Me zërin e bijve të inxhinierëve të naftës, heronj të shkencës dhe viktima të regjimit komunist, AIDSSH çeli sot fondin arkivor të degës së Sigurimit Naftës dhe zhvilloi simpoziumin shkencor: “Eksplorimi dhe Zhvillimi i sektorit të naftës nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit 1944-1991”, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave.
Studiues të historisë, ekonomisë dhe jurisprudencës, profesorë dhe inxhinierë të naftës, dëshmitarë të kohës, familjarë sollën fakte dhe studime që hodhën dritë mbi zhvillimit të sektorit të naftës në Shqipëri gjatë periudhës 1945 – 1991, dokumentimin e represionit të Partisë së Punës ndaj shkencës, fatin tragjik të gejologëve e shkencëtarëve si: Stanisllav Zuber, Riza Alizoti, Thoma Pojani, Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari etj. Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, për agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike. Një pjesë e tyre u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan dhe trupat e tyre janë ende sot të pagjetur.
Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha se: “ Diktatura pa dhunën, ideologjinë dhe politizimin ekstrem është e paqëndrueshme. Por dhe prodhimi, pa te drejtat njerezore te stafit teknik rezultoi po ashtu i paqendrueshëm. Nëpërmjet çeljes së arkivës dokumentare si dhe studimit të tyre nga ekspertë të historisë dhe shkencës së gjeologjisë japim sot një kontribut të pazëvendësueshëm në ndricimin e skutave të errëta të Sigurimit të Shtetit, që me hetimet, persekutimet e ekzekutimet famëkeqe turpëruan çdo ndenjë humane dhe futën në ngërç zhvillimin e sektorit të naftës në Shqipëri.”
Jovan Plaku, djali i inxhinierit të pushkatuar, Koço Plaku, ende sot i zhdukur tha se: “Sot, di të them që të gjitha këto dosje, kanë vlerë të mirëfilltë studimore, sepse ato zbulojnë jo vetëm shkallën e persekutimit, por zbulojnë në përmasë të plotë edhe djallëzinë dhe perversitetin e shërbëtorëve të regjimit në ekzekutimin e këtij persekutimi. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mizoria e diktaturës si regjim, mund të tejkalohet vetëm nga një mizori tjetër, mizoria e ekzekutorëve të regjimit, çnjerëzorë pa kufij dhe të pashtershëm në ligësi.”
Agim Gjikopuli, djali i inxhinierin Milto Gjikopulli, pushkatuar, ende i pagjetur tha se: “Shteti që duhet të kërkonte ndjesën familjeve, ndaj njerëzve të shkatërruar. Duhet të ishte shteti sot që të jepte llogari se ku janë. Kemi 34 vjet bashkë me Jovanin që kemi kërkuar privatisht, jemi gjykuar që kemi kërkuar privatisht. Jemi arrestuar se kemi kërkuar eshtërtat e prindërve tanë.”
Dr. Alda Biçoku, albanologe dhe e reja e Akademik Prof. Teki Biçokut përcolli fakte historike nga puna e akademikut dhe qëndresa e tij në burgje. Ai nuk praanoi të dilte dëshmitar në gjyqin e ministrit të tij, Koço Theodhosi. E izoluan 18 muaj dhe e dënuan me 20 vjet burg. Dëshmia e saj pasuron me fakte procesin e të pagjeturve, të vdekur në burgje: “Si shkrues për drejtuesit e Burgut, T.Biçoku regjistronte edhe emrat e atyre që vdisnin dhe fsheurazi u vendoste pranë trupit një shishe të vogël me emrat e tyre brenda saj. Kufomat e të burgosurve nuk u dorëzoheshin familjeve, sepse edhe të vdekur duhej t’i plotësonin në varrezat e burgut vitet e dënimit. Statistikat e sipërpërmendura dhe emrat e të vdekurve nëpër shishe u konsideruan si veprime të palejueshme, prandaj u dërgua në një burg tjetër.”
Kujtime të dhimbshme nga fëminia e saj solli edhe Kozeta Bushati, vajza e Beqir Alisë, dënuar në gjyqin ndaj inxhinierëve të naftës, kriza e indetitetit dhe nevoja për të kuptuar se cili ishte faji i babait i ndryshuan asaj jetën. Po kështu edhe Nezi Alizoti, e bija e inxhinierit Riza Alizotit, dënuar me varje në vitin 1947, kujtoi sakrificat e të atit për t’i shërbyer vendit edhe pse me mundësi për vijuar karrierën në Angli ku kish kryer studimet.
Altin Hoxha, Anëtar AIDSSH në studimin e tij mbi statistikat e përndjekjes në sektorin e naftës solli fakte të panjohura më parë për publikun : “Përballja e parë e sigurimit të shtetit ishte me specialistët italianë të cilët mbetën në Shqipëri si ish punonjes të kompanive AIPA dhe AGIP qe shfrytëzonin koncesionet e naftës në Shqipëri. Më shumë se 50 specialistë italianë, të vendosur në Kucovë dhe Tiranë do të ishin në optikën e sigurimit të shtetit dhe do të përballeshin me një urejtje dhe përndjekje nga strukturat e sapodala nga lufta, që përfaqsonin sigurimin e shtetit. Një pjesë e tyre si inxhinier nafte Andrea Taraskoni dhe Mario Cetti do te ekzekutoheshin në vitin 1945, te tjere si Vicenso Andrizoni, Vitorio Profili, Aldo Cavalini, Don Plestro Scavalini, Antonio Meneguni, Nicola Achile, Otavio Benetti, Lusi Maechisio u arrestuan dhe u burgosën.
Në vitin 1946 do te denoheshin me vdekje si sabotatore dhe tregti te paligjshme Profesor Venezio Lozi dhe Salvadore Gombia, me 101 vite burgim ing Ludoviko Petrasi me 20 vjet Albero Agostinone dhe me nga 10 vjet Antonio Demarkchis dhe Vicenzo Gallo, aryeja kryesore e denimit tentuan te ktheheshin ne vendin e tyre.”
Prof. Dr. Nevton Kodhelaj, Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave foli mbi zhvillimin e Sektorit të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe gazit në Shqipëri dhe dhunës së pushtetit mbi gjeologët.
Ilia Gjermani, përfaqësues i Minstrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës në kumetësën e tij mbi kërkimi dhe prodhimin e hidrokarbureve në Shqipëri bëri një paraqitje mbi historikun e këtij aktiviteti.
Dr. Ermal Frashëri tha se : “Ky simpozium shërben si një platformë për të vijuar studimet mbi sektorin e naftës, një nga mendimet që unë do sugjeroja është avancimi i kërkimeve mbi rolin që ka patur nafta në ekonomin shqipëtare, mënyra si u formua ajo si industri sepse ka shumë për të mësuar nga kujtime të naftëtarëve të inxhinierëve , puntorëve të sektorit dhe ka plot gjëra për të avancuar lidhur me mënyrën se si është qeverisur sektori naftës mënyra se si është ngritur ai si sektor.
Gerla Kotka, nga AIDSSH në studimin e saj mbi Persekutimin dhe dënimin e dy inxhinierëve të naftës: Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit tha se : “Pavarësisht, kontributit të rëndësishëm të inxhinierëve në industrinë e naftës, ata morën dënimet më të larta dhe të padrejta nga sistemi, i cili në politikëbërjen e tij orientohej në gjetjen e armiqve në radhët e njerzëve më të përkushtuar të shkencës dhe studimit.
Jonel Hibo, AIDSSH në komutesën e tij mbi për veprimtarinë e Stanislav Zuberit, Riza Alizotit, Lipe Nashit dhe Nuredin Skraparit, parë në Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit dëshmoi mbi hetuesinë e përdorur ndaj tyre.
“Gjithë kjo dramë, gjithë ky kalvar vuajtjesh të pamerituara. ky potencial njerëzor i shkuar dëm nga 1947 deri ne 1990 meriton një përmendore në Fier dhe ky është një projekt që duam ta vijojmë me Bashkinë e qytetit dhe Albeptrolin. Ndërkohë do të avancojmë më tej punën në drejtim të përmbushjes së misionit për trupat e pagjetur duke marrë vendimin për të filluar hetime administrative për trupat e inxhinierëve të zhdukur. Do bëjmë çmos të kërkohet në mënyrë intensive të mbërrihet deri tek gjetja e këtyre trupave, duke i qëndruar pranë familjarëve në të drejtën për pasur një vendprehje për njerëzit e tyre.”- tha në mbyllje të takimit kryetarja Sula.