Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka dalë me vendim për padinë e familjarëve të Gërdecit. Teksa kjo çështje ndodhet në Gjykatën e Posaçme me kërkesë të SPAK, Strasburgu thotë se ndër vite ka pasur shkelje.
Gjykata konstatoi se kërkuesve iu ishte hequr mundësia për të marrë pjesë në mënyrë efektive në gjykimin penal. Për më tepër, procedimi penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për shpërdorim detyre është ende në pritje, duke lënë kështu kërkuesit pa një përfundim përfundimtar për përgjegjësinë e tij edhe më shumë se 14 vjet pas shpërthimit.
Sipas vendimit të Strasburgut, familjarët e viktimave do duhej të ishin bërë pjesë e procesit që prej fillimit, ndërsa hetimi për ish-ministrin Fatmir Mediu është zvarritur.
Në vendim thuhet se shteti i paditur duhet të dëmshpërblejë kërkuesit brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë.
“Shteti i paditur duhet t’u paguajë kërkuesve, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë të prerë në përputhje me nenin 44 § 2 të Konventës, shumat e mëposhtme: bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt, 12 000 euro (dymbëdhjetë mijë euro), plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; aplikantëve të mbetur, 10,000 (dhjetë mijë euro) secili, plus çdo taksë që mund të paguhet për dëmin jopasuror; bashkërisht për të gjithë aplikantët, 8,000 (tetë mijë euro) euro, plus çdo taksë që mund t’u ngarkohet atyre, në lidhje me kostot dhe shpenzimet; që nga skadimi i tre muajve të sipërpërmendur deri në shlyerje, do të paguhet interes i thjeshtë për shumat e mësipërme me një normë të barabartë me normën marxhinale të huadhënies të Bankës Qendrore Evropiane gjatë periudhës së mospagimit plus tre pikë përqindjeje”, thuhet në vendimin e Strasbugut.