Çeferin, president i UEFA-s

Avokati slloven, Aleksander Çeferin është presidenti i ri i UEFA-s. 48-vjeçari, një emër thuajse i panjohur për publikun e gjerë përveç faktit se prej disa vitesh është president i Federatës sllovene, ka mundur në zgjedhjet e zhvilluara dje në Kongresin e Jashtëzakonshëm në Athinë, presidentin e Federatës holandeze, Majkëll van Prag.
Fitorja ishte shumë bindëse, pasi Çeferin fitoi me rezultatin 42-13, duke treguar qartësisht se kishte mbështetjen e pjesës më të madhe të vendeve anëtare. Por kandidatura e tij dhe kjo mbështetje është rrethuar me dyshime të mëdha, siç ndodh zakonisht kur ka zgjedhje në institucionet e futbollit.
Media të ndryshme kanë raportuar se mbështetja është siguruar falë ndikimit rus, atij të Xhani Infantinos, koalicionit të vendeve sllave dhe ballkanike, mes të cilave edhe Shqipëria, si dhe premtimeve për poste në UEFA.
Çeferin, pak ditë më parë kritikoi formulën e re të propozuar për Ligën e Kampioneve, që kufizon praninë e skuadrave të vendeve të vogla. Ndaj të gjithë janë kureshtarë të shohin nëse ai do ta ndryshojë përsëri këtë strukturë, të ndërtuar me qëllimin për të siguruar të ardhura sa më të larta.
Ndërkaq, në Kongresin e djeshëm, me leje të veçantë nga FIFA, para delegatëve u paraqit edhe ish-presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i cili mbajti një fjalim, duke përsëritur se ishte i pafajshëm. “Jam i sigurt se nuk kam bërë asnjë gabim dhe do të vazhdoj të luftoj për këtë të drejtë në gjykata. Ju do të vazhdoni këtë mision të mrekullueshëm pa mua. Nuk kam asnjë mëri ndaj atyre që nuk më mbështetën, të gjithë kanë bindjet e tyre. Por kjo nuk është e rëndësishme, i rëndësishëm është futbolli”, tha ai. Sa keq që u kujtua shumë vonë për këtë të fundit…
Ashtu si parashikohej përpara Kongresit të zhvilluar në Athinë, ai u zgjodh në krye të Konfederatës Europiane të Futbollit, për të përmbushur mandatin e Michel Platini. Slloveni fitoi me 42 vota nga 55 federata kontinentale, duke mposhtur sfidantin Van Praag, me holandezin që grumbulloi vetëm 13 vota. “Faleminderit për mbështetjen fantastike. Ndihem i nderuar. Përveçse mjaft e rëndësishme, për mua kjo detyrë është njëkohësisht edhe përgjegjësi”, u shpreh Çeferin.
Aleksander Çeferin është një personazh mjaft interesant. Avokat penalist me profesion, ai mban edhe rripin e zi në karate. 48-vjeçari ishte favorit në garën për presidencën e UEFA-s, edhe sepse gëzonte mbështetjen e federatave më të mëdha europiane, nga Gjermania te Franca, për të vijuar me Rusinë dhe Italinë. “Familja ime është tejet krenare, ashtu siç është edhe Sllovenia ime e bukur. Shpresoj që një ditë edhe ju të jeni krenarë për mua”, u shpreh Aleksander Çeferin.
Objektivat e vendosur nga Çeferin në krye të UEFA-s janë beteja kundër trukimit të ndeshjeve dhe ndryshimi i formulës së votimit, për vendet ku do të luhen finalet e Champions dhe Europa League, organizimin e Kampionatit Europian dhe evenentet e tjera madhore në Europë.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërPlatini: Largohem me ndërgjegje të pastër