Çdo anëtar e simpatizant në funksion të forcimit të PD

Nga Zenel Hoxha

Partia Demokratike është shtëpia e lirisë dhe e vlerave të demokracisë në Shqipëri që më 12.12.1990. Kjo forcë politike ka një histori të lavdishme politike në rrugëtimin e saj. Si firmëtar i themelimit të së cilës jam, ndihem krenar dhe i lumtur që në ato momente të vështira për kombin të isha aty përballë diktaturës më çnjerëzore në botë. Prej ditës së themelimit, PD ka uljet dhe ngritjet e saja, suksese dhe dështime, ka qenë në pushtet dhe opozitë, ka pasur qejfmbetje brenda radhëve, përplasje, por në fund çdo gjë është zgjidhur brenda “shtëpisë” (dhe me kthimin dhe të plangprishësve), kësaj familje të madhe politike, e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Shqipërisë dhe integrimin e saj.
Sot PD gjendet në një moment të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve Parlamentare të 25 qershorit. Lulzim Basha e ka marrë përgjegjësinë e vet! Unë mendoj që rrethanat janë të ndryshme që kanë të bëjnë dhe dobësinë e strukturave, mos angazhimi i përfaqësuesve të elitës politike të partisë në qeverinë Berisha deri në 2013, ku nuk u angazhuan në fushatë për ego personale, si dhe më kryesorja deformimi i votës, blerja e saj, e konstatuar kjo dhe nga raporti  paraprak të OSBE-ODHIR dhe deklarata e Ambasadës së SHBA. Këto arsye, shqiptarët i dinë dhe PD duhet dhe i ka mundësi t’i diskutojë në këtë garë të brendshme, të drejtë dhe të duhur dhe me sa më shumë kandidatë të mundshëm. Kritikat janë të pritshme dhe të pranishme, por të patolerueshme, kur Partia dhe lideri i saj goditen në mes të fushatës e më pas këto sulme vijojnë dhe pas humbjes! Arsyeja?! Mbetja jashtë listës për deputet! Kjo është e pafalshme. Këtë e them jo vetëm si qytetar, por dhe si një nga themeluesit e kësaj force politike, nga e cila kurrë nuk kam përfituar prej saj (siç kanë bërë shumë prej të angazhuarve). Brenda nesh gjithnjë ka pasur luftë bërrylash, e kjo më ka ndodhur dhe mua, por kurrë nuk i jam kundërvënë forcës politike, të cilën themelova dhe kjo nuk mund të ndodh me ata që kanë qenë përfitues direkt, duke qenë drejtues të lartë të shtetit, falë votës së demokratëve dhe shqiptarëve!.
Çdo demokrat, themelues, anëtar i thjeshtë, nivel i lartë drejtues në parti ose qeverisje duhet medoemos të bëj të pamundurën të kontribuojë dhe rimëkëmbjen fuqishëm të PD dhe ardhjen e saj në pushtet si alternativë e besueshme dhe garanci për një ekonomi më të mirë, të ardhme më të sigurt dhe një Shqipëri të integruar në BE.
Çdokush nga ne që nuk e bën një gjë të tillë, veçse e dëmton PD. Pavarësisht debateve, tashmë ka nisur gara, pjesë të së cilës janë dy personalitete të partisë, si Lulzim Basha dhe Eduard Selami.
Gara ka startuar. Që të dy tashmë do të kërkojnë, besimin e demokratëve për drejtimin e partisë me synim fitoren zgjedhjeve të radhës. Eduard Selami është pjesë e historisë së partisë, themelues, ish-kryetar, deputet, Lulzim Basha kryetari aktual i PD, i cili është parë nga të gjithë si e ardhmja e saj, sepse prej ardhjes së tij në këtë forcë politike dhe angazhimit, ai ka qenë një politikan i suksesshëm. Po e nis nga më kryesorja sipas meje në atë çfarë kam konstatuar si President i Dhomës së Tregtisë shqiptaro-britanike. Lulzim Basha ka qenë dhe është një personalitet i jashtëzakonshëm në promovimin e vlerave të Shqipërisë jashtë saj me shumë dinjitet, si ministër i Jashtëm dhe jo vetëm. Këtë gjë e kam konstatuar në Britaninë e Madhe, në Londër, e thënë kjo nga Lordët e personalitete të tjera të politikës britanike, me të cilët e kam takuar disa herë. Pa dashur të hyj në këtë garë interesante dhe dinjitoze, pasi që të dy i kam miq, mendoj se Partia Demokratike për kohën e sotme dhe të ardhmen e saj, ka nevojë për konfirmimin e Lulzim Bashës si kryetar të saj.
Që të dy kandidatët kanë mentalitet perëndimor, por që Lulzim Basha dhe si i shkolluar në Perëndim ka energjinë, vizionin, eksperiencën tashmë, që ta ngrejë fuqishëm këtë forcë politike drejt fitores. Si një prej demokratëve që kam hedhur themelet e ngritjes së PD-së, mendoj që secili nga garuesit, pavarësisht mendimit ndryshe, të ballafaqohet me demokratët, të shkojnë pranë tyre me platformat më të mira dhe të jenë ata që të gjykojnë kush do të jetë kryetari i ri i Partisë Demokratike më 22 korrik. Askush më mirë se anëtarësia nuk do të jetë gjykuesi më i mirë. Thirrja ime është që kjo garë të shërbejë që PD të dalë më e fortë, askush të mos pushtohet nga mllefi, të mos sulmojmë dhe të akuzojmë njëri-tjetrin, por të fitohet besimi i anëtarësisë. Fituesi të urohet, t’i shtrëngohet dora dhe të mbështetet, me qëllim që familja jonë politike të jetë e bashkuar dhe fituese si alternativa më e mirë për të ardhmen shqiptarëve. Të gjithë të punojmë fortë që PD të votohet në plebishit si forcë perëndimore me vizion zhvillues, progresiv, integrues.
Çdo energji e jona duhet të jetë në funksion të ngritjes së Partisë Demokratike dhe jo dëmtimin e saj.
Autori është anëtar i Komisionit Nismëtar të PD më 12 Dhjetor 1990. Kryetar i Komisionit Nismëtar të PD për Tiranën, President i Dhomës së Tregtisë shqiptaro-britanike

Artikulli paraprak‘Droga’, ngecin hetimet kundër Klemend Balilit
Artikulli tjetërGjykata Speciale, padrejtësi historike që është dashur të gëlltitet