Çështja e luftës në Libi dhe rikthimi i Rusisë si superfuqi

“La Stampa”

Vladimir Putin hap një raund të ri të lojës së “Risk!”-ut ndaj NATO-s dhe SHBA. “Niet”-i nga Rusia ka mbërritur në kohë, edhe për rastin e Libisë:
Sulmet amerikane kundër pozicioneve të ISIS në Libi janë të paligjshme, për shkak se për t’i realizuar ato, nevojitet një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka deklaruar ambasadori rus në Libi, Ivan Molotkov.
Ministria e Punëve të Jashtme e Moskës vë në dukje se Rusia “ka qenë gjithmonë në favor të veprimeve të vendosura, për të eliminuar ISIS dhe grupe të tjera terroriste, me koordinim të ngushtë të përpjekjeve të të gjitha shteteve”.
Siç ndodh shpesh, Kremlini e bën të ditur atë që ai dëshiron, shumë më qartë se sa mund të duket. Mesazhi drejtuar Obamës është që të mos guxojë të kryejë një operacion, pa marrë në konsideratë Rusinë.
I njëjti mesazh u dërgua nga Moska në fillim të krizës siriane, ku për të bërë që të respektohej, Vladimir Putini u detyrua të nisë një operacion ushtarak në shkallë të gjerë. Libia është një dosje e ndryshme për Kremlinin, edhe sepse nuk ka një ekuivalent të Bashar al-Assadit, një aleat i vjetër.
Pas rënies së Gadafit, rusët nuk kanë një njeri të tyrin për të mbrojtur në Tripoli, edhe pse janë duke “i marrë masat” Gjeneralit Khalifa Haftar, i cili kohët e fundit u prit mirë në Moskë. Dhe nuk ka ndonjë interes të veçantë ekonomik, pavarësisht nga dërgesat e armëve.
Por në “Risk”-un  global që Putini është duke luajtur, Libia nuk është interesante në vetvete, por ajo i duhet si një hap themelor për të sfiduar Shtetet e Bashkuara, të vetmin kundërshtar strategjik që merr në konsideratë dhe të influencojë Evropën, e cila i druhet shpërthimit të një vendi shumë pranë saj. Prej këtu buron qortimi i menjëhershëm i Uashingtonit, për të mos u hedhur në veprim pa OKB-në, me fjalë të tjera, pa u konsultuar me rusët.
Libia për rusët është një temë e ndjeshme: ndërhyrja e vitit 2011 u bë e mundur për shkak se Rusia – e udhëhequr në atë kohë nga Dmitry Medvedev – për herë të parë në një dekadë nuk përdori veton për të bllokuar një ndërhyrje të armatosur të huaj, por abstenoi. Pamjet e vdekjes mizore të Gadafit ishin një tronditje për Putinin dhe ata që e njohin, thonë se ai e mori si demonstrimin përfundimtar, të fundit që amerikanët donin të pësonin autokratët e padëshiruar për ta. Vendimi për të lejuar Perëndimin që të ndërhyjë në Libi ishte ndoshta një nga aktet që i kushtoi presidencën Medvedevit: një vit më pas, Putini vendosi të marrë përsëri Kremlinin, duke ia shkëputur Delfinit të tij, me të cilin Obama dhe Hillary kishin tentuar “rifillimin” e famshëm.
Dhe Libia figuron që atëherë, bashkë me Serbinë, në propagandën ruse, si një shembull i superfuqisë amerikane, të cilës Rusia duhet t’i kundërvihet.
Amerikanët sillen në Lindjen e Mesme si një elefant në dyqanin e qelqurinave, vetëm e vetëm që të konfirmojnë dominimin e tyre”, ka thënë ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, ndërsa komentatorët si Vyacheslav Matuzov, president i Shoqatës së Miqësisë me vendet arabe, janë edhe më eksplicitë:
Shtetet e Bashkuara duan të vendosin aleatët e tyre në Libi, në një qeveri tërësisht islamike, në kuadër të planit për të “shkatërruar botën arabe”.
Një ide që e ndajnë ndoshta shumë këshilltarë të Putinit. Jo rastësisht, dy javë më parë, Haftar ka zhvilluar takime në Moskë në nivele të larta, të lehtësuar edhe prej faktit që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, bashkë me oficerë të lartë të ish-Ushtrisë së Kuqe. Nuk është një njeri i rusëve, por mund të bëhet, qoftë edhe sepse nuk është një njeri i amerikanëve dhe përtej kësaj, është i lidhur me Egjiptin e Al Sisit, i cili në muajt e fundit është shfaqur si aleati i madh i Kremlinit në rajon. Kush do të shkojë të qeverisë në Libi, megjithatë, është e parëndësishme, krahasuar me shanset që kjo krizë mund të hapë për Rusinë, e cila kërkon të ketë një rol në këtë lojë të madhe.
Pas Brexit dhe grushtit të dështuar të shtetit kundër Erdoganit, dy kriza që krijuan të çara në frontin e NATO dhe BE, duke favorizuar ofensivën globale të Putinit, Libia mund të bëhet shumë e rëndësishme për të sfiduar SHBA, në një lojë shahu ku deri tani nuk ishin marrë në konsideratë rusët. Dhe mbi të gjitha duke luajtur “me dallimet ndërmjet amerikanëve dhe europianëve”, thotë Matuzov. Duke vënë bast sidomos tek Italia, që shumë në Moskë e konsiderojnë “hallka e dobët” e frontit antirus në NATO dhe BE.

Artikulli paraprakBrazili i fiksuar për medaljen e artë në futboll
Artikulli tjetërZgjedhjet dhe sulmet kibernetike në SHBA