“Çdo ditë po humbiste peshë”- Djali i legjendës Panajot Pano rrëfen vështirësitë e të atit: Duhet t’i hiqeshin organet, operacioni ishte i vështirë, zgjati 7 orë

Rikthehemi pas në kohë, pikërisht në vitin 1998. Nga trazirat e shkaktu ara në Shqipëri kishte një situatë kaotike dhe të pasigurtë. Kjo bëri që familja Pano të transferohej në Greqi. Ledio, në atë kohë sapo kishte nënshkruar një kontratë me klubin e Kategorisë së Dytë greke, Elefsina.

 

Në apartamentin ku jetojnë në këtë qytet, bashkë me të janë edhe prindërit, mamaja Rebeka dhe i ati Panajoti. “Morëm shtëpi, ishim sistemuar mirë. Ishte muaji gusht dhe unë kisha nisur stërvitjen dhe grumbullimet, pasi ka qenë prag kampionati. Të tre kishim qenë edhe në Ksanthi, ndërsa kjo ishte eksperienca e dytë bashkë me familjen”, tregon Ledio. Mirëpo, në muajin tetor, papritur gjendja shëndetësore e Panajot Panos nisi të përkeqësohet.

Ndërsa ditët, javët, kalojnë gradualisht, pa e kuptuar gjendja e tij filloi të rëndohet edhe më shumë. Ka humbje ekuilibri, që e detyrojnë të mbështetet për të lëvizur në krahët e të birit dhe bashkëshortes. Por ai nuk e shfaq, teksa e mban veten. Ndonëse edhe në atë gjendje, shkon për të ndjekur Ledion në stërvitje. “Humbiste sistematikisht në peshë. Në javët e fundit të vitit, konstatoja që edhe në shtëpi ishte i pafuqishëm në lëvizje, jo si më parë.

Ishte 59 vjeç, por e shihja që mezi çohej kur binte zilja e derës. Pastaj në një rast, kur ishte i mbështetur te shkallët, u rrëzua. E ngrita dhe ky ishte momenti që realisht kuptuam se diçka tek ai nuk funksiononte. Të gjithë ishim në merak. Motra ishte në Amerikë, pyeste sistematikisht, ndërsa ne shihnim gjendjen që po përkeqësohej”, kujton i biri. Në këto rrethana, të informuar për këtë situatë shqetësuese të shëndetit të Panos, në Elefsina mbërritën zyrtarë të FSHF-së për të parë gjendjen e tij, si dhe mundësinë për ta ndihmuar dhe ndërhyrë në të gjithë mënyrat.

Kanë nisur kontrollet shëndetësore falë përkujdesjes së një miku të familjes, Thanasit, tifoz personal i Ledios. Një dashamirës për shqiptarët, ai ka qenë njeriu me një kontribut të madh në këtë situatë delikate për familjen e Panos. Ishte ai, që duke i siguruar dokumentet, e trajtoi Panajotin si njeri të familjes së tij, duke i garantuar vizitat mjekësore. I kanë rekomanduar një mjek, një ndër kardiologët më të mirë të spitalit në qendër të Elefsinës.

Nisi të bëj analizat, duke u paraqitur dy-tri ditë në javë për kontroll. Pasi ka bërë ekon e zemrës, mjekët kanë konstatuar se në pjesën e poshtme të aortës, nga goditjet që kishte marr, ishte krijuar një masë, që dita- ditës fryhej si një tullumbace. Ndonëse rrezikonte plasjen, nuk ishte ky shkaku për atë që po vuante Panajoti. Kjo dukej qartë. Ai vazhdonte të humbte në peshë dhe arrit deri në 60 kile. Një situatë që vazhdon e tillë 3-4 muaj, në gjendje e rënduar, teksa fuqia i binte dita ditës.

“Falë miqësisë me Thanasin, familjen e tij, e ndihmonte babin për të bërë analiza nga më të vështirat dhe të kushtueshme. Merrnin ilaçet për të, duke përdorur letrat si qytetar grek, pasi babai nuk kishte letrat e veta. U shtrua në spital, aty ku qëndronte çdo dy ditë dhe më pas dilte. Sërish tri ditë të tjera, dilte përsëri. Kjo situatë zgjati për rreth 3-4 javë”, rrëfen Ledio Pano për ditët e vështira në Greqi.

MARS 1999

Më 7 mars të vitit 1999 Panajot Pano mbushi 60 vjeç. Nga Tirana, enkas nga Ministria e Mbrojtjes, i është bërë një ftesë dhe me këtë rast do të promovohet edhe libri i gazetarit Dëfrim Methasani kushtuar legjendës së futbollit shqiptar. “Vendosëm të vinim, babai kishte shumë dëshirë, por rrugë e largët dhe udhëtimi me makinë është i papërballueshëm. Kështu që nga Athina në Tiranë erdhëm me avion. Në Rinas punonte gruaja e dajës, e cila doli për të na pritur, takoi mamin, por babin e transformuar tërësisht nuk e njohu. Na pyeti ku është Panajoti…”, tregon Ledio.

Në sallën e Hotel “Tirana” u organizua një ceremoni me shumë të ftuar. Në ditët në vazhdim, duke qëndruar me burrin e tezes, Mihal Kerci, mjek në Spitalin Ushtarak dhe shef i pavionit të kardiologjisë, anestezisti më i mirë në këtë detyrë, ai e pyet: “Panajot, i ke bërë të gjitha kontrollet? Po analizat për tiroidet?”. “Jo”,- i thotë Panajoti.

“Këtu nuk mund të kryhen, është e pamundur. Duhet t’i bësh menjëherë në Greqi”, e këshillon ai. Menjëherë pas kthimit në Greqi, janë takuar me mikun Thanas dhe me të janë drejtuar në spital, ku iu nënshtruar analizave përkatëse. Për të marrë përgjigjet, janë Panajoti me bashkëshorten, Thanasi me gruan e tij, ndërsa Ledio është në stërvitje. Në pritje nga zyra e informacionit është shfaqur një mjek me një fletë analizash në dorë, i alarmuar dhe familjarët të shqetësuar e kanë pyetur: “Doktor si kanë dalë analizat?” Ai ka ndaluar dhe me një farë habie, ka reaguar: “Jeton ky person?”. “Po”, i janë përgjigjur. “Ja, ky këtu është”, e ka sqaruar Thanasi në greqisht duke i treguar Panon.

“Nuk ka mundësi”, ka vijuar ai i shtangur. “Analizat janë skandal, punë ditësh, pacienti nuk e ka të gjatë”, është shprehur ai në greqisht. Tejet të tronditur, atë natë urgjentisht, me këshillën, orientimin e një mjeku specialist tiroidesh, kanë filluar ilaçet me normë të fortë, dozë të madhe, të dyfishtë. Nga momenti i kurimit, vetëm pas dy ditësh, gjithçka ka filluar të ndryshojë. Filloi t’i vijë ngjyra e fytyrës. Pano rikuperon dita ditës, duke marrë peshë, fuqi dhe fizikisht ndihet më mirë. Por, pa harruar që problem mbetet ai tullumbaci dhe rreziku që e kanoste, e që duhej hequr pasi rrezikonte të plaste.

“Burri i tezes, i njohur në Ministrinë e Mbrojtjes, flet me ministrin Luan Hajdaraga, tifoz, mik i babit dhe me ndërhyrjen e tij, nxirret një fond financiar që Pano të operohej në Greqi, pasi vetëm aty mund të realizohej ajo ndërhyrje. Ministri Hajdaraga, në një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes së Greqisë, mundësoi që ndërhyrja të kryhej në Spitalin Ushtarak, 404, një nga më të mirët në Athinë.

Kjo, edhe nga fakti se babai kishte qenë ushtarak. Asistoi edhe burri i tezes, si mjek ushtarak i NATO-s, pasi nuk lejonin të huaj. Babi u shtrua në korrik, ndërhyrja ishte e gjatë, e vështirë, rreth 6-7 orë operacion. Duhet të hiqeshin organet. Ia prenë tullumbacen, duke e zëvendësuar atë pjesë me zorrë derri. Gjithçka përfundoi në rregull, pa komplikacione”, rrëfen Ledio, që në atë kohë ishte transferuar në Janinë, duke bërë një kontratë me klubin tjetër grek.

“Pas ndërhyrjes dhe kohës që duhej për rikuperim, babi me mamanë u sistemuan në shtëpinë e Thanasit. Pastaj erdhën në Janinë, aty ku qëndruan me mua. Kur u bë më mirë, vinte për të parë njerëzit. Nuk ndahej nga Shqipëria, e ftonin për festa, miq, shokë, pasi edhe dhe nga Janina ishte afër. Edhe në Korfuz erdhi me mua dhe me anije shkonte në Sarandë. E prisnin miqtë e tij të vjetër, Vangjel Çakuli, Kasem Kasemi etj”, mbyll Ledio rrëfimin e tij.

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT

Artikulli paraprakKamerat kineze në zonat ushtarake në Rumani nxisin shqetësime për sigurinë
Artikulli tjetërJeta e fshehtë e Gabriel Garcia Marquez – sipas birit të tij