CDU mbështet Koalicionin Euroatlantik/ Falenski: E vetmja forcë me një politikë për qytetarët, jo për interesa personale

Hans-Joachim Falenski, këshilltar i Gunther Krichbaum – zëdhënës për çështjet europiane i CDU në Bundestagun gjerman, u bë sot pjesë e aktivitetit elektoral të Lulzim Bashës, duke përcjellë përshëndetjet dhe mbështetjen e selisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë.

Falenski tha se Krichbaum e ka parë programin e Koalicionit Euroatlantik dhe e ka vlerësuar si “politikën e vetme bindëse, realiste, të realizueshme dhe të mirë për njerëzit e këtij vendi.” Ai nënvizoi se CDU ka kontribuar në hartimin e programit elektoral të këtij koalicioni, duke sjellë përvojën dhe standardet më të mira europiane në thelb të politikave të propozuara.

Pjesë nga fjala e Falenskit:

Së pari, dua t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga zëdhënësi ynë për çështjet evropiane në grupin parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Günther Krichbaum. Ne sapo kemi përfunduar me sukses negociatat për koalicionin qeverisës dhe ai ka qenë i përfshirë ngushtë në to. Për këtë arsye nuk mundi të jetë këtu! Ai ju uron shumë suksese në zgjedhje!
Günther Krichbaum e ka parë programin tuaj elektoral. Ai ju përcjell këtë mesazh: Koalicioni EuroAtlantik është e vetmja forcë politike në këtë vend që ofron një politikë bindëse, realiste, të realizueshme dhe, mbi të gjitha, të mirë për njerëzit e këtij vendi!
Që nga viti 2010, kjo është hera e 18-të që vizitoj vendin tuaj të bukur.
Jam bashkuar me Koalicionin EuroAtlantik sepse dua të angazhohem për t’i sjellë Shqipërisë një politikë moderne dhe të ndershme – një politikë ku në qendër qëndron mirëqenia e njerëzve dhe jo pasurimi personal.
Kam ardhur këtu sepse jam i bindur se vetëm nën drejtimin e Koalicionit EuroAtlantik me Lulzim Bashën në krye, problemet e mëdha të Shqipërisë në ekonomi, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, shëndetësi dhe arsim mund të zgjidhen në mënyrën më të mirë dhe më të suksesshme.

Artikulli paraprak“Ajo që na mban bashkë është dashuria për vendin”, Basha: Shqipëria meriton të ndahet nga 12 vite dështime, korrupsion të Edi Ramës dhe nga tranzicioni 35 vjeçar
Artikulli tjetërCDU mbështet SPAK-un dhe dënon çdo përpjekje për të penguar drejtësinë, siç ishte dhe amnistia