Ministria e Bujqësisë ka hapur garën për aktivitetin e akuakulturës në 56 liqene, rezervuarë dhe laguna në të gjithë vendin.
Gara, e cila zhvillohet duke marrë në konsideratë ligjin e ri të peshkimit, synon që të japë aktivitetin me tender kundrejt vlerës që do t’i nënshtrohen garës. Në këtë mënyrë synohet që peshkimi të bëhet në mënyrë të kontrolluar pa dëmtuar akuakulturën dhe gjithashtu sektori formalizohet në mënyrë të plotë.
Rezervarët që kanë dalë në tender për të zhvilluar mbjelljen dhe vjeljen e peshkut shtrihen në të gjithë vendin. Ndër ta është edhe laguna e Orikumit dhe Liqeni i Ulzës.
Operatorët që do të marrin pjesë në garë do të çmohem me 40 pikë për nivelin e investimit, me 40 pikë të tjera për teknologjinë e projektit dhe 20 pikë për nivelin e punësimit. Zarfat me ofertat do të hapen më 14 shkurt.
Dokumentacioni që subjektet konkurruese, duhet të paraqesin, është si më poshtë:
a) kërkesa për zhvillimin e aktivitetit të akuakulturës në objektin ujor të shpallur për konkurrim;
b) regjistrimin në QKR për objektin e veprimtarisë së bashku me ekstraktin historik;
c) plan biznesi për zhvillimin e veprimtarisë;
d) projekti teknik, teknologjik;
e) të dhëna për nivelin e investimit;
f) të dhëna për nivelin i punësimit;
g) vetëdeklarim se projekti përputhet me kërkesat mjedisore të zonës në fjalë;
h) vërtetim nga organet tatimore që subjekti në fjalë nuk ka detyrime tatimore;
i) vërtetim se subjekti ka aplikuar pranë strukturave mjedisore për t’u pajisur me leje mjedisore (vetëm për rastet e akuakulturës intensive);
j) deklaratë mbi konfliktin e interesit.
Gjithashtu dokumentacioni i veçantë që paraqesin pjesëmarrësit në konkurrim për çdo kategori ujore është specialist i fushës nëpërmjet CV profesionale, ku tё tregohet kualifikimi dhe përvoja nё fushёn e peshkimit dhe akuakulturës, garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në plan-biznes etj.