Casemiro fton Neymar tek Reali i Madridit. Pas kapitenit Sergio Ramos, i cili pak ditë më parë u shpreh se sulmuesi i PSG është i mirëpritur në radhët e Los Blancos, një tjetër futbollist i klubit merengues, mesfushori Casemiro shpreh të njëjtën dëshirë. Casemiro është shok skuadre në radhët e kombëtares së Brazilit me Neymar e sheh 25-vjeçarin si përforcimin ideal.
“Neymar është fantastik. Ai e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë në fushë. Është një sulmues i jashtëzakonshëm dhe tek Reali, ai do të ishte gjithnjë i mirëpritur. Sidoqoftë personalisht shpresoj të vijë tek Reali, por për momentin ndihet mirë tek PSG”, u shpreh Casemiro.
Kohët e fundit po përflitet gjithnjë e më shumë për një transferim të mundshëm të Neymar tek Reali i Madridit, madje një lëvizje të tillë mediat e shohin si të mundshme që në verë edhe pse momentalisht nuk mund të flitet për gjëra konkrete. Ndërkohë, përsa i përket shanseve që ka Brazili për t’i shkuar deri në fund Botërorit, Casemiro u shpreh. “E dimë shumë mirë që në Botëror të gjithë duan të mundin Brazilin. Gjithsesi ne kemi një grup shumë të mirë dhe besoj se mund t’i shkojmë deri në fund aventurës në Rusi”, tha ai.