Çani rikthehet pas tre vitesh në Kombëtare

Rreth 3 vjet pas ndeshjes së fundit me fanellën e Kombëtares Shqiptare, sulmuesi Edgar Çani rivishet kuqezi. 27-vjeçari që aktualisht është pjesë e ekipit të Pisa-s në Serinë B, thirret nga trajneri Gianni De Biasi pas problemeve fizike të Rey Manajt dhe Armando Sadikut, i cili do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje në gju. Çani do të jetë në dispozicion të skuadrës për ndeshjen ndaj Lihtenshtejnit dhe Spanjës. Ndeshjen e fundit me Kombëtaren, sulmuesi i lindur në Tiranë e ka luajtur në muajin tetor të vitit 2013 në Rejkjavik kundër Islandës, e vlefshme për eliminatoret e Btërorit 2014. Cani numëron 13 takime në total me ekipin kuqezi, 8 sfida zyrtare dhe 5 miqësore. Dy golat e vetëm zyrtarë, ai i ka realizuar ndaj Islandës në Tiranë dhe ndaj Qipros po në “Qemal Stafa”. Sulmuesi shtatlartë ka realizuar gjithashtu edhe një gol në miqësoren e vitit 2012 ndaj Gjeorgjisë, ku skuadra kuqezi u mund me rezultatin 2-1. Gjatë sezonit të shkuar, ai u transferua te Pisa ku në 31 ndeshje arriti të realizonte 6 gola. Çani vazhdon të jetë pjesë e Pisas edhe për këtë sezon. Ai u aktivizua për rreth 20 minuta në sfidën e luajtur të hënën mes Carpit dhe Pisas ku gjatë këtij sezoni është aktivizuar në 7 takime.

Artikulli paraprakAsnjë nënvlerësim në Lihtenshtejn
Artikulli tjetërJahmir Hyka: Nuk ka më ndeshje të lehta