Frrok ÇUPI
Mu bë se vërtet po shikoja “Çatinë”, një film i neorealizmit italian i vitit 1950 e ca.
Para katër a pesë ditësh, mëngjes herët, stadiumi “Qemal Stafa”… Një makineri e rëndë, nga ato që zgjat qafën dhe shkatërron mure, kishte ardhur natën te stadiumi. Rrënonte një copë të madhe nga betoni i vjetër Fashist, dhe ulte kokën pak… Sikur këtë punë po e bënte fshehurazi, por edhe me nxitim. E ngrinte përsëri qafën, shkatërronte një copë më shumë, dhe përsëri ulej galuç. Si një përbindësh i çeliktë, hante stadiumin pikërisht aty ku thuhet se do të ndërtohet kulla…
Pse frikësohej përbindëshi i metaltë?, mendoj… Nga hija e kullës që do të ndërtohet? Nga të zotët që e urdhëruan për gjithë natën? Njerëz nuk dukeshin; as vetë makinisti nuk dukej në kabinë…
Çudi! Policia dhe mediat e kanë bërë zakon që të njoftojnë për gjithçka, madje edhe për parashikimin e motit dhe sterilizimin e 1500 qenve… Por për makinën e madhe që do të hante stadiumin shtatëdhjetë e ca vjeçar, askush nuk kishte thënë një fjalë. Makina e çeliktë nxitonte e vetme, por e kontrolluar. Shefat e qeverisë që kanë rekrutuar “përbindëshin e hekurt”, me siguri survejojnë që nga zyrat…
Sa më shpejt, sa më shpejt!… Kjo moto ishte. Prej pak muajsh është thënë se do të ndërtohet stadiumi i ri i Tiranës… Qeveria ka mbrojtur projektin e kullës me stadium, që është kundërshtuar nga të gjithë. Qeveria ka interes biznesi e fitimesh, prandaj nuk pyeti çfarë thanë të gjithë. Duhet shkatërruar veriu i stadiumit, duhet të fillojë betoni për kullën, të ngrihen muret deri në pikën që nuk mund të prishen më… Ja kaq. Për kaq po shpejton qeveria…
M’u bë se vërtet po shikoja filmin italian “Çatia”, që këtu në Shqipëri u shfaq disa herë nëpër kinema pas viteve ‘60. Ka shumë arsye pse e lejoi komunizmi filmin e Italisë së ndaluar; por mbi të gjitha mendoj se vrulli gati i çmendur i filmit neorealist përshtatej me realizmin socialist. Nuk është ky thelbi i krahasimit të Stadiumit me Çatinë. Thelbi është se këta nxitojnë, nxitojnë sa të hedhin betonin e kullës së re, që të mos ua prishin ata që vijnë… Edhe Natale e Luisa në filmin “Çatia” nxitonin të ndërtonin për gjithë natën shtëpinë e tyre, një si kasolle. Edhe ata në fshehtësi. Të nesërmen në mëngjes do të vinte policia; policia duhej t’i gjente të paktën me një derë dhe me një çati; ndryshe mund t’ua prishte “ndërtimin”.
Çatia dhe Stadiumi…Veç drejtimi i lëvizjes ndryshon në të dy kohët, në të dy vendet dhe në të dy shtresat: Çifti në filmin “Çatia” nxitonte, sepse po vinte në jetë, ndërsa këta nxitojnë, sepse po ikin nga pushteti. Këto janë senset e kundërt. Qeveria këtu ka bërë dëme shumë të mëdha, pa pyetur për njeri. Sa herë janë ngritur grupime të shoqërisë ose të politikës që kanë kundërshtuar projektet e dëmshme të qeverisë, këta kanë bërë akoma më keq. Këta vunë dorë mbi Parkun e Madh të Tiranës, dhe për gjithë natën e hëngrën të gjallë. U ngritën të gjithë kundër, që nga rinia e deri te Presidenti i Republikës. Tani në Park sundon betoni dhe këndojnë kukuvajkat; asnjë fëmijë nuk argëtohet mbi atë beton… Këta ngritën bunkerë m’u në fytyrë të atyre njerëzve që diktatura e bunkerëve iu kishte shkatërruar jetën; një popull që ka vuajtur më shumë se çdo popull nga diktatura komuniste, post-Naziste. Edhe për këtë nuk dëgjuan askënd, por ngritën kultin e nervit të tyre komunist. Këta sollën në pushtet kriminelë, trafikantë, përdhunues, perversë, dhe u imponuan me cinizëm e me dhunë. Edhe vetë Shteteve të Bashkuara iu imponuan; aleati thoshte jo kriminelë, këta kriminelë! Edhe njerëzit i përgjuan me mjete të paligjshme, askush nuk di nëse është përgjuar në shtëpi, në rrugë, në festë apo në morte. Por i është nxjerrë kocka njeriut. Këta guxuan të bëjnë gjithçka…
Këta guxuan që të bëjnë edhe një kullë (për vete) me një stadium (për sportistë). Të gjithë thanë jo. Të gjithë, me nga një zë të hollë. Zëri i trashë iu përkiste këtyre që dhunojnë të drejtën e të gjithëve, sepse këta kanë në dorë edhe mjetet e publikut që transmeton zëra dhe figurë.
Këtu erdhën në fund. Një mbrëmje të vonët urdhëruan përbindëshin e çeliktë; dhe ky, që pas mesnate erdhi galuc- galuc rrëzë mureve të stadiumit dhe nisi ta rrënojë. Rrëno një pjesë dhe fshihu prapa murit. Deri në mëngjes kështu. Derisa të ngrihet betoni i kullës në masën që nuk mund të shembet më. Sepse këta e dinë se sapo të ikin (dhe tashmë janë në ikje), dikush mund tua rrëzojë kullën. Të paktën këta kështu bënë kur erdhën: I rrënuan pronat e atyre që nuk iu shkonin për shtat, prishën shtëpi e hotele, burgosën të vobektë, madje edhe një prind në Durrës që po hidhte çatinë…Prindin e dërguan në burg, por pas pak ditësh humbi edhe dy fëmijë engjëj, teksa makina u përplas në çelik-ndarëset ku devijohej për në një korrupsion qeveritar… Vetëm për çatinë.
Këta po nxitojnë, në ikje….Gjithçka flet për ikje. Ata që kanë kuptuar, ose që kanë ditur çfarë po bëjnë, i kanë paketuar gjërat. Të tjerët ndodhen në krizën e naivit. Dje, ish-kryeministri Majko, tani një eksponent dhe përkrahës i qeverisë Rilindja, deklaroi se “po shkojmë në karantinë” si të dështuar. Vetë kryeministri, njeriu që ka ditur çfarë po bën për vete dhe në ç’greminë po i çon të tjerët, doli serbes e tha se bën veç “atë që do vetë”. Të tjerët thanë se nuk ka më asnjë hap përpara drejt Bashkimit Europian. Aleati kryesor në koalicionin qeveritar, dje tregoi se nuk është më aleat; të paktën nuk voton për një reformë “që nuk ka konsensus”. Ilir Meta nuk mund të shkelë mbi çdo princip. Pa këtë votë, këta shkojnë në shtëpi dhe… kulla e stadiumit prishet. Në qoftë se makina me dhëmbë të hekurt nuk nxiton të hedhë edhe betonin, atëherë iku edhe kulla… Ky është nxitimi.
Nuk është nxitimi për të bërë ndonjë punë “për popullin”, siç kanë mësuar të thonë në socializëm. Populli po vuan një jetë të rëndë ekonomike; mijëra e mijëra mund të ngelen pa bukën e gojës. Popullin e kanë futur në borxhe vdekjeprurës. Secili, në shtëpinë a në pronën e tij, sot 70 për qind të asaj që ka, e ka në borxh për shkak të qeverisë. 400 milionë euro i zhdukën vitin e kaluar. 395 milionë euro thanë se po ia japin shëndetësisë, por asgjë për tjetërkënd veç vetes… Njerëzit kanë fituar neveri për qeveritarët e tyre.
Ndoshta edhe për këtë arsye këta po nxitojnë; që të mos duken më para popullit të zemëruar.
Këta po shkojnë. Kaq ishte mjaft. Dje, mediat (madje media afër qeverisë) shkruan se dy ministra janë bërë gati për në burg. Ministri i Brendshëm rrethon gjykatat me pak njerëz të lajkatuar. Presioni i fundit. Shefi i tij, me sa duket e ka lëshuar.
Shefi i tyre kryeministër ka mbetur vetëm. Socialistët po ndahen e shkojnë pas Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit. Kryetari historik, Nano, kërkon katarsis para se “Rilindja të na çojë në vdekje”.
Më duket se të gjithë po luftojnë për një çati. Këta që u shtynë nga Rilndja, kërkojnë çati socialiste. Aleatët kërkojnë çati politike edhe për nesër, prandaj nuk bëhen palë. Të varfërit që plaçkiten nga qeveria, duan veç një çati, edhe sikur në burg… Ministrat dhe kryetarët e bashkive që shkojnë në burg, e kanë çatinë.
Të tjerët që ishin shefa më të mëdhenj, këta po nxitojnë. Të paktën të hedhin betonin në kullën ku do të dalin ca miliona të tjerë. Ky është simboli i kësaj kohe që po jetojmë: Sa më shpejt të marrin çfarë munden…
Në fakt është e kundërta e Çatisë së filmit: Ai ishte një çift i varfër që vinte në jetë, këta-pasanikë që po ikin.