Celularët e Sekuestruar të zyrtarëve: SPAK, hetim për audituesit që kanë fshehur abuzimet e frikshme

Me prova nga raportet e KLSH-së, kallëzimet penale si dhe nga denoncimet në media, SPAK ka nisur një hetim specifik, për vjedhjet e abuzimet me miliona euro që janë bërë nëpër ministri, bashki, në kompanitë e entet shtetërore dhe janë fshehur.

Është konstatuar, se vjedhjet dhe abuzimet janë fshehur nga audituesit e brendshëm të institucioneve qendrore,  agjencive, bashkive e kompanive publike, të cilët, në bashkëpunim me drejtuesit, kanë hartuar dhe deklaruar raporte auditimi të brendshme me të dhëna false.

Pasi ka bërë verifikimet paraprake të provave, SPAK ka krijuar bindjen, se auditues të brendshëm në institucionet shtetërore, kanë fshehur vjedhjet e abuzimet.

Si nxitje për nisjen e këtij hetimi, që kryhet për herë të parë nga drejtësia në Shqipëri, përveç gjetjeve të KLSH-së, kanë shërbyer dhe të dhënat e zbuluara në dosjet, kompjuterët dhe celularët që u janë sekuestruar drejtuesve e zyrtarëve në disa ministri, bashki, agjenci e ente publike.

Në dosjet e sekuestruara te zyrat e financave,  janë gjetur raportet false, të auditimeve që janë dorëzuar te drejtuesit e janë miratuar prej tyre me të dhëna të rreme, duke minimizuar e fshehur vjedhjet dhe abuzimet financiare.

Në celularët e sekuestruar të zyrtarëve e audituesve të institucioneve, janë gjetur biseda dokordësie mes tyre e madje edhe urdhra, për të mos pasqyruar vjedhjet e abuzimet financiare reale.

Bëhet fjalë, për fiktivitetin në fondet limit të tenderëve që janë caktuar deri 2 herë më shumë se kostoja faktike; për ankandet që u është ulur vlera e ofertave 40-50%, të kontratave të qirave, të mos zbatimit të kontratave koncesionare, investimeve, shitjes së pasurive, shpenzimeve administrative me devijim objekti e punësimet tepër.

Ndërsa në kompjuterët e sekuestruar, janë gjetur raporte auditimi, të miratuara nga drejtuesit e zyrat financiare; dhe raportet e auditimeve faktike me vjedhjet e abuzimet që janë bërë, prova që vërtetojnë bisedat mes tyre për të fshehur e mos deklaruar të vërtetën.

Në informaconin, siguruar nga burime konficenciale brenda BKH që po bën hetimin, thuhet se subjekte hetimi janë auditues në Ministrinë e Financave, në Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, Shëndetësisë, Energji-Infrastrukturës, Arsimit e Turizëm-Mjedisit.

Po hetohen auditues në bashkitë Fier, Elbasan, Korçë, Himarë, Pogradec, Vlorë, Sarandë, Lushnje, Dibër, Gjirokastër, dhe në OSHEE, KESH, ARRSH, AZHBR, Drejtorinë e Transportit Rrugor, KESH, Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Ujësjellësat Tiranë, Durrës, Vlorë e Elbasan.

Provë tjetër që po hetohet, është mashtrimi i bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit në Ministrinë e Financave, për faktin se ka certifikuar si të sakta e të vërteta, raportet e auditimeve të brendshme të institucioneve e enteve shtetërore.

Exit mobile version