje të identifikojë numrin IMEI të çdo aparati telefonik. Gjithashtu, ai deklaron se Policia e Shtetit Shqiptar dhe partnerët e saj nuk ofrojnë trajnime në kundërshtim me legjislacionin shqiptar”. Më tej gjykata arsyeton se “Në këtë deklarim, megjithëse kishin kaluar tetë ditë nga shkresa e tij e parë për sqarimin e situatës, ai shprehet se nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor të hyrjes së pajisjes, shkruan panorama. Është e qartë që nuk e ka kryer detyrën e tij, pasi në hapësirën kohore duhej të kishte krijuar panoramën e plotë të ngjarjes. Këto pretendime dhe dyshime bazohen në faktet e mëposhtme: 1. Përcaktimin se aparatura është në gjendje të evidentojë dhe numrat IMEI të aparateve telefonike duhej ta përcaktonte që në shkresën e datës 09.05.2016, pasi administrimi i numrave IMEI është një pjesë e mirëfilltë e procesit të përgjimit”. Sipas prokurorisë  Çako, në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin. Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. I dyshuari Çako ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në bazë të Marrëveshjes së vitit 2007 për mbështetjen teknike të policisë shqiptare nga ana e INTERFORZE-s italiane, u takon autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprimet në përputhje me ligjin, siç janë hyrja e rregullt e pajisjeve të tilla në Republikën e Shqipërisë. Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shtetasi Çako rezulton që nuk ka marrë asnjë masë për të rregulluar hyrjen e pajisjes në territorin e Shqipërisë dhe për më tepër, rezulton që ai nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor që aplikohet në këto raste.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kodin IMEI

Rama tentoi në vitin 2014 të miratonte një ligj të posaçëm përmes të të cilit detyronte çdo mbajtës të telefonisë celulare të deklaronte kodin e IMEI-T, çka do të thoshte që qeveria i jepte vetes akses të plotë në përgjimin e të gjithë qytetarëve. Kjo pasi, vendimi i jepte mundësi qeverisë që të përgjonte të gjithë aparatet telefonikë (vendimi Nr. 354, datë 4.6.2014 për ngritjen e Bazës së të Dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celularë, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme). Gjykata Kushtetuese thotë se vendimi për IMEI-t e celularëve është i papajtueshëm me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese pas marrjes në shqyrtim të vendimit dhe ankimimit nga ana e deputetëve shpalli vendimin: “Si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimit nr. 354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave ‘Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme’”. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e Këshillit të Ministrave për ngritje e bazës së të dhënave të IMEI për regjistrimin e tyre. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas ankimimit të Partisë Demokratike shtatorin e vitit të kaluar ku parashtroi dy kërkesa: 1) Deklarimin e papajtueshmërisë me Kushtetutën i vendimit nr. 354, datë 4.6.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”, si dhe 2) Pezullimin e vendimit nr. 354, datë 4.6.2014 të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI dhe regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme”. Ndër argumentet e tjera theksohet se, “Detyrimi që u vendoset operatorëve të komunikimit elektronik, me vendim të Këshillit të Ministrave, për të dorëzuar pranë Ministrisë së Financave të dhëna personale të klientëve të tyre (numrin IMEI) është antikushtetues edhe për shkak se transferimi i të dhënave bëhet pa pëlqimin e subjektit deklarues, gjë që bie ndesh me nenin 35 të Kushtetutës. Një kufizim i tillë i vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave nuk është në përputhje dhe bazohet në nenin 35, paragrafi i dytë i Kushtetutës (parashikohet në ligj), në nenin 17, paragrafi i dytë i Kushtetutës (nuk e cenon thelbin e së drejtës për privatësi dhe nuk i tejkalon kufizimet e parashikuara në KEDrNj) si dhe nenin 8, paragrafi i dytë i KEDrNj (kufizimi synon mirëqenien ekonomike të vendit, parandalimin e veprave penale, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve”.

Exit mobile version