Qeveria shqiptare do të paguajë mbi 263 mln euro për gjyqe të humbura në arbitrazh, 110 mln euro nga të cilat i takojnë çështjes me sipërmarrësin Francesco Becchetti.
Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi në emisionin Përballë, ministrja e Financave Anila Denaj tha se detyrimet ndaj Becchettit do të shlyhen kur vendimi të jetë i formës së prerë.
“Ne patjetër që do ta paguajmë. Hyn edhe në negociata. Po në rastin e Beketit, ne jemi në pritje të përgjigjes nga Avokatura e Shtetit. Ne nuk mundemi dhe juridikisht të buxhetojmë procesin nqs Avokatura e Shtetit nuk thotë tani ky vendim duhet zbatuar. Ka procese dhe ka kontrata që nëse do të negocioheshin në kohë mund të kishin kompensuar dhe dëmin e fitimit të gjyqit. Dhe sa më shumë ta lëmë në kohë, jemi duke shtyrë një proces që nuk është në të mirë të shqiptarëve. Nuk po flas për rastin konkret këtu. Por në momentin që procedurat finalizohen atëherë janë detyruese për buxhetin e shtetit. Dhe ata kanë vëmendjen për tu paguar proporcionalisht sipas fondeve. Nëse vjen e formës së prerë do të duhet të hiqet një fond nga një proces tjetër”, tha Denaj.
Ministrja shtoi se qeveria ka arritur një marrëveshje e cila i lejon pagesën me këste të një prej këtyre faturave.
“Ka dhe marrëveshje brenda katër elementëve që listuat pa qënë nevoja të themi kush. Pra edhe elementi marrëveshje me palën është një element i njohur. Marrëveshje për ta shtyrë me këste pagesash ose për të arritur një marrëveshje e cila mund të cojë… se mund të ketë disa produkte në proces. Por atë që vlen sot të themi; çdo proces gjyqësor është një dëm por do duhej Shqipëria për hir të këtij dëmi të mbante një dëm më të madh? Këtë duhet ta vlerësojmë dhe për secilin rast duhet të shkojmë të bëjmë një analizë. E parë nga jashtë nuk vlen. është gjykim personal”, tha Denaj në “Përballë”.