Çelsi vendos rekordin e ri

Çelsi i Antonio Kontes nuk njeh rivalë në Angli, ku vazhdon marshimin e pandalshëm me një seri mbresëlënëse fitoresh që sot arriti numrin 12 radhazi. Mungesat e Diego Kosta dhe N’Golo Kante nuk ndalën vrullin e skuadrës londineze, e cila fitoi 3-0 ndaj Bërnmuth. Pedro ishte protagonist i ndeshjes me dy gola, nga një në secilën pjesë të takimit, ndërsa Hazard realizoi në fillimin e fraksionit të dytë me penallti, në një përballje që nuk u vu asnjëherë në diskutim. Me këtë fitore, Konte vendosi rekordin e ri të klubit, dhe e sheh veten vetëm 2 fitore larg rekordit prej 14 ndeshjesh radhazi me fitoren në kampionatin anglez, i cili mbahet nga Arsenali i vitit 2002.
“Topçinjtë” aktualë kanë fituar me shumë vështirësi dhe u është dashur një gol i minutave të fundit nga Zhiru për të marrë tri pikët përballë Uest Bromuiç. Sulmuesi francez shpëtoi skuadrën e tij nga thellimi i mëtejshëm i krizës së rezultateve, duke llogaritur që “topçinjtë” vinin nga dy humbje radhazi në kampionat.
Mançester Junajtid i Murinjos vazhdon t’i gëzohet një forme të mirë në muajin dhjetor, ku ka siguruar fitoren e katërt radhazi në kampionatin anglez. Këtë radhë, duke mundur me shifrat 3-1 Sandërlendin e ish-trajnerit Devid Mojes, në vizitën e tij të parë në “Old Traford” që pas shkarkimit.
Ndërkaq, vazhdon momenti i errët i Leisterit të Ranierit, që është mundur në shtëpi 2-0 nga Evertoni dhe vazhdon të notojë në ujëra të turbullta në klasifikimin e kampionatit anglez të futbollit, duke rrezikuar seriozisht rënien.

Artikulli paraprakPepe drejt Kinës
Artikulli tjetër“Yjet” pa kontratë