Ceremonia për PD, Basha: Një pjesë e jona sillet rrugëve

Kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur se është i vetëdijshëm se në këtë përvjetor të themelimit të PD, një pjesë e atyre që punuan për këtë parti, nuk janë të pranishëm.

Komentet Basha i bëri gjatë fjalës së tij në Pallatin e Kongreseve, ku po festohet 33-vjetori i themelimit të PD.

Ai tha se një pjesë e elitës së PD po sillet rrugëve, nga frika e drejtësisë dhe shtoi se shumë shpejt do të paraqesë programin për të sjellë ndryshimin në Shqipëri.

“PD është partia e ëndrrës së një kombi për liri. PD ishte drita e parë e shpresës për një Shqipëri demokratike, europiane dhe perëndimore. Në këtë përvjetor nuk i kemi në krahë të gjithë. Shumë nga ata që punuan për partinë, nuk janë këtu me ne.

E di që një pjesë e jona sillet akoma rrugëve, e trembur nga dora e drejtësisë. E di që shumë qytetarë pyesin e kujt është PD. Është partia e rinisë europiane shqiptare. Në këtë datë, pesha e ngjarjeve që kemi përjetuar ka lënë gjurmë tek ne.

Në peshoren e kohës, janë vetëm një çast në historinë tonë 33 vjeçare si demokratë. Vetëm një çast në historinë tonë që si shqiptarë patriotë nuk vendosim askënd mbi Shqipërinë. PD është e Shqipërisë.

PD është e Shqipërisë, çdo gjë që bëjmë, çdo qëllim që i vendosim vetes është për shqiptarët. Po përfundojmë dhe shumë shpejt do të shpalosim programin tonë që ta çlirojmë ekonominë, që ta mbajmë këtu rininë tonë.”

Artikulli paraprakPAMJET e atmosferës së jashtëzakonshme, reagon Basha pas ditës festive të demokratëve: Sepse Shqipëria do të bëhet!
Artikulli tjetërLulzim Basha: Partia Demokratike është partia e shoqërisë shqiptare (Fjala e plotë)