Çekiçi: Fitojmë me Francën

Ai është një nga lojtarët me më shumë eksperiencë në kombëtaren e 21-vjeçarëve dhe është gati për të nisur një tjetër fushatë kualifikuese me kuqezinjtë e vegjël pas asaj të edicionit të kaluar. Në miqësoren ndaj Francës dhe eliminatoren ndaj Estonisë sytë e të gjithëve do të jenë të përqendruar te Endri Çekiçi. Mesfushori, i cili e mbylli sezonin me Lokomotivën e Zagrebit është optimist mbi mundësitë që kanë Shpresat që drejtohen nga Alban Bushi për të bërë një figurë të mirë dhe pse jo për të fituar ndaj Francës të hënën.
“Synimi ynë është të hyjmë në fushë, të japim maksimumin dhe të tregojmë që edhe pse Franca është një ekip i madh që ne mundemi, mundemi të luajmë ndaj çdo kundërshtari. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip dhe synimi ynë është ta fitojmë ndeshjen. Unë luaj në pozicionin pas sulmuesit kryesor në kombëtare dhe kjo tregon sesa dëshirë kemi ne për ta fituar një ndeshje, pra ne kërkojmë gjithmonë maksimumin dhe hyjmë në fushë për të fituar. Luajmë pothuajse me 4 sulmues dhe ky është një fakt që nuk kënaqemi asnjëherë me barazimin”, tha Çekiçi.
Nga miqësorja e luksit te eliminatoret që nisin me sfidën ndaj Estonisë. Edhe pse kuqezinjtë e vegjël kanë në grup skuadra me emër të madh si Spanja, Sllovakia e Islanda, Çekiçi nuk i trembet askujt dhe e përcakton qartë objektivin e Shqipërisë së 21-vjeçarëve. “Kur hyjmë në një kompeticion, objektivi ynë i vetëm duhet të jetë maja kështu që në këto eliminatore do të kërkojmë vendin e parë”, tha ai.
Sezonin e fundit mesfushori 20-vjeçar luajti si i huazuar te Lokomotiva e Zagrebit, skuadër me të cilën bëri mirë, por cila do të jetë e ardhmja e Endri Çekiçit, kartoni i të cilit është në pronësi të Dinamos së Zagrebit.
“Ka disa oferta konkrete, por mbetet për t’u parë. Duhet të bisedoj me drejtuesit e Dinamos së Zagrebit dhe me presidentin, mundësitë janë të hapura edhe për një rikthim te kjo skuadër, por edhe për një transferim te një tjetër klub, gjithsesi këtë do ta tregojë vetëm koha”, tha Çekiçi.
Një nga risitë, në listën e Alban Bushit për sfidat ndaj Francës dhe Estonisë, është sulmuesi Valdrin Mustafa, i cili luan me të rinjtë e Kaiserslauternit në Gjermani. I lumtur, por në të njëjtën kohë edhe gati për të dhënë kontributin e tij në kombëtaren e 21-vjeçarëve, 19-vjeçari nuk e fshehu kënaqësinë për këtë grumbullim në fjalët e tij.
“Jam shumë i lumtur që kam marrë ftesën për të qenë pjesë e përfaqësueses së 21-vjeçarëve. Ëndrra ime është të luaj për kombëtaren A, por tani dua të jap maksimumin dhe të tregoj vlerat e mia me Shpresat. Konkurrenca është shumë e madhe. Unë jam i datëlindjes 1998, ndërkohë që pjesa më e madhe e lojtarëve janë të ‘96-tës dhe ‘97-tës dhe unë duhet të jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje për të fituar besimin e trajnerit”, tha ai.
Pas një sezoni fantastik me 19-vjeçarët e Kaiserslauternit, Mustafa tani dëshiron të spikasë me ngjyrat kuqezi. “Kam realizuar 20 gola me Kaiserslauternin në këtë sezon, tani dua të jap maksimumin me kombëtaren e 21-vjeçarëve që në të ardhmen të jem pjesë e përfaqësueses së madhe”, përfundoi Mustafa.

Artikulli paraprakMbappe, 100 milionë!
Artikulli tjetërFranck Kessie, zyrtarisht i Milanit