Çështja katalanase është e “drejta për të vendosur”: Shembulli kanadez dhe ai britanik

Vendimi që ka dënuar të “burgosurit politikë” katalanas me afate që shkojnë nga 9 deri në 13 vite burg ka gjeneruar një emocion të thellë në Katalonjë dhe ka shkaktuar manifestime të mëdha që kanë përshkuar vendin gjatë ditëve të fundit. Është një vendim jashtëzakonisht i gjatë nëqoftëse matet mbi bazën e parimeve e të vlerave themelore të demokracisë liberale e të vetëvendosjes apo edhe thjesht të konsideratave të mirëkuptimit politik.

Në fakt nuk është një vendim që habit nëqoftëse instrumenti i vetëm matës është ai i konformitetit të thjeshtë ndaj ligjit pozitiv dhe detyrimeve e kufizimeve në ushtrimin e demokracisë që ajo imponon. Mbi bazën e ligjshmërisë spanjolle, nuk pritej asgjë ndryshe dhe jo vetëm prej mosbesimit tek gjykatësit spanjollë, por edhe pse vendimi sigurisht që ka koherencën e tij me kuadrin ligjor brenda të cilit ka ndodhur shpallja e pavarësisë katalanase.

Në këtë kuptim, është e qartë se skandali spanjoll nuk qëndron në faktin se kush ka shkelur ligjin është arrestuar; kjo ndodh kudo dhe është e vështirë të mendohet – apo edhe të dëshirohet – se mund të ndodhë ndryshe. Skandali spanjoll qëndron në faktin se është detyruar të arrihet në një akt mosbindjeje për faktin se qenë mohuar sistematikisht në kohë të gjitha hapësirat e mundshme për një rrugëtim të pranuar e të dakordësuar që të mundësonte të verifikohej vullneti mazhoritar i popullit katalanas.

Kështu, çështja është krejtësisht e lidhur me kuptimin që u atribuojmë kushtetutave. Nëqoftëse konsiderojmë se një kushtetutë duhet të jetë në thelb një “statut pushteti” që mund të japë një model të caktuar demokracie formale apo nëqoftëse konsiderojmë se duhet të përfaqësojë një instrument të azhurnueshëm dhe të përsosshëm që duhet të garantojë parime themelore lirie politike. Çështja e raportit midis rendit pozitiv dhe vendosmërisë demokratike mund të gjente rrugëdalje shumë të ndryshme nga ajo që kanë çuar në konfliktin midis Barcelonës dhe Madridit.

Nga ky këndvështrim, është jashtëzakonisht interesant skenari kanadez. Pas thirrjes dhe mbajtjes të një referendumi në vitin 1955 për pavarësinë nga ana e qeverisë së Québec, janë ndërmarrë nisma të ndryshme ligjore për ta vënë në diskutim ligjshmërinë e një shkëputjeje eventuale. Gjykata Supreme kanadeze e sqaroi çështjen me një vendim të vitit 1998 që përfaqëson një precedent domethënës për ekuilibrin e saj dhe për respektimin që tregon kundrejt vullneteve politike që vijnë nga poshtë.

Sipas gjykatësve të Kanadasë, kushtetuta e një vendi është tërësia e parimeve të shkruara dhe jo të shkruara që në rastin kanadez artikulohen rreth katër shtyllave kryesore: federalizmit, demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së pakicave. Për pasojë, një vendim kushtetues lidhur me temën e shkëputjes duhet që të frymëzohet në shpirt dhe në thelb nga parime të tilla.

Në këtë kuptim, për Gjykatën e Ottawa një pavarësi unilaterale nuk mund të konsiderohet e njëanshme – dhe kjo është diferenca e madhe me rastin spanjoll – përballë suksesit të një referendumi indipendentist, një respektim i plotë i shpirtit kushtetues imponon se duhet të negociohen rrugë ligjore dhe të pranuara që mundësojnë t’i jepet zbatim vullnetit të shprehur mazhoritar.

“Parimi i federalizmit, bashkuar me parimin demokratik, dikton se shprehja e qartë e dëshirës për të ndjekur shkëputjen nga ana e popullsisë së një province i jep jetë detyrimit për të gjitha palët të Konfederatës që të negociojnë ndryshime kushtetuese që i përgjigjen dëshirës së shprehur. (…) Refuzimi i qartë i rendit kushtetues nga ana e Québec do t’i jepte legjitimitet kërkesës për shkëputje dhe do të përcaktonte një detyrim për provincat e tjera dhe për qeverinë federale që ta njohë e ta respektojë shprehjen e një vullneti demokratik, nëpërmjet negociatash të kryera në përputhje me parimet kushtetuese”.

Për më tepër, në refuzimin e perspektivës së një shkëputjeje unilaterale, Gjykata saktëson se i referohet vetëm implementimit efektiv të shkëputjes, jo fillimit të një procesi dhe mbajtjes të një referendumi që futet në disponimin e plotë të një province dhe që bile rezulton i sanksionuar vetë nga ky vendim si instrumenti kryesor për sqarimin e vullnetit praktik popullor. Është një vendim që ka kënaqur indipendentistët e Québec.

Nga këndvështrimi i tyre fakti që një shpallje unilaterale pavarësie është e paligjshme nuk përbën problem në momentin ku vihen në dispozicion instrumente demokratikë të njohur për arritjen e të njëjtit objektiv. Me fjalë të tjera, në një kuadër si ai kanadez, unilateraliteti është thjesht jo i nevojshëm.

Jo shumë ndryshe është mësimi që vjen nga menaxhimi britanik i çështjes skoceze. Rrugët institucionale për menaxhimin e një kërkese për shkëputje, në rast se nuk ekzistojnë, krijohen. Në harkun e pak viteve rivendikimet skoceze në termat e vetëqeverisjes janë menaxhuar me risi të konsiderueshme kushtetuese, duke krijuar një sistem të avancuar të devolution. Dhe më pas, kur qeveria skoceze e ka formuluar kërkesën për mbajtjen e një referendumi për pavarësinë, në afate relativisht të shpejta, Londra dhe Edimburgu kanë gjetur termat e një marrëveshjeje për një konsultim të pranuar.

Mekanizmat për një referendum indipendentist nuk qenë “parashikuar”. Nuk qenë “skalitur”, por janë “gjetur” dhe inkuadruar në terma të ligjshmërisë, falë një sistemi politik mjaftueshëm të pjekur sa për të pranuar se “bipolarizmi territorial” përfaqëson tashmë një dimension thelbësor dhe të parevokueshëm të demokracisë politike.

Kurse vizioni spanjoll përfaqëson në fakt një përdhosje të konstitucionalizmit që bëhet jo instrument për të afirmuar, por për të mohuar kushte themelore demokracie dhe, në analizë të fundit, për të mbrojtur statuskuonë dhe “pushtetin” nga vullneti i qytetarëve. Për këtë arsye, për sa vendimi përfaqëson sot një moment “dramaciteti simbolik”, ai është vetë një simptomë finale e një sëmundjeje shumë të thellë, e përfaqësuar nga konceptimi vertikal dhe hierarkik i marrëdhënieve politike dhe nga koncepti i kufijve si entitet i përjetshëm dhe i pandryshueshëm.

Në këtë kuptim, është e qartë se konsideratat e humanizmit kundrejt liderëve indipendentistë në burg – dhe të mundësisë së uljes të tensionit – duhet të bëjnë të shpresosh në ndonjë akt indulgjence nga ana e qeverisë spanjolle. Por njëherazi është e qartë se lirimi i të burgosurve mund të përfaqësojë “kundrashpërblimin” e një dorëheqjeje të lëvizjeve e të partive katalanase nga ndjekja e pavarësisë, sepse pikërisht çështja e madhe nuk përfaqësohet nga vendimi i këtyre ditëve, por nga mungesa e kushteve të veprueshmërisë kushtetuese dhe demokratike që në vite do të duhej të mundësonin të kanalizohej debati mbi pavarësinë në brendësi të një hullie ligjërisht të njohur. Liderët e arrestuar katalanas e dinin atë me të cilën ndesheshin dhe në gjykatë kanë marrë mbi vete përgjegjësitë për veprimet e tyre.

Siç ka deklaruar në proces Jordi Cuixart, President i shoqatës kulturore më të madhe dhe historike katalanase dhe i burgosur bile përpara referendumit indipendentist, “kur më akuzojnë për një gjë që kam bërë se çfarë mund të them përveçse po, është e vërtetë, e kam bërë – dhe se do të kisha detyrimin moral ta ribëja këtu dhe sot. Gjithçka që kam bërë do ta ribëja, pasi jam i bindur se duhet ta bëj – i pranoj aktet dhe e pranoj pasojën. Vendimet e kësaj gjykate nuk do t’i ndryshojnë prioritetet e mia që nuk janë dalja nga burgu, por të luftoj paqësisht që të mund të vendosim të ardhmen tonë”.

Nga Katalonja në Brexit, “e drejta për të vendosur” – e drejta e vetëidentifikimit kombëtar dhe e aderimit komunitar – përfaqëson çështjen e madhe demokratike të këtyre viteve dhe barrierat që i vendosen asaj përfaqësojnë Murin e Berlinit të sotëm. Më këtë kuptim, meriton që të njihet sakrifica e atyre, që në një Europë gjithnjë e më shumë të zënë me administrimin e përditshmërisë, kanë vënë lirinë e tyre në shërbim të një kauze, që përtej skemave ideologjike tradicionale, që zgjeron hapësirat e shprehjes dhe të respektimit të vullnetit të të “qeverisurve”.

(nga Geopoliticus)

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakNjë sekret shtetëror nën maskë
Artikulli tjetër“Xhaka gaboi, ai është i shkatërruar”