Çdo sakrificë për votën do ta mbrojmë me çdo çmim

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi dje nga sheshi i lirisë së protestës qytetare se shqiptarët do ta mbrojnë me çdo çmim dhe me çdo kusht dhe se do të jenë të gatshëm për të bërë çdo sakrificë. “Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për votën tonë të lirë. Nga kjo çadër në emër tuaj le t’i çojmë këtë mesazh Edi Ramës: Ne jemi këtu në një mision të pathyeshëm, mision të votës së lirë. Duhet t’u japim fjalën shqiptarëve dhe mbarë botës se kurrë nuk do i dorëzojmë  votën kryekriminelit Edi Rama. Dua t’i them këtu Edi Ramës ta mësojë mirë se me durim po kërkojmë asgjë tjetër vetëm votën që ti kërkon ta helmosh me drogë, kërkon ta vrasësh me krim. Por të jesh i bindur se për votën jemi të gatshëm për çdo sakrificë. Gabon rëndë nëse mendon ndryshe. Herët ose vonë, ne që jemi këtu do të faktojmë ty se votën jemi të gatshëm ta mbrojmë me çdo çmim, ta mbrojmë me çdo kusht, të mos ja dorëzojmë kujt kurrë përveç vullnetit tonë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri u bëri thirrje shqiptarëve që të luftojnë për votën e lirë pasi të gjitha problemet e varfërisë mund të zgjidhen pikë së pari duke zgjidhur problemin e votës, i cili i bën qeveritarët të jenë përgjegjës përpara zgjedhësve të tyre.
“Qytetarë dhe qytetare të çadrës së shpresës, burra dhe gra, që me entuziazmin tuaj, me sakrificën tuaj rrezatoni në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, në çdo skaj dhe qoshe të këtij vendi, shpresë dhe besim tek vendi dhe e ardhmja. Ju përshëndes dhe përulem me nderimin më të madh, para çdo sekondi, minute, ore, sakrifice tuajën këtu në çadrën e lirisë, në çadrën e pushtetit të popullit, në çadrën e vullnetit të qytetarëve.
Këtu nga ju unë dua t’u drejtoj thirrjen më miqësore, thirrjen më vëllazërore çdo shqiptari pavarësisht nga bindjet e tij politike, thirrjen nëse i besoni apo jo votës së lirë, nëse duhet apo jo që ne të përcaktojmë votën e lirë si rrugën për të garantuar të ardhmen që meritojmë. Ju ftoj të dashur shqiptarë të mendoni për votën tuaj. Unë e di se me qindra e mijëra kur më dëgjoni këto fjalë thoni lëri këto që thua: Ne s’kemi kafshatën për të ngrënë. Dhe unë jam me ju, kafshata është më e rëndësishme se vota, kafshata është jeta. Po ju them ju të tjerëve, a ka një rrugë tjetër që këta njerëz mos numërojnë kafshatën? A ka një rrugë tjetër që ju të ndjeheni të lirë, të sigurtë, të ndjeheni me dinjitet në vendin tuaj përveç votës së lirë? Jo nuk ka. Atëherë le të luftojmë për të votuar të lirë, të luftojmë edhe për ata, të cilët e vërteta është që dhembja, lotët e mjerimit për kafshatën ja u kanë shuar tërësisht sensin dhe kuptimin e votës. Të luftojmë që dhe ata gradualisht të kuptojnë se problemin e kafshatës do ta zgjidhim vetëm duke votuar të lirë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri paralajmëroi rrezikun që ka sjellë kanabizimi i vendit. Ai deklaroi se droga po vret të ardhmen e këtij vendi.
“A nuk e dimë ne se ata që numërojnë kafshatën duhet ta kenë patjetër atë. A nuk e dimë ne se droga siguron para të madhe? Sigurisht që i dimë të gjitha këto. Por droga helmon të ardhmen, droga damkos dhe bllokon zhvillimin, droga vret shpresën dhe perspektivën e një vendi, droga shndërron një vend në një vend të mallkuar jo vetëm për kombin e tij, por për të gjitha kombet e tjera. Kjo është arsyeja që ne qëndrojmë fuqishëm kundra saj”, tha Berisha.

Skandali, Rama shpërbleu vrasësit e Azem Hajdarit

Ish-Kryeministri Berisha denoncoi dje nga çadra e protestës shpërblimin që Rama u ka bërë vrasësve të Azemit përmes një skemë djallëzore, e cila e implikon direkt atë përmes Avokatit të Shtetit. “A e dini ç’bëri apo jo? Me vendim qeverie pagoi paratë e papaguara vrasësve të Azem Hajdarit. Po si i pagoi do thoni ju? I çoi në Strasburg dhe nuk çoi Hickën për të mbrojtur shtetin. Ndaj dhe nëse duam që votat tona t’i numërojë Aldo Bare, t’i numërojnë vëllezërit Shyti, t’i numërojë Lul Berisha atëherë ne le të vazhdojmë duke humbur votën tonë”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri ka dënuar lidhjet kriminale të Ramës me organizatën terroriste Hakmarrja për Drejtësi dhe krimin në Shqipëri, “ju bëj thirrje nga thellësia e zemrës. Vetëm për një moment pyeteni veten se çfarë kanë këta demokratët me krimin, pse e kanë këta krimin kaq problem kryesor. Përgjigjja ime është një dhe vetëm një: absolutisht, para së gjithash dhe mbi të gjitha për votën e lirë, sepse Edi Rama, njëlloj si etërit e tij për çështjen e pushtetit përdor krimin për t’ju shtypur juve votën, përdor krimin që ju të mos votoni të lirë. T’i marrim me radhë. Erdhi në pushtet me 19 vrasës e trafikantë në Parlament. Braktisëm 6 muaj Parlamentin. PE imponoi marrëveshjen. Çfarë bën me ligjin e dekriminalizimit Edi Rama? Edi Ramën ligji e nxori lakuriq siç është, ai nuk shkëputet dot kurrë nga krimi. Ai, nën presionin e madh i imponon Ndokës dorëheqjen, ndërkohë i jep karta biankën e Partisë Socialiste për Lezhën. Ai, pasi me Denar Prengën ja mbrojti mandatin, i kërkon të dorëhiqet. Po pse? Sepse do që ta kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Pra, çfarë bën tjetër? Liroi Hakmarrjen për Drejtësi, klubin e strukturuar terrorist të Ballkanit. I them se je bashkëpunëtor i shëmtuar i terrorizmit. Çfarë bën tjetër? Liroi Lul Berishën. Së shpejti do të lirojë Zani Çaushin dhe Konstandinin e Luizës. Atëherë më thoni ju mua për çfarë duhen ata të tjerët në burgjet tona? A ka kriminel më të rrezikshëm në burgjet tona se sa Lul Berisha? A ka në burgjet tona kriminelë më të rrezkshëm se sa terroristët Shyti? A ka në burgjet tona kriminelë më të rrezkshëm se sa Aldo Bare?”, tha Berisha.

Pa test droge, Rama nuk shkon në Parlamentin e ri

Ish-Kryeministri deklaroi dje se shqiptarët nuk të lejojnë Ramën që të shkojë në Parlamentin e ri pa bërë testin e drogës.
“Do të përpiqem shumë dhe do të bëj gjithçka, dhe le ta mësojnë, se në Parlamentin e ardhshëm nuk do të ulet deputet pa bërë testin e drogës! Ta mësojë se s’ka për t’u ulur deputet në atë Parlament pa bërë testin e drogës Edi Rama. 24 orë mbajti Parlamentin me ligjin e dekriminalizimit dhe nuk e pranoi. Ta dish mirë se qindra mijëra shqiptarë do të bëjnë ty testin e drogës pa asnjë diskutim. Këtë që i bëre vendit ti, nuk mund t’ja bënte kurrë një njeri normal, s’mund ta mbushte kurrë një njeri normal vendin e tij me kanabis, për ta shndërruar në një vend të mallkuar nga një vend i bekuar”, u shpreh Berisha.
Ai kujtoi se Rama është vetë përdorues i rregullt droge duke sjellë në kujtesë edhe një deklaratë të tij. “Edi Rama vetë është përdorues droge. E them këtë sepse si drogmen ai drogën e quan si një gjë të mirë. A nuk i tha ai Pandeli Majkos si s’të bëra peshqesh për ditëlindje hashash? Ja tha publikisht këtë. Ato që thuhen në televizion, ato nuk janë spontane, ato janë të kalkuluara”, tha Berisha.

Dallimi mes Kolumbisë dhe Shqipërisë

Ku është dallimi mes Kolumbisë së drogës dhe Shqipërisë së kanabisit? Berisha ka bërë një paralelizëm me deklaratat e kandidates për presidente në Kolumbi që vizitoi Shqipërinë.
“Këtu para tre ditësh ishte një personalitet shumë i shquar i politikës ndërkombëtare, ish-kandidatja e Kolumbisë për Presidente, zonja Ingrid Betancourt, të cilën karteli i drogës një ditë prej ditësh e grabiti tek bënte garën për presidente. Qeveria franceze ndërhyri për vite të tëra dhe më në fund e liroi. Zonja tha këtu se Shqipëria nuk i dukej si Kolumbia. Për zonjën Betancourt kjo ishte shumë e drejtë, sepse atë nuk e rrëmbeu qeveria e Kolumbisë. Qeveria e Kolumbisë kishte vite e vite që kishte angazhuar ushtrinë kundër kartelit të drogës dhe luftonte kundër tij. Kurse këtu karteli i drogës është qeveri, këtu, në dallim nga Kolumbia, plantacionet e kanabisit i mbjell qeveria, i mbjell kryeministri, i mbjell ministri i Rendit, i mbjell Partia Siçiliste, e cila ka shndërruar strukturat e saj në struktura kanabiste.
Do t’u jap dy shembuj. Në vitin 2010, merrni statistikat e Italisë, nga Shqipëria kanë shkuar drejt brigjeve të Italisë 65 kg kanabis në një vit. Viti 2009 ishte vit zgjedhjesh, kjo ishte ndërhyrja e kanabisit në vit zgjedhjesh. Sa kanë shkuar në 2016 deri tani në Itali? 150 tonelata, kjo është statistika e fundit. Dhe italianët e thonë vetë se kapin vetëm 10-15% ndërsa pjesën tjetër nuk e kapin dot. Por çfarë ndodhi? Pse u mbush vendi me drogë? Vendi me drogë u mbush vetëm e vetëm për një qëllim; me qëllimin që të helmohet vota, që vota të drogohet me çdo kusht, që kanabisi të përcaktojë vullnetin e shqiptarëve. A mund të votohet në një vend ku në të katër anët e vendit sundojnë bandat e armatosura të kanabisit? Ky kriminel, që qëndron në zyrën e kryeministrit bërtet si i çmendur çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë se po bën shtet. Çfarë shteti po bën ti more, çfarë ligji po bën ti që ke vendosur bandat në çdo centimetër katror të këtij vendi të mbjellë me kanabis. Ti tallesh me qytetarët, tallesh me shqiptarët kur thua se po ndërton shtet, në një kohë kur vendin e ke mbushur me kanabis dhe ja u ke lëshuar bandave. Ti po ndërton shtetin e krimit, po ndërton shtetin e drogës, po ndërton banditokracinë”, tha Berisha.

Arben SHAHINI

Exit mobile version