Edinson Cavani shuan zjarrin. Pas atij episodi aq shumë të përfolur e mediatizuar mes uruguajanit dhe brazilianit Neymar, mbi momentin e gjuajtjes së penalltisë në sfidën me Lion, sulmuesi i Paris Saint Germain deklaron se, tashmë klima është e qetë dhe mes tyre nuk ka më tension. Nga grumbullimi me Kombëtaren e Uruguait dy ditë para sfidës me Venezuelën, e vlefshme për kualifikimin në Botërorin Rusi 2018, 30-vjeçari saktësoi:
“Janë gjëra që ndodhin në futboll. Bëhet fjalë për episode, që më pas marrin përmasa të tjera nga media, që i fryn e i zmadhon ato. Sidoqoftë e rëndësishme është që gjithçka të sqarohet në dhomat e zhveshjes”, u shpreh Kavani.
Situata të tilla kanë zgjidhje dhe e rëndësishme është që ish-bomberi i Napolit duket se i ka vënë kapak kësaj historie. Gjithçka, nisi në 17 shtator në sfidën përballë Lionit, e cila përfundoi me rezultatin 2-0 në vafor të PSG, ku Neymar dhe Cavani u panë duke debatuar se cili do të gjuante penalltinë. Tashmë duket se dy amerikanojugorët kanë një bashkëjetesë të qetë në klubin nënkampion të Francës.