Çerekfinalja e fundit

Çerekfinalja e fundit e Euro 2016 prezanton Francën organizatore dhe Islandën që ashtu si Uellsi kërkon ta bëjë më të çmendur këtë europian. Blutë e Didier Deschamps ende pa një test të vërtetë në këtë eveniment, kanë mundësinë e artë për të thyer përfundimisht ishullorët e vegjël dhe për të prerë biletën e gjysmëfinales, por kundërshtarët e drejtuar nga Lars Lagerback nuk kanë ndërmend të dorëzohen lehtë. Forca fizike dhe mungesa e presionit janë pikat më të forta të Islandës që europianin e saj e ka fituar me atë sukses fantastik ndaj Anglisë.
Ulërima mbytëse e gejzerave të pranishëm në Francë tashmë e ka fituar vëmendjen e botës, por kujdes, në futboll kurrë mos thuaj kurrë. “Stade de France” hap sërish dyert për ekipin e shtëpisë që, pas suksesit të vështirë ndaj Irlandës, duhet të tregojë muskujt për të evituar surprizat e pakëndshme dhe për t’ia dalë mbanë do të bazohet në forcën e Pogba, klasin e Payet dhe shpejtësinë e Griezmann.
Trajneri Deschamps duket se e ka gjetur skuadrën e tij titullare pas fazës së fillimit, ku nuk ngurroi të eksperimentonte. Islanda nuk ka arritur të fitojë ndaj Francës në asnjë nga 11 përballjet e mëparshme, por në Euro 2016 e ka gjetur rrugën e rrjetës në çdo ndeshje, duke treguar se është një skuadër që guxon pa e kthyer kokën pas. Statistikat flasin qartë, Islanda është skuadra më cinike e këtij kompeticioni, pasi ka shënuar gol në rreth 40% të rasteve që ka goditur portën. Ashtu si një vullkan, kjo kombëtare shpërthen në momentin kur më pak e pret, prandaj mbrojtja e Francës pa Adil Rami për shkak kartonësh, mund të hasë vështirësi.
Një mungesë me peshë në kampin e bluve do të jetë edhe Ngolo Kante po për shkak kartonësh, vendin e të cilit me shumë mundësi do ta zejë Yohan Cabaye. Franca që e ka prekur fazën çerekfinale në tre turnetë e fundit të mëdhenj, ka treguar pjekuri me kalimin e ndeshjeve, por ende skuadra e Deschamps nuk është një grup i bashkuar. Pjesët e dyta kanë rezultuar më të luftuara për vendasit që janë bazuar te freskia fizike, por këtë herë kundërshtarët i kanë marrë të gjitha masat për të mos lëshuar terren.
Islanda është një skuadër eksperte për të prishur planet e kundërshtarëve dhe këtë e vuajti Anglia, por mbi të gjitha Portugalia ku Cristiano Ronaldo u detyrua t’i sulmonte me një frazë aspak sportive në fund, duke deklaruar se ata janë antifutbolli. Në këtë mënyrë, yjet francezë mund të mos mjaftojnë për të thyer murin islandez që deri në këtë pikë të kompeticionit ka rezistuar. Franca ka pësuar më pak goditje në portë se çdo skuadër tjetër në këtë kompeticion, madje dy golat e vetëm i ka pësuar nga pika e bardhë. Të dyja skuadrat janë shënuar nga 6 gola në Euro 2016, por Islanda e ka shpërndarë gjeografinë te 6 lojtarë edhe pse në këtë europian ka mesataren më të ulët të mbajtjes së topit me vetëm 29%. Një ndeshje pa shumë pika referimi dhe shumë pikëpyetje me Francën që synon të imponojë forcën e bazuar në klasin e një brezi të artë dhe Islandën, ishullin që tashmë nuk është më një komunitet i izoluar në mes të Atlantikut. Bileta e fundit e çerekfinale do të pritet në aktin e fundit çerekfinal të këtij europiani aty ku nisi ky eveniment, në “Stade De France”.

Artikulli paraprakPescara parakalon Bolonjën, favorite për të marrë Ajetin
Artikulli tjetërColeman: Një ëndërr e bërë realitet