Cana, entuziast!

Lorik Cana për Shqipërinë, shqiptarët e Zvicrës dhe Kosovën. Janë këto disa nga temat më interesante që prek kapiteni i Kombëtares në një intervistë të gjatë për portalin zviceran “Grenchnertagblatt.ch”, të cilën e nis me elozhet për Vladimir Petkoviç, ish-trajnerin e tij te Lazio që tani do ta gjejë përballë në Europian në drejtimin e Zvicrës. Padyshim që pjesëmarrja me Shqipërinë në Europian për Canën ky është kurorëzimi i një karriere të gjatë me kapitenin që e bën të qartë menjëherë se skuadra jonë ka një mentalitet fituesi dhe dëshiron të fitojë çdo ndeshje, si dhe do të ketë në mbështetje tifozët fantastikë. Kur e pyesin mbi patriotizmin Cana shpjegon: “Po, por kështu janë të gjithë lojtarët e skuadrës tonë. Padyshim që ne jemi paksa më krenarë për kombësinë tonë sa mund të jenë për shembull zviceranët”.
Për t’i shpjeguar përse-në gazetarëve nga Zvicra duhet rrëfyer historia e gjatë e Shqipërisë, Cana përpiqet ta shpjegojë edhe me faktin se shumë nga shqiptarët janë rritur jashtë vendit, por kanë ruajtur zakonet shqiptare dhe janë krenarë për historinë tonë, duke e etiketuar Kombëtaren si pikën që bashkon gjithë këtë forcë. Gjithsesi, nuk ka aspak mllef për shqiptarët që zgjodhën Zvicrën, kur gazetari e ngacmon duke i thënë se ka kritikuar Granit Xhakën, Behramin apo Shaqirin që luajnë për Zvicrën, Cana përgjigjet: “Jo nuk është kështu. Unë kam thënë se do të ishte mirë për ne në këndvështrimin sportiv që këta lojtarë të mëdhenj të luanin për Shqipërinë. Me ta ne do të ishim shumë më të fortë, por askush nga skuadra jonë nuk ka thënë një fjalë të keqe për ta. Madje, unë iu jam mirënjohës për atë çfarë kanë bërë”.
Fjala mirënjohës, padyshim meriton një shpjegim më të thellë të cilin Cana nuk ngurron ta bëjë. “Ata kanë bërë diçka të rëndësishme për Shqipërinë dhe veçanërisht për shqiptarët e Zvicrës. Shumë prej njerëzve tanë Zvicra ju ka dhënë një shans të ri në jetë dhe Xhaka, Shaqiri dhe të tjerët kanë bërë më të njohur emrin shqiptar në Zvicër, duke i kthyer diçka këtij vendi për mikpritjen që iu ka dhënë. Por sigurisht që ata janë shqiptarë, janë vëllezërit tanë”, u shpreh Cana.
Do të ketë edhe një duel mes vëllezërish jo figurativisht në ndeshjen me Zvicrën, ai mes Granitit dhe Taulantit dhe Cana është i bindur se të dy do të japin më të mirën në fushë, duke menduar vetëm për të fituar. Një temë e rëndësishme është dhe ajo e Kosovës, Cana pyetet nëse mund të luajë për Kosovën në eliminatoret e Rusi 2018, dhe këtu qëndrimi i kapitenit është i njohur për të gjithë, me Canën që shprehet.
“Gjëja më e rëndësishme për mua është që Kosova nuk është më e izoluar. Tani futbollistët aty mund të jetojnë ëndrrën e tyre dhe të investohet më shumë në infrastrukturë dhe kampionat. Futbollistët kosovarë ishin si të burgosur, tani janë të lirë. Vështirë se unë mund të luaj për Kosovën. Tani na duhet të gjejmë zgjidhjen më të mirë për të dyja skuadrat, Shqipërinë dhe Kosovën. 99% e shqiptarëve duan që të ketë vetëm një skuadër të vetme të fuqishme, por për arsye politike, tani kjo është e pamundur”, përfundoi kapiteni i Kombëtares.

Exit mobile version