Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PD, Tritan Shehu, ka komentuar takimin që zhvilloi me Presidentin Ilir Meta në kuadër të takimeve që presidenti po zhvillon pas kërkesës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati për të marrë Plotfuqishmëri nga Presidenti për negociatorët që do të negociojnë me Greqinë për çështjet e lëna pezull. Shehu u shpreh se me Presidentin ka shkëmbyer mendime dhe ka ndarë shqetësimin për hapat e ndërmarra. “Takimi me Presidentin ishte një shkëmbim mendimesh dhe folëm për diplomacinë dhe politikën e jashtme. Ne ndajmë shqetësim të madh për hapat e ndërmarra në lidhje me ecurinë e negociatave. Greqia na ka mbështetur në procesin e Integrimit dhe nuk e ka bllokuar asnjëherë integrimin e Shqipërisë. Traktati i miqësisë nuk ka skaduar dhe ka edhe 5 vite afat, ndërsa nuk ka ‘gogol grek’ ndaj Shqipërisë”, tha Shehu. Ish-ministri i Jashtëm u shpreh se marrëveshja e detit e vitit 2009 ishte normale, por ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mungesën e aktit të plotfuqishmërisë. Sipas tij, sot ka një mostransparencë nga ministri i Jashtëm shqiptar. “Marrëveshja e detit në vitin 2009 ishte një marrëveshje normale dhe racionale, por fatkeqësisht u anatemua politikisht dhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mungesën e aktit të plotfuqishmërisë.
Plotfuqishmëria jepet para marrëveshjes. Sot, kemi një moment anormal dhe të paqartë, pasi ministri grek thotë se marrëveshja me detin është arritur, ndërsa kemi një mostransparencë nga ministri i Jashtëm shqiptar. Unë i besoj ministrit grek, pasi mendoj se ai thotë të vërtetën dhe nga ministri jonë ka heshtje. Kjo marrëveshje duket si çështje pazari. Ne kemi kërkuar transparencë për ketë çështje”, tha Shehu. Shehu tha se çështja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet të zgjidhet në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë. “Mënyra më racionale për të mbyllur këtë marrëveshje dhe këtë çështje mendoj se duhet të shkojë në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë. Kjo është një praktikë që e kanë ndjekur edhe shtete të tjera. Përmes kësaj mënyre do hiqen hijet dhe mostransparenca. Kjo është zgjidhja më racionale për mua që të shmangen hijet dhe pazaret për këtë çështje”, tha Shehu.