Caparros zëvendësuesi i Del Bosques te Spanja

Vicente Del Bosque mbyll etapën e tij në kombëtaren e Spanjës, që përkon me epokën e artë të “La Rojas”. Trajneri nga Salamanca largohet pasi fitoi Kupën e Botës në Afrikën e Jugut në 2010 dhe me trofenë e kampionit të Europës në 2012-ën. Tashmë Federata Spanjolle e Futbollit duhet të vendosë për emrin që do të pasojë 64-vjeçarin, me objektiv kualifikimin në “Rusi 2018″. Kandidati kryesor është Joaquin Caparros, i cili muajt e fundit ka refuzuar oferta nga klube të ndryshme në Primera Division, si Betis Sevilla dhe Valencia. Vetëm pak ditë më parë refuzoi edhe ofertën e Alaves, në pritje të zhvillimeve në kombëtare. Kuptohet qartë se ky qëndrim i 60-vjeçarit lidhet me dëshirën e tij për të përmbushur një ëndërr, që është drejtimi i “La Rojas”. Në fakt Caparros i është propozuar presidentit të Federatës Villar nga vetë Del Bosque.
Vendimin për Caparros kreu i qeverisë së futbollit spanjoll pritet ta zyrtarizojë pas 20 korrikut, datë kur do të shpallë kandidaturën për president të UEFA-s. Pra, nëse Villar do të jetë kandidat i UEFA-s, atëherë trajnerin e ri të Spanjës do ta zyrtarizojë pasuesi i tij. Kjo do të thotë se Caparros nuk do të jetë i vetmi kandidat. Një gjë është e sigurtë, trajneri i ri i Spanjës nuk do të zgjidhet javët e ardhshme, pasi gjithçka do të varet nga zhvillimet që do të ketë në Federatën Spanjolle të Futbollit.

Exit mobile version