Carlos Bacca drejt Barcelonës

Tjetër emër për sulmin e Barcelonës. Me Luciano Vietton që është shumë pranë transferimit te Sevilla, drejtuesit e klubit katalanas e kanë hedhur vëmendjen nga Carlos Bacca. Sulmuesi kolumbian, i cili i ka prishur raportet me drejtuesit e Milanit po kërkon një destinacion të ri për të ardhmen, kjo edhe për faktin se kuqezinjtë kërkojnë ta shesin me çdo kusht 29-vjeçarin. Bacca ka refuzuar disa herë kalimin në Premier League te skuadra e West Hamit pasi dëshiron të transferohet te një skuadër me emër të madh dhe që merr pjesë në UEFA Champions League. Gazeta katalanase “ElMundo Deportivo” raporton se, Barcelona po lëviz prej disa ditësh për të bërë të mundur transferimin e ish-bomberit të Sevillas në “Camp Nou”.
Gjithsesi për të firmosur me Baccën përveç se duhet të bëjë gati një ofertë prej rreth 30 milionë eurosh, Barça duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Napolit që gjithashtu interesohet për sulmuesin dhe përpara disa ditësh i ofroi Milanit 20 milionë euro plus kartonin e El Kadourit për të marrë shërbimet e kolumbianit. Luis Enrique e pëlqen 29-vjeçarin pasi mbi të gjitha është një golashënues i lindur. Vetë lojtari do ta priste krahëhapur një kalim te Barcelona edhe pse aty do t’i duhet të zëvendësojë njërin mes Messit, Suarez dhe Neymar kur këta tre futbollistë nuk do të jenë të gatshëm për të luajtur. Carlos Bacca u transferua nga Sevilla te Milani një sezon më parë për shumën e 30 milionë eurove. Me kuqezinjtë ai zhvilloi në total 38 ndeshje në Serinë A, gjatë të cilave realizoi 18 gola.

Artikulli paraprakBasha në SHBA, takime me kongresmenë dhe senatorë
Artikulli tjetërBERZH, dy marrëveshje me sistemin bankar në Kosovë