Ceballos, futbollisti i ri i Realit

Tashmë është zyrtare. Dani Ceballos është futbollisti më i ri i Realit të Madridit. Mesfushori, i cili shkëlqeu me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve të Spanjës në Europianin që u zhvillua në Poloni, ka firmosur për 6 sezonet e ardhshme me Los Blancos. Për kartonin e Ceballos, Reali i Madridit ka derdhur në arkat e Real Betis shumën e 17 milionë eurove.
Barcelona zyrtarizon blerjen e Nelson Semedos nga Benfica. Në mënyrë surprizë drejtuesit e klubit blaugrana në pamundësi për të marrë shërbimet e njërit mes dy spanjollëve që luajnë në Premier League, Hector Bellerin dhe Cesar Azpilicueta, u hodhën në sulm për 23-vjeçarin portugez. Pas një operacioni blic, Barça arriti marrëveshjen me Benficën dhe Nelson Semedo është mbrojtësi i djathtë më i ri i klubit katalanas. 35 milionë euro ishte shuma me të cilën Barcelona bindi Benficën për të marrë shërbimet e Semedos.
Villareali blindon Cedric Bakambun. Sulmuesi kongolez ka firmosur për një kontratë të re që do ta mbajë të lidhur me nëndetësen e verdhë për 5 vitet e ardhshme. Paraqitjet e mira të Bakambut në sezonin e fundit kanë bindur drejtuesit e Villarealit t’i ofrojnë një marrëveshje të re sulmuesit me një pagë më të mirë, duke larguar kështu edhe sirenat e klubeve angleze që interesohen për lojtarin.
Adnan Januzaj firmos me Real Sociedadin për 5 sezonet e ardhshme. Manchester United dhe klubi bask arritën marrëveshjen për transferimin në Anoeta të 22-vjeçarit kosovar. Januzaj te Sociedadi do të mbajë veshur fanellën me numër 8 dhe në të njëjtën kohë do të kërkojë të rigjejë shkëlqimin e humbur.

Artikulli paraprakStandardet e kredisë mbeten të shtrënguara për bizneset, lehtësohen për individët
Artikulli tjetërLiverpooli kërkon Aubameyang