Me problemet që po përjeton Pisa në Serinë B italiane dhe klubin që prej çështjes financiare mund të ndryshojë pronësi, grumbullimi në Kombëtare shërben si një motivim për Edgar Çanin. Sulmuesi shtatlartë shprehet gati dhe në dispozicion të trajnerit De Biasi, nëse do të thirret për të luajtur përballë Izraelit. “Normal që jam shumë i kënaqur për grumbullimin, si për këto ndeshje, ashtu edhe për sfidat e mëparshme. Do të pres shansin tim nga trajneri që të luaj, unë do të jem gjithmonë gati”, u shpreh Çani.
Pavarësisht zgjedhjeve teknike dhe faktit, se cilët lojtarë do të zbresin në fushë, ndaj Izraelit kërkohet fitorja, për të shfrytëzuar në maksimum faktorin fushë. “Është një ndeshje shumë shumë e rëndësishme, sepse duhet ta përballojmë sa më mirë. Duhet të mendojmë medoemos këto ndeshje që do të luajmë në shtëpi dhe t’i fitojmë. Po e përgatisim mirë ndeshjen për ta realizuar këtë objektiv”, tha ai.
Edhe pse gara për një vend në finalet e Botërorit 2018 është mjaft e vështirë, përballë skuadrave si Spanja apo Italia, Edgar Çani beson se Shqipëria ka mundësi dhe shpresa për të realizuar një tjetër ëndërr. “Mundësitë dhe shpresat i kemi. Kështu që duhet të luajmë gjithmonë me shumë forcë dhe vullnet, ashtu si ka ndodhur zakonisht. Ka gjithmonë një dëshirë shumë të madhe për të arritur objektivat. Kjo është ajo që duhet të bëjmë dhe të shkojmë sa më fort”, përfundoi Çani.