Çamët e polakët, në çdo krah kufiri, të persekutuar! Fatet e tyre dhe të kosovarëve u nëpërkëmbën nga diktatura

NGA HYQMET ZANE

Nëse themi që rrugën e jetës njeriu e zgjedh vetë, fqinjin ia ka caktuar Zoti si fat. E them këtë, sepse çamët dhe polakët e kanë pësuar nga fqinjët e tyre dhe persekutimi i tyre ka qenë i dhimbshëm. Historia e shqiptarëve është e shkruar vërtet me gjak, jo vetëm në luftë kundër pushtuesve, por edhe nga fqinji grek si dhe nga lufta brenda llojit që u diktuan nga rrethanat e krijuara nga sistemi diktatorial.

Kosova dhe Çamëria janë binjaket e gjenocideve jo vetëm nga pushtuesit serb dhe grek, por edhe nga fryma vrasëse që ushqente filozofia komuniste që polli edhe regjim diktatorial me persekutim. Kur vijnë në kujtesë këto ngjarje të mëdha që lidhen jo vetëm me luftën antifashiste, por dhe me luftën që u bëhej intelektualëve dhe grupeve shoqërore me ndikime të spikatura në jetën publike, vetiu të vijnë në mendje ato që hoqi Çamëria andej dhe këndej kufirit.

Adem Istrefi, poeti kosovar shkruan në poezinë e tij “Çamërisë ç’i panë sitë”, vargjet :

“O zot, ç’mënxyrë e
ç’barbari qe kjo,
Krejt si në Trojë grekët grekçe
na therën!
Iku kush iku, të tjerët zjarri i
përvëloi.
Rri, o zot, mos fol,
në bri të kaut s’u fshihka
dhembja
dhe as ndër kisha s’u shkruaka historia,
mizori si kjo kujt tjetër i panë
sitë,
atje çam i ndyrë, këtej çam i
djegur,
vallë veten të bindnim se hak
kishim
mizorinë?!”

Cili analist apo politikan, cili diplomat apo pushtetar ka mundur t’i lexojë këto vargje ku me mjeshtëri tretet brenda tyre e gjithë historia, jo vetëm e krahinës së Çamërisë. Këto vargje ai i shkroi 35 vjet më parë atëherë kur fjala “çam” ishte persekutim dhe rrjedhojë e luftës që grekët në Greqi dhe filogrekët në Shqipëri i bënë një popullate sa potente në kontributet për kombin, aq edhe vitale në qëndresën për emrin shqiptar, për flamurin kuq e zi dhe për fenë e tyre që u kishte dhënë Zoti.

Brenda shifrës së 80 viteve, gjendet edhe kujtimi për një luftë për Shqipërinë e lirë dhe demokratike, por edhe drama çame. Në këtë luftë sa antifashiste aq edhe çlirimtare, edhe çamët, burra dhe të rinj rrokën armët për vatanin andej dhe këndej kufirit, në Greqi dhe në Shqipëri. Flet historia se Çamëria në luftën e madhe antifashiste kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamër u hodhën në radhët e ELLASit, kur EAM-i lëshoi kushtrimin e luftës për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata çame u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër okupatorit dhe formoi Batalionin e 4-t të Regjimentit të 15-të të ELLAS-it. Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan me trimëri dhe vendosmëri kundër okupatorit nazifashist dhe tradhtarëve ballistozervistë. Gjaku i “Heroit Kombëtar” Ali Demi dhe i dëshmorit Bido Sejko, gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli dhe 20 të tjerëve me emra dhe kontribute, që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmon konkretisht për këtë fakt.

Po aq e lavdishme është lufta e popullatës çame edhe në Markat aq edhe në Konispol me atë rezistencë 55- ditëshe ndaj pushtuesve që mund të cilësohet si lufta e vërtetë e rezistencës së armatosur për lirinë e atdheut. Po aq sa nuk mund të harrohet kontributi i madh i Çetës dhe Batalionit “Çamëria” me drejtuesit e saj Rexho Plau e Haki Rushiti, Taho Sejko dhe të tjerë që për fatin e keq të tyre dhe për interesat e një inskenimi antishqiptar që angazhoi qeverisja e kohës së diktaturës që luajti zaret e agjenturave të huaja duke qenë nën breshërinë e akuzave të shitjes së interesave. Por më e keqja ishte se për t’u dhënë përgjigje këtyre akuzave të lojës së keqe të vetë kreut të diktaturës, u përdorën i ashtuquajturi grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit.

Nëse bëjmë retospektivë, duhet thënë se nga këta bijë të Çamërisë andej dhe këndej kufirit u bë luftë e vërtetë, lufta e bijve ndaj një armiku të përbashkët: nazifashizmit, diktatura i mashtroi duke përdorur alibitë e veta me përdorimin e një agjenti të vetin Kosta Fili i cili më vonë do të pohonte se asnjë nga akuzat e atij të ashtuquajturi grup i Teme Sejkos dhe i Tahir Demit, nuk qëndronte. Të njëjtat fjalë që vetë Halim Xhelo, zyrtari i lartë dhe i besuar i sigurimit i tha në burg të dënuarave çamë si Lutfi Sejkos dhe të tjerëve.

Por për çam kjo luftë, pjesëmarrja në të me dinjitetin që buronte nga shpirti, me dëshmorët që ranë për lirinë, kush nuk do ta mendonte se ata që vuajtën dhe e kishin ëndërr lirinë, nuk e mendonin kurrë se një ditë do të përfundonin si armiq, aq më keq agjent të grekëve(!?) dhe kush (?) çamët, ata që Greqia zyrtare i kishte vrarë, i kishte përzënë, i kishte ndjekur dhe djegur si në një mynxyrë. Kur në vitin 1960-1961 u thur dhe u ekzekutua i ashtuquajturi ‘grup i Teme Sejkos dhe Tahir Demit’, një personazh i respektuar dhe intelektual i fshatit Markat të Konispolit do të ishte çudia e një farse që dinë të bëjnë vetëm ata, antishqiptarët.

Haxhi Bilal Mullai është njëherazi edhe patrioti, edhe luftëtari, edhe intelektuali, edhe pushtetari i krahinës së vet i zonës së Konispolit dhe veçanërisht i Markatit, njërit prej fshatrave me histori të spikatur në luftrat shekullore siç e pohon këtë fakt historiani i mirnjohur Ibrahim D.Hoxha. por për fatin e keq jo vetëm të tij, por të shumë e shumë intelektualëve me emër dhe me kontribute në historinë e luftës për lirinë e atdheut dhe për ndërtimin e shoqërisë shqiptare pas kësaj lufte, rëndoi keqas togfjalëshi “agjent të grekëve” që iu tha një ditë të bukur 63 të arrestuarve të të ashtuquajturit ‘grupi i Teme Sejkos dhe Tahir Demit.

Haxhi Bilal Mullai është njëri prej tyre që pësoi mynxyrën e pamerituar dhe ju shumëzuan me zero gjithë vitet e gjysmës së parë të shekullit XX ku ai dhe familja e tij bënë luftë të shumfishtë: edhe ndaj obskurantizmit osman, edhe ndaj pushtuesve të ndryshëm, por veçanërisht edhe ndaj fqinjit grek i cili kishte përfituar nga Konferenca e Londrës dhe vendimet ogurzeza të saj për t’i bërë gjëmën një popullate sa të pafajshme, sa të paarmatosur , sa të pambrojtur aq edhe krenare dhe dinjitoze.

Si biri i Bilalit dhe i Afijes, dhe që vetë ishte i martuar me 4 fëmijë, Haxhi Bilali, edhe pse arsim 7 vjeçar, ai njihte shumë mirë gjuhët turqisht dhe greqisht, po aq sa edhe italisht. Për meritat e tij, ka qenë i dekoruar me tri medalje, si për kontributet e luftës, po aq edhe ato të punës dhe atdhetarizmit.

Si kryeplak me emër i komunës Markat, me pasuri, shtëpi dhe me toka, të cilat i kishte trashëguar nga i ati i tij, regjimi i diktaturës enveriste do i hidhte poshtë si pjesë e filozofisë për të nënshtruar me çdo mjet njerëzit e pasur dhe njerëzit me reputacion e, veçanërisht, intelektualë.

Kishte shumë autoritet në zonën ku jetonte dhe i dëgjohej zëri, ndaj dhe kishte shumë miqësi me Haki Rrushitin dhe vëllezërit Taho e Teme Sejkon, me Avdyl Resulin dhe Tahir Demin, si pjesë e vlerave të familjeve me emër në krahinën e Çamërisë.

Por gjithçka do të merrte fund në atë 28korrik të vitit 1960, kur edhe do të arrestohej. Dihet tashmë se çfarë ndodhi më pas më të ashtuquajturin ‘grup armiqësor të Teme Sejkos’. Farsa e gjyqit që dha vendimin nr.93, datë 20. 07. 1961 me gjyqtar Kolonel: Llazi Polena, ndihmës gjyqtar Major: Mane Aliaj dhe Kapiten I:Xhevit Myrto, do të ishte pjesë e lojës së kurdisur nga sigurimi i shtetit me dijeninë e plotë të Enver Hoxhës për t’iu kundërvënë Hrushovit dhe justifikuar para agjenturave të shteteve të tjera që kishin ndikime në politikën e kohës.

Është akuzuar nga Prokuroria Ushtarake e Tiranës (Nr.s’ka, datë 23. 06. 1961 për krimin se: “Është i pakënaqur nga pushteti popullor dhe mik i ngushti I Haki Rrushitit, Teme Sejkon, Avdyl Resulin, Tahir Demin. Pranoi të behej agjent i sigurimit grek, atij amerikan dhe atij jugosllav.

Këto sjellje ndaj çamëve që u akuzuan edhe andej dhe këndej kufirit, i ngjan asaj sjelljes së gjermanëve dhe rusëve ndaj polakëve që u persekutuan pa asnjë shkak, vetëm e vetëm se polakët, siç më ka treguar një ish student në Poloni, Fatmir Gjergji, ishzyrtar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasani, “ju çamët e pësuat si polakët që u persekutuat nga të gjitha anët, sepse ishit atdhetarë dhe krenarë të identitetit tuaj”. Fatmir Gjergji i kishte miq shumë shqiptarë të ardhur nga Çamëria dhe mua artikullshkruesin dhe më fliste me një respekt të veçantë si dhe kishte inteligjencën të bënte krahasimin e popullatës çame me atë polake që ishin vitalë në jetën e tyre, por edhe të pafat në persekutimin që u bëhej në të dyja anët e kufirit.

Kanë kaluar 80 vjet nga gjenocidi grek mbi Çamërinë dhe 80 vjet nga çlirimi i atdheut, por për historinë e vërtetë të shqiptarëve përtej kufirit asnjëherë nuk është folur, sepse historinë e kanë bërë ata që u bënë shërbëtorë të diktaturës./

Artikulli paraprakGjurmët e mafies së mbetjeve të çojnë në kryeministri
Artikulli tjetër“Janë përdorur më shumë se 100 raketa dhe dronë”- Sulmet ruse në Ukrainë, Zelensky thirrje aleatëve perëndimor: Keni fuqinë të na ndihmoni